Flash

Analiza/ Maqedonia e ndarë prej propozimit francez

Lapsi.al 13 July 2022
Analiza/ Maqedonia e ndarë prej propozimit francez

E enjtja e 14 korrikut, do të jetë dita vendimtare në Maqedoninë e Veriut. Parlamenti do të mbajë seancën për miratimin e propozimit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë dhe zhbllokimin e negociatave të anëtarësimit.

Sipas një njoftimi të Kuvendit, deputetëve do t’u drejtohet në një fjalim edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der leyen. Me kërkesë të ligjvënësve, qeveria dorëzoi pasditen e së martën në kuvend, të gjithë dokumentacionin që ka të bëjë me propozimin e Francës.

Qeveria publikoi tri dokumente nga korniza e negociatave, por jo protokollin dypalësh midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që kërkohet nga opozita. Protokolli, siç bëhet e ditur, do të nënshkruhet në Sofje pas miratimit të propozimit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Nëse propozimi francez pranohet, në fillim të javës së ardhshme mundtë mbahet konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së dhe menjëherë më pas BE-ja do të fillojë negociatat me Shqipërinë. 

Nga Isuf Kadriu/Evropa e lirë

Propozimi i Francës për zgjidhjen e një kontesti midis Shkupit dhe Sofjes, që do t’i hapte rrugë integrimit të mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, mbetet çështja më e diskutueshme, që ka shkaktuar përplasje politike, tensione dhe protesta në rrugët e Shkupit.

Propozimi, sipas disave, është “tradhti kombëtare”, ndërsa për disa të tjerë mundësi e mirë për ta çuar vendin drejt anëtarësimit në BE.

“Nuk duam të na përsëritet Marrëveshja e Prespës [për ndryshimin e emrit të shtetit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut] e bërë nga [ish-kryeministri maqedonas] Zoran Zaev. Ajo ishte një marrëveshje e turpit. Në historinë botërore nuk është parë një tradhti e këtillë. Nuk duam që e njëjta të na përsëritet me Bullgarinë”, tha Stojka Nedelkova, banore e Shkupit, që mori pjesë në një protestë para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, të martën mbrëma.

Protestat kundër propozimit francez, të organizuara nga opozita maqedonase, janë në javën e dytë të tyre. Për më shumë se dy vjet, Bullgaria, si anëtare e BE-së, ka bllokuar hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në bllok, duke e akuzuar Shkupin për mosrespektimin e lidhjeve të përbashkëta kulturore dhe historike.

Ndër kërkesat kryesore të Bullgarisë është të pranohet se gjuha e Maqedonisë së Veriut rrjedh nga bullgarishtja. Sofja, po ashtu, kërkon njohjen e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut.

Propozimi i Francës parashikon lëshime nga të dyja palët. Qeveria në Shkup, mes tjerash, do të angazhohej për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare.

Qeveria maqedonase e ka mbështetur propozimin, duke thënë se ai nuk rrezikon interesat apo identitetin kombëtar. Por, partia kryesore opozitare, VMRO-DPMNE, si dhe të tjerë nuk pajtohen dhe thonë se propozimi favorizon kërkesat bullgare, që, sipas tyre, vënë në dyshim historinë, gjuhën, identitetin, kulturën dhe trashëgiminë e Maqedonisë së Veriut.

Zoran Dimitrievski, pensionist nga Shkupi, mendon ngjashëm.

“Duan që me Maqedoninë [e Veriut] të bëjnë kasaphanën më të madhe në Ballkan. Këtë nuk guxojmë ta lejojmë. Kemi dalë për të kundërshtuar tradhtinë e radhës që po përgatitet nga ky pushtet”, tha Dimitrievski, duke protestuar në Shkup.

Por, sipas Sefë Osmanit, pensionist nga Tetova, propozimi duhet të pranohet si mundësi e vetme për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Është një propozim që besoj se i jep shans inkuadrimit të Maqedoninë së Veriut në Bashkimin Evropian. Mbi të gjitha, është një kornizë, e cila gjithashtu mbron edhe gjuhën maqedonase, edhe identitetin maqedonas. Mendoj se kjo që është duke u bërë nga opozita, është një gjueti shtrigash dhe një koncept që nuk i kontribuon integrimit evropian të vendit”, tha Osmani.

Sipas një hulumtimi të bërë nga Instituti për Hulumtime Politike në Maqedoninë e Veriut, 73 për qind e qytetarëve maqedonas janë shprehur kundër propozimit francez, ndërsa, në nivel shteti, ky propozim nuk mbështetet nga rreth 56 për qind e të anketuarve.

Mungesa e transparencës së Qeverisë maqedonase rreth propozimit francez, por edhe rreth negociatave me Bullgarinë për heqjen e bllokadës, ka rritur mosbesimin e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë Bashkim Selmani, njohës i çështjeve politike. Edhe Zhaneta Trajkovska, nga Instituti për Studime të Komunikimit, thotë se publikimi jo i plotë i dokumenteve që synojnë zhbllokimin e procesit të integrimit evropian, ka shtuar dozën e mosmosbesimit te qytetarët, se Qeveria “është duke fshehur diçka, që mund t’i dëmtojë interesat kombëtare e shtetërore”.

Propozimi francez është publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, por nuk ka pasur debate në opinion për qartësimin e të gjitha pikave.

Ai është prezantuar sipërfaqësisht nga Qeveria, e cila, pastaj, e ka ftuar opinionin që ta lexojë atë në ueb-faqen e saj zyrtare. Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe disa ministra kanë theksuar se propozimi “nuk rrezikon gjuhën maqedonase”, por pa qartësuar procedurat mbi të cilat duhet të kalojë i gjithë procesi.

Opozita maqedonase vazhdimisht e ka akuzuar Qeverinë për “bisedime sekrete” me Sofjen, por edhe me Francën, si autore e propozimit për zgjidhjen e kontestit.

Të këshilluara

Europa e pranon: Srebrenica, turpi jonë!

Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell dhe komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi kanë folur në përvjetorin e masakrës së Srebrenicës  në vitin 1995, duke e q...

17:10

ide

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

92.00

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI