Të martën, një protestë tjetër është thirrur para kryeministrisë. Premtimeve për uljen e çmimeve u doli boja shpejt. Një mirazh i fitores qytetare mbi neglizhencën e qeverisë u pa në ditët e para të protestës. Por efekti i pakënaqësisë popullore humbi shpejt dhe çmimet e naftës, të bukës, të miellit, vajit, sheqerit, mishit, vezët, ujit etj kanë shkuar prap lart. Me të vetmin ndryshim; tregtarët kanë tani edhe bekimin e qeverisë.
Prandaj Adriatik Lapaj, një nga organizatorët e protestave, po kërkon rikthimin e qytetarëve në bulevard. “Kur ne nuk dalim, çmimet rriten” shkruhet në pankartën që publikoi ai në rrjetet sociale dhe ku i bën thirrje qytetarëve të dalin në shesh të martën, në orën 17:00.

Lapaj ishte ndër të parët që organizoi protestat, që detyroi qeverinë të reagojë menjëherë, me krijimin e bordeve dhe kontrollet në karburante dhe dyqane.
Rama nuk ia ka kursyer fyerjet dhe akuzat. Ka thënë se Lapaj dhe shokët e tij po i shërbejnë Putinit dhe politikave të Rusisë për trazira në vendet e NATO-s. Pastaj i ka sharë si sharlatanë, të pamend, mashtrues, protestues profesionistë etj.
Por ditët e fundit organizatorët e protestave janë nën një presion tjetër; nga partitë e opozitës. Disa herë, Adriatik Lapaj është akuzuar për përfitime nga projektet e Soros apo për dirigjimin që i bën ambasada amerikane. Deri tani, këto akuza i ka shmangur me takt.
"Halle halle kjo dynja, halli hallit nuk i ngja... Nuk ka problem ajo që them, por i kujt jam. Nuk ka problem ekonomia, as çmimet, as vjedhja, as mungesa e ilaçeve, as mjerimi në vlerat e pensioneve, ndihmës ekonomike, KEMP-it...rëndësi ka i kujt jam unë. Asnjë nga versionet nuk merr në konsideratë që jam i vetes dhe Ferman Lapaj-t" shkruan ai në një nga reagimet për sulmet që i bëhen si marionetë e njërës apo tjetrës palë.

Por ndryshe nga thumbat dhe hamendësimet e zakonshme, këto ditë erdhi një reagim i fortë dhe i qartë nga një përfaqësues i Partise Demokratike. Edi Paloka sulmoi direkt organizatorët e protestave duke i akuzuar për infltrim të qëllimshëm nga Rama me mision sabotimin e pakënaqësisë popullore. “Zëhollët” i quan Paloka, ndërsa paralajmëron se tani, frerët e protestave do t’i marrin demokratët. Se çfarë i pret ata që vetëquhen “shoqëri civile”, Paloka nuk pati komplekse ta thotë troç.
“Ne protestat e tjera , ne se guxojne te hyjne e tentojne dhe te marrin drejtimin ata ze hollet e paguar nga Rama, duhen kapur te paret e nxjerre per bythe jashte protestes!” shkruajti deputeti i Partisë Demokratike.
Paloka publikoi dy foto, që tregojnë si nisën dhe si përfunduan protestat qytetare nën udhëheqjen e atyre që i përbuzin partitë politike.
[caption id="attachment_710969" align="alignnone" width="720"]
Si nisi protesta kundër rritjes së çmimeve[/caption]
[caption id="attachment_710971" align="alignnone" width="629"]
Si përfundoi protesta kundër rritjes së çmimeve[/caption]
Pedagogun Ervin Goci, një prej organizatorëve më të zellshëm të protestës kundër rritjes së çmimeve, duket se fjalët e Palokës e kanë kapur në befasi. Goci ngjan i habitur nga Paloka, aq më tepër kur kujton se Berisha i ka përkrahur protestat dhe së dyti, mijëra demokratë kanë mbushur bulevardin në ditët e protestës.
“Ky zoteria, nuk ka as minimumin e respektit per mijera demokrate qe kane ardh ne proteste thjesht dhe nisur nga interesi i tyre dhe jo thjesht per vijen te partise, per ne jo e jo” shkruan Goci.
Ajo që pedagogur nuk llogarit, është se si prania e demokratëve në protestë, ashtu edhe mbështetja e Berishës është pjesë e politikës për ta bërë akoma më të madhe protestën. Nuk është i rastësishëm as mesazhi i Palokës.
Sa për aktivistët, Goci betohet se ata “jane angazhuar me mish e shpirt ne shume kauza, pa u harkuar te ndonje strofkull e ngrohte, por me sakrifica te medha”.
Për kreun e Organizatës Politike, Arlind Qorin, bashkimi i Berishës me protestën e qytetarëve duket e pamundur. Njësoj si Ramën, ai e sheh Berishën, një tjetër të akuzuar të madh për gjendjen ku është vendi.
Sipas Qorit, arsyet se pse Berisha nuk vjen dot në protestë janë disa: “1. Ai nuk flet dot për shkatërrimin e rafinerisë së Ballshit, 2. Ai nuk flet dot për grosistët e naftës 3. Ai nuk flet dot kundër oligarkëve - prej Manes, Kastratit, Salillarit, Frangajt, Gecit, Ulajt &co 4. Ai nuk flet dot për të drejtat e punëtorëve 5. Ai nuk flet dot për studentët 6. Ai nuk flet dot kundër dhunës policore se e njëjta polici që vrau Klodjan Rashën, ka vrarë edhe katër protestuesit e 21 janarit”
Po aq pasionant sa Goci, pedagogu Arlind Qori shprehet se “protestat e vërteta, të fuqishme e historike do të vazhdojnë nga forcat vitale të shoqërisë, të cilat po piqen në zjarrin e mllefit popullor ndaj një krize ekonomike në thellim e sipër”.
Kush duhet t'i udhëheqë protestat opozitare?
Dilema ka qenë përherë aty. Ka më efekt protesta e udhëhequr nga pedagogë, aktivistë apo idealistë parapolitikë që kërkojnë zgjidhje ekonomike nga qeveria, apo nga politikanë, të cilët sjellin më shumë njerëz në shesh, por synojnë pushtetin dhe jo thjesht kërkesat ekonomike?
Deri më tani me Ramën kanë funksionuar të dyja, ose kanë dështuar të dyja. Protesta kundër armëve kimike e detyroi Ramën të bëjë një hap pas, por ajo e studentëve u shua nga propaganda dhe premtimet e rreme.
Ndërkohë protestat e udhëhequra nga PD e Bashës përfunduan ose me marrëveshje, ose me tërheqje të liderëve politikë pas presionit të ndërkombëtareve. Në të gjitha rastet, protestat kanë qenë një goditje për arrogancën qeveritare.
Aktivistë të Foltores dhe personazhe të njohur të Partisë Demokratike e kanë marrë disa herë mikrofonin në grumbullimet para kryeministrisë. Nuk e kanë përmendur Partinë Demokratike apo Sali Berishën. Dalja e tyre në krye të protestës ka qenë një test, një matje pulsi për qytetarët në shesh. Ndërkohë që në Partinë Demokratike vazhdonte përballja me Lulzim Bashën.
Por Basha iku. Selia e PD-së po e shuan konfliktin e brendshëm. Dyert dhe dritaret e blinduara u hoqën. Berisha ka paralajmëruar protesta dhe kohës për dilema po i vjen fundi./Lapsi.al