Këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dëshmoi Artan Tafani.
Ai ka pranuar të bashkëpunojë me SPAK, duke rrëfyer 17 episode kriminale të lidhura me grupin e Laert Haxhiut.
SPAK ka marrë të pandehur tetë persona, të akuzuar për një sërë veprash penale të kryera në qytete të ndryshme të vendit.
Ai u arrestua në shtator të vitit 2023, pas një grabitjeje me armë në një pikë këmbimi valutor në Astir. Në seancë, Tafanii tregoi për jetën e tij dhe si e gjeti veten në botën e krimit.
“Kam qenë emigrant në Greqi, ku jam marrë me drogë dhe pata probleme. U ktheva në Shqipëri dhe në vitin 2015 përfundova në burg për vjedhje. Kisha probleme ekonomike. Dënimin e vuajta në burgun e Rrogozhinës dhe më pas në burgun e Kosovës, në Lushnjë. Isha i vogël kur ika. Kishim një biznes familjar me materiale ndërtimi. Në Greqi punova fillimisht në mënyrë të ndershme, me bojra dhe lyerje. Në vitin 2006 u ktheva në Lushnjë dhe punova me xhaxhain në ndërtim. E lashë drogën për një kohë, por më pas u përfshiva sërish në probleme. Në 2015 vodha një pikë ‘Western Union’-i, prej nga më dërgonin para të afërmit nga Greqia. U arrestova dhe u dënova me 6 vite burg”, theksoi ai.
Ai rrëfeu takimet me Lulzim Spahiun, pas një ngjarjeje ku u plagos Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares.
“Pas daljes nga burgu, u takova me Lulzimin te një karburant i Saimir Taullahut. Më çoi llaf Klajdi Taullahu se donte të më takonte Lulzimi, për të bërë ndonjë ‘punë me mall’. Më pas, u takuam te ‘Palma Nova’ me Laert Haxhiun, ishte hera e parë që e shihja. Anterio Kaloshin e njihja nga burgu në Rrogozhinë. Unë kam përdorur edhe emrin tjetër: Marius,” tha ai.