Flash

Trump: S’ka heqje tarifash, pa 350 miliardë blerje nga BE

Lapsi.al 8 April 2025
Trump: S’ka heqje tarifash, pa 350 miliardë blerje nga BE

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Bashkimi Evropian duhet të angazhohet për të blerë 350 miliardë dollarë energji amerikane nëse dëshiron të shmangë tarifat e reja të gjera ndaj produkteve të importuara, duke hedhur poshtë propozimin e Brukselit për eliminimin reciprok të tarifave mbi makinat dhe mallrat industriale.

“Jo, nuk është e mjaftueshme,” u përgjigj Trump, kur u pyet në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë nëse oferta e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ishte e pranueshme.

“Ne kemi një deficit prej 350 miliardë dollarësh me Bashkimin Evropian dhe ai do të zhduket shumë shpejt. Një nga mënyrat që kjo të ndodhë është që ata të blejnë energjinë tonë … nëse e blejnë, ne mund ta zhdukim deficitin në një javë. Ata duhet të blejnë dhe të angazhohen për të blerë një shumë të barabartë energjie.”

Komentet e Trump erdhën pasi Von der Leyen deklaroi më herët të hënën se BE-ja ishte e gatshme të eliminonte tarifat mbi makinat dhe mallrat industriale nga SHBA nëse administrata amerikane do të vepronte në të njëjtën mënyrë. Por presidenti amerikan e cilësoi këtë ofertë si të pamjaftueshme dhe kërkoi një marrëveshje që përfshin edhe uljen e të ashtuquajturave “pengesa jotarifore” – standarde dhe rregulla që, sipas tij, e bëjnë të pamundur hyrjen e produkteve amerikane në tregun evropian.

“Ata vendosin rregulla dhe standarde që e bëjnë të pamundur për ju të shisni një makinë. Këto janë tarifa jotarifore. Ne nuk do ta lejojmë më këtë,” theksoi ai.

Trump përmendi gjithashtu një nostalgji për periudha të mëparshme të historisë amerikane, duke thënë:

“Ju e dini që vendi ynë ishte më i forti nga viti 1870 deri në 1913. E dini pse? Sepse gjithçka bazohej në tarifa. Ne nuk kishim taksa mbi të ardhurat.”

Këto komente u bënë gjatë një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ndodhej në Uashington për të diskutuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe për të kërkuar përjashtim nga tarifat e reja amerikane.

Ndërkohë, reagimi i tregjeve financiare ka qenë i ashpër: bursat evropiane shënuan rënien më të madhe ditore që nga fillimi i pandemisë së Covid-19, si pasojë e tensioneve tregtare që po përshkallëzohen.

Trump gjithashtu nuk e përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje tregtare me BE-në, për sa kohë që ajo do të ishte “një marrëveshje e mirë për Shtetet e Bashkuara, jo për të tjerët.”

“Ka tarifa të përhershme, por ka edhe negociata. Mund të ketë një marrëveshje shumë të drejtë, por duhet të jetë ‘America First’,” deklaroi ai.

Pavarësisht se ideja për blerjen e më shumë gaz natyror të lëngshëm amerikan (LNG) nga ana e BE-së ka qenë në tryezë që nga rizgjedhja e Trump, negociatat konkrete mbeten të paqarta. Sipas raportimeve të POLITICO, Uashingtoni nuk ka ofruar ende një plan të detajuar për zbatimin e një marrëveshjeje të tillë.

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

91.98

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI