Mediat austriake kanë publikuar fotot e para të 21-vjeçarit Arthur A., i cili vrau 10 persona (9 nxënës dhe një mësues) përpara se të kryente vetëvrasje gjatë sulmit të tij në një shkollë në Graz. Një prej viktimave ishte edhe një 15-vjeçare me origjinë nga Vitia e Kosovës.
Në njërën nga fotot ai shfaqet si adoleshent, ndërsa në një tjetër mban në krahë një mace të vogël. Autoritetet austriake po hetojnë arsyet e sulmit nga 21-vjeçari, i cili jetonte me nënën e tij beqare, austriake, në Kalsdorf pranë Gracit. Babai i tij është armen.
Sipas informacioneve të mediave vendase në shënimin që la para vetëvrasjes në dhomën e tij, i riu shkroi se kishte dështuar në mësime dhe për këtë po kërkonte të fajësonte dikë. Sipas të njëjtave burime ai kishte ngelur në të njëjtën klasë disa herë.
Në një video lamtumire që ai e regjistroi në telefonin e tij celular dhe ia dërgoi nënës së tij pak para sulmit, ai i kërkon asaj ta falë "për atë që do të bënte tani". Ai gjithashtu falënderon nënën e tij për kujdesin që mori prej saj. Autoritetet, siç raportohet nga mediat në Austri, thonë se nëna e autorit të krimit e hapi videon 24 minuta pasi e mori atë, kur sulmi kishte ndodhur dhe djali i saj i kishte dhënë fund jetës së tij. Ai la gjithashtu një letër ku akuzonte shkollën për ngacmim dhe u kërkonte atyre të kujdeseshin për macen e tij, me të cilën ai po pozonte.

Mediat austriake raportojnë se Arthur A. kishte leje për armë, por jo leje për armë zjarri. Në Austri, blerja e një pushke është e ligjshme për ata mbi 18 vjeç, ndërsa blerja e një revolveri kërkon një vlerësim psikiatrik. 21-vjeçari hapi zjarr me një pistoletë dhe një pushkë në dy klasa dhe zona të tjera të shkollës. Një pajisje shpërthyese u gjet gjithashtu në shtëpinë e tij, por nuk ishte funksionale.
Viktimat, gjithsej 6 vajza dhe 3 djem, ishin kryesisht midis 15 dhe 17 vjeç, ndërsa njëri ishte 14 vjeç. Një mësues 59-vjeçar gjithashtu ra i vdekur nga plumbat e autorit. 11 të tjerë u plagosën në sulm. Nga këta, 4 janë në njësinë e terapisë intensive dhe të tjerët janë në gjendje të qëndrueshme.
“Askush në Austri nuk është në humor për të festuar” – tha kancelari Christian Stocker i cili shpalli tre ditë zie kombëtare për tragjedinë, duke folur gjithashtu për një “ditë të errët” për vendin. ©LAPSI.al