Flash

Haga refuzon lirimin e Ratko Mlladiç për arsye shëndetësore

Lapsi.al 29 July 2025
Haga refuzon lirimin e Ratko Mlladiç për arsye

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale (ish-Tribunali i Hagës) e ka refuzuar kërkesën e Ratko Mlladiç për lirimin e tij të përkohshëm për arsye humanitare, duke përmendur gjendjen e rënduar shëndetësore. Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska - entiteti serb i Bosnjës - u dënua në vitin 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje e Hercegovinë.

Në vendimin e nënshkruar nga kryetarja e Mekanizmit, Graciela Gatti Santana, thuhet se edhe pse vlerësimet mjekësore tregojnë se Mlladiç i është afruar fundit të jetës, ai është duke marrë kujdes të gjithanshëm shëndetësor, gjë që është e dokumentuar në raportet mjekësore.

“Informacionet që kam në dispozicion tregojnë se rrethanat humanitare bindëse, të cilat Mlladiç i ka përmendur si arsye për lirimin, nuk janë vërtetuar”, thuhet në vendim.

Sipas gjykatës, Mlladiç nuk vuan nga ndonjë sëmundje akute dhe terminale që do të mund të arsyetonte lirimin e tij. Për më tepër, ai është duke marrë kujdes mjekësor cilësor dhe të përshtatur me nevojat e tij specifike. Gjykata thekson, gjithashtu, se janë ndërmarrë masa për t’i mundësuar atij kontakte të rregullta me familjen.

“Mbajtja e tij e mëtejshme në burg nuk përbën trajtim çnjerëzor apo degradues dhe, si e tillë, vazhdon t'i mbështesë parimet thelbësore të ndëshkimit që zbatohen për krimet për të cilat ai është dënuar. Prandaj, kërkesa duhet të refuzohet”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Më 2 qershor, përmes avokatëve të tij, Mlladiç kishte paraqitur kërkesë për lirimin e përkohshëm ose të parakohshëm, duke pretenduar se ishte diagnostikuar me një sëmundje terminale dhe se i kishte mbetur pak kohë për të jetuar.

Mbrojtja pretendon se shërbimi shëndetësor i burgut i ka njoftuar Mlladiç dhe familjen e tij se “nuk mund të shërohet” dhe se “jeta e tij matet në muaj”. Në kërkesë thuhej gjithashtu se, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, nuk ekziston rrezik për arratisje dhe se, në rast të lirimit, ai do të qëndronte në Serbi.

Ratko Mlladiç ishte në arrati për gati 16 vjet para se të arrestohej në Serbi në maj të vitit 2011 dhe të ekstradohej gjashtë ditë më vonë në Hagë. Ai u shpall fajtor për gjenocidin ndaj afro 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë, zonë e mbrojtur nga OKB-ja në verën e vitit 1995, për ndjekje dhe zhvendosje të detyruar të boshnjakëve dhe kroatëve në mbarë Bosnjën, për terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës, si dhe për mbajtjen peng të paqeruajtësve të OKB-së gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1995. Ai u dënua për 10 nga 11 pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./ REL

Të këshilluara

ide

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

Pse Rama e lidhi Kushnerin me një trafikant

Edhe familjes Trump, në një vend ku është e pamundur të bësh para pa u bërë pis, nëse nuk do i qëllonte Artur Shehu, patjetër do i binte për pjesë dikush i ngjashëm me të

12:58 Andi Bushati

MOTI TIRANA

22°c

KËMBIMI EURO

92.85

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI