Flash

Rama: Mbështetja për SPAK me çdo kosto "edhe mbi trupin tënd"!

Lapsi.al 26 May 2025
Rama: Mbështetja për SPAK me çdo kosto "edhe mbi trupin

Kush e ka parë fjalimin e Ramës me deputetët, ministrat në detyrë dhe ata që humbën mandatet në 11 Maj, dallon qartësisht se si një turmë mizash sillet qark kokës së kryeministrit, secila duke vezulluar për shkak të rrezeve të fundit të diellit në muzgun e kësaj të hëne. Ama, në takim, mund të thuhet me plot gojën se nuk pipëtiu miza.

Të gjithë gojëmbyllur, siç i porositi Rama "të gjithë në rresht". Askush nuk nxorri zë edhe kur ai vuri gishtin në plagë dhe përmendi mbështetjen që do t'i falë SPAK-ut për 4 vitet e ardhshme, para atyre që janë marrë në pyetje, janë nën hetim, nën akuzë apo presin çfarë do t'u dalë nga dosjet e prokurorisë.

Ndryshe nga çfarë shpresonin këta, se Rama do ta ndalë dorën me kërbaçin e SPAK, meqënëse rezultati i zgjedhjeve ishte i kënaqshëm, ai doli me një tezë krejt të kundërt dhe për këtë solli i irrituar, shembullin e një vendimi në Apel, kur një çift, sapo i kishte fituar shtetit shqiptar 500 mijë euro dëmshpërblim për një aksident.

“Nuk korrigjojmë dot as gafat dhe poshtërsitë që bëhen në dëm të shtetit” e hodhi Rama mesazhin e parë sinjalizues, që për shumëkënd, të ulur në karrige ra si bombë.

Mesazhet që pasuan ishin pak a shumë të njëjta. “Ne nuk kemi në dorë fatin e askujt prapa dyerve të pushtetit gjyqësor”, ishte një tjetër po aq shokues për veshët e atyre që problemet me drejtësinë i kanë ende të hapura. Të tillë janë Klotilda Bushka e hetuar për pengim të drejtësisë, Plarent Ndreca për korrupsion me rikonstruksionin e komisariateve, Olta Xhacka e marrë në pyetje për pronat e ushtrisë, Belinda Balluku me dosje në SPAK për tunelin e Llogarasë dhe të tjerë.

Për të mos lënë asnjë keqkuptim, Rama u shpreh se do të jetë në anën e SPAK edhe në vitet në vazhdim, se siç e kishte treguar historia, kjo ishte rruga e duhur, madje edhe kur drejtësia vepron mbi trupin tënd.

“Nuk ka një rrugë tjetër" u shpreh kryeministri nga fundi i fjalimit. "Pavarësia e drejtësisë dhe mbrojtja e saj me cdo kosto, edhe mbi trupin tënd është e vetmja rrugë dhe ne qëndrojmë të palëkundur mbi të vetmen rrugë” tha  ai.

Mesazh i keq për Erjon Veliajn

Me siguri fjalimi është ndjekur në televizione edhe nga paraburgimi, ku dëgjon Erjon Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës ende në detyrë. Veliaj ka dështuar dy herë në gjykatë dhe shpresa e tij e fundit për një lirim nga paraburgimi është Gjykata e Lartë. Në telefonatat e përgjuara, Veliaj kërkonte disa herë kontakte të drejtpërdrejta me Ramën përmes bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë – Endri Fugës dhe Arbian Maznikut.

Aleanca me Ramën është e vetmja rrugë që Veliaj të shpëtojë nga kthetrat e SPAK, por sot me fjalët “nuk i korrigjojmë dot gafat dhe poshtërsitë që ndodhin në sallat e gjyqeve” dhe atë që ne “nuk kemi në dorë fatin e askujt prapa dyerve të pushtetit gjyqësor”, kryebashkiaku ka marrë një mesazh jo të mirë.

Ana tjetër e peshores

Burgosja e zyrtarëve socialistë është vetëm njëra anë e peshores së drejtësisë. Me arrestimin e Kokës, Veliajt, Beqes etj, Rama mban në anën tjetër të burgosur Ilir Metën, kreun e PL që në 11 Maj kandidoi në listë të hapur dhe nuk u zgjodh deputet. Katër vite më parë, LSI e themeluar nga Ilir Meta mori rreth 106 mijë vota në të gjithë vendin.

Në të njëjtën anë të peshores, është edhe dosja penale e Sali Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, që akuzohen për korrupsion me dosjen e privatizimit të kompleksit Partizani. Berisha qëndroi për rreth 1 vit në arrest shtëpie me kërkesë të SPAK, kur ende nuk kishte një akuzë.

Në zgjedhjet e 11 Majit, Task Force që drejtoi Altin Dumani për krimet zgjedhore bëri kërdinë në radhët e partive që rrezikonin mandatet e Partisë Socialiste. Rasti më ekzemplar i shërbimit ndaj Partisë Socialiste ishte goditja e përqëndruar ndaj njerëzve që punonin për Tom Doshin, kryesisht në Malësi të Madhe, atje ku Altin Dumani shkoi personalisht për të kryer kontrolle dhe sekuestro ndaj njerëzve të PSD.

Prandaj kur Rama thotë se do të mbështesë drejtësinë, duket se do të bëjë një sakrificë nëse sheh arrestimet në radhët e Partisë Socialiste. Por nëse sheh goditjet në radhët e opozitës, e njëjta shprehje tingëllon ndryshe; ajo shpreh mbështetjen për një drejtësi që ka sakatuar opozitën dhe i ka hapur rrugën fitores së lehtë për një mandat të katërt./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Kryeministri po flet me veten

Dy fenomenet që Rama identifikoi si problemet themelore të qeverisjes, arroganca dhe mungesa e empatisë, janë tiparet e tij dalluese.  Ku ka zyrtar më arrogant dhe jo-transparent se kryeministri në qeverinë Rama? Si mundet Rama ti kërkojë ministrave të përfshijnë qytetarët në vendimarrje, kur ai vetë nuk i përfshin ministrat në vendimmarrjen e tij?

17:33 Blendi Kajsiu

Ata që shohin vjedhjen e Agron Shehajt nga koteci i Edi Ramës

Çmenduri të tilla, kur një pushtet prek fundin, janë të njohura. Grupe armiqësore, gazetarë puçistë, elementë të rekrutuar nga shtete armiqësore etj, historia jonë politike ka me shumicë, por vetëm Edi Rama ia ka dalë që në 10 vitet e fundit t’i njehsojë, gati- gati të duken si një fytyrë e vetme të gjithë ata që i shërbejnë.

16:41 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

93.20

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI