Flash

Dokumentet sekrete/ Si u fsheh dështimi i luftës në Afganistan

Lapsi.al 23 August 2021
Dokumentet sekrete/ Si u fsheh dështimi i luftës në Afganistan

Një numër i madh dokumentesh sekrete qeveritare amerikane të siguruara nga gazeta “The Washington Post” në 2019-ën zbuloi se zyrtarët e lartë amerikanë nuk tregonin të vërtetën për luftën në Afganistan që po zgjaste gati 2 dekada. Ata vijonin të bënin deklarata rozë edhe pse e dinin se ishin duke gënjyer duke fshehur prova konkrete se lufta ishte duke u humbur.

Dokumentet u krijuan nga një projekt federal që përpiqej të analizonte dështimet rrënjësore të konfliktit më të gjatë të armatosur në historinë e SHBA. Ato përfshijnë më shumë se 2 mijë faqe, shënime të papublikuara të intervistave me njerëz që luajtën një rol të drejtpërdrejtë në luftë, nga gjeneralët dhe diplomatët e deri tek punëtorët e ndihmës dhe zyrtarët afganë.

Në dritën e zhvillimeve të fundit këto dokumente janë rikthyer sërish në vëmendje.

Qeveria amerikane u përpoq të mbrojë identitetet e shumicës dërrmuese të të intervistuarve për këtë projekt dhe të fshehë pothuajse të gjitha vërejtjet e tyre. Gazeta “The Washington Post” fitoi të drejtën e publikimit të dokumenteve në bazë të Aktit të Lirisë së Informacionit pas një beteje ligjore gati 3-vjeçare.

Zyrtarët amerikanë deklaronin vazhdimisht se po bënin përparim në Afganistan, por ata nuk ishin, dhe ata e dinin këtë.

Bush dhe Obama kishin plane të kundërta për të fituar luftën. Të dy ishin të destinuar të dështonin.

Në intervistat, më shumë se 400 personave të brendshëm kishte kritika të mëdha për atë që shkoi keq në Afganistan dhe se si Shtetet e Bashkuara u bllokuan në gati 2 dekada luftë.

Me një vrazhdësi të shprehur rrallë në publik, intervistat parashtruan ankesa të hapura, zhgënjime dhe rrëfime, por edhe supozime dhe përgojime.

"Ne ishim pa një qëllim themelor në Afganistan. Ne nuk e dinim se çfarë po bënim” - thoshte Douglas Lute, një gjeneral i ushtrisë me 3 yje që shërbeu në krye të luftës gjatë administratave të Bushit dhe Obamës.

“Çfarë po përpiqemi të bëjmë këtu? Ne nuk kishim nocionin më të mjegullt të asaj që po ndërmerrnim. Nëse populli amerikan do ta dinte një ditë madhësinë e këtij dështimi me 2400 jetë të humbura...” - shtoi Lute duke fajësuar për vdekjet e ushtarakëve amerikanë, përplasjet burokratike midis Kongresit, Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit.

Që nga viti 2001, më shumë se 775 mijë trupa amerikane u vendosën në Afganistan, shumë prej tyre në mënyrë të përsëritur. Nga ata, 2300 vdiqën atje dhe 20 589 u plagosën në aksion, sipas shifrave të Departamentit të Mbrojtjes.

Intervistat sjellin një pasqyrim të mprehtë në dështimet thelbësore të luftës që vazhduan deri para pak ditësh.

Ata nënvizojnë sesi tre presidentë, George W. Bush, Barack Obama dhe Donald Trump si dhe komandantët e tyre ushtarakë nuk kanë qenë në gjendje të përmbushin premtimet e tyre për të mbizotëruar në Afganistan.

Pasi iu ishte thënë se vërejtjet e tyre nuk do të bëheshin publike, zyrtarët amerikanë pranuan se strategjitë e tyre të luftimit kishin të meta fatale dhe se Uashingtoni humbi shuma të mëdha parash duke u përpjekur për të ringritur në Afganistan një komb modern.

Intervistat gjithashtu nxjerrin në pah përpjekjet e mëdha të qeverisë amerikane për të zvogëluar korrupsionin galopant, për të ndërtuar një ushtri dhe forcë policore kompetente afgane dhe për të goditur lulëzimin e tregtisë së opiumit në Afganistan.

Qeveria amerikane nuk ka kryer kurrë një llogari të plotë se sa ka shpenzuar për luftën në Afganistan, por kostot janë marramendëse.

Që nga viti 2001, Departamenti i Mbrojtjes, Departamenti i Shtetit dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar kanë shpenzuar midis 934 miliardë dollarë deri në 978 miliardë dollarë, sipas një vlerësimi të llogaritur nga Neta Crawford, një profesoreshë e shkencave politike dhe bashkëdrejtore e projektit “Kostot e Luftës” në Universitetin Brown.

Ato shifra nuk përfshijnë paratë e shpenzuara nga agjenci të tjera si CIA dhe Departamenti i Çështjeve të Veteranëve, i cili është përgjegjës për kujdesin mjekësor për veteranët e plagosur.

"Çfarë morëm për këtë përpjekje prej 1 trilion dollarësh? A vlente 1 trilion dollarë?” – thotë Jeffrey Eggers, një pjesëtar i marinsave SEAL dhe punonjës i Shtëpisë së Bardhë për Bushin dhe Obamën, citon lapsi.al.

"Pas vrasjes së Osama bin Ladenit, thashë se Osama ndoshta po qeshte në varrin e tij të rrethuar nga uji duke marrë parasysh sa kemi shpenzuar për Afganistanin."

Dokumentet sekrete kundërshtojnë gjithashtu një kor të gjatë deklaratash publike nga presidentët amerikanë, komandantët ushtarakë dhe diplomatët të cilët i siguruan amerikanët vit pas viti se ata po bënin përparim në Afganistan dhe lufta ia vlente të luftohej.

Disa nga të intervistuarit përshkruan përpjekje të qarta dhe të qëndrueshme nga qeveria amerikane për të mashtruar qëllimisht publikun. Ata thanë se ishte e zakonshme në selitë ushtarake në Kabul dhe në Shtëpinë e Bardhë të shtrembëroheshin statistikat për të bërë të dukej se Shtetet e Bashkuara po fitonin luftën, kur nuk ishte kështu.

"Çdo pikë e të dhënave u ndryshua për të paraqitur fotografinë më të mirë të mundshme," - u tha intervistuesve qeveritarë Bob Crowley, një kolonel i Ushtrisë i cili shërbeu si këshilltar i lartë kundër kryengritjes që bënë komandantët ushtarakë amerikanë në 2013 dhe 2014.

"Sondazhet, për shembull, ishin krejtësisht jo të besueshme, por të përforcuara se gjithçka që po bënim ishte e drejtë dhe ne u bëmë “një kon i akullores që e lëpinim vetë."

John Sopko, kreu i agjencisë federale që kreu intervistat, pranoi për “The Washington Post” se dokumentet tregonin se "populli amerikan është gënjyer vazhdimisht".

"Ne zbuluam se strategjia e stabilizimit të situatës dhe programet e përdorura për ta arritur atë nuk ishin përshtatur siç duhet me kontekstin afgan. Sukseset në qetësimin e klaneve afgane rrallë zgjatën më shumë sesa prania fizike e trupave të koalicionit dhe civilëve” - lexohet në hyrje të një raporti të publikuar në Maj 2018.

"Ne nuk i pushtojmë vendet e varfra për t'i bërë ato të pasura," - tha James Dobbins, një ish-diplomat i lartë amerikan që shërbeu si i dërguar special në Afganistan nën Bushin dhe Obamën.

"Ne nuk pushtojmë vendet autoritare për t'i bërë ato demokratike. Ne pushtojmë vendet e dhunshme për t'i bërë ato paqësore dhe ne dështuam qartësisht në Afganistan" – shtoi ai.

“The Washington Post” siguroi qindra faqe me memorandume të klasifikuara për luftën në Afganistan, të diktuara nga Sekretari i Mbrojtjes Donald H. Rumsfeld midis viteve 2001 dhe 2006.

Të quajtura "flokë dëbore" nga Rumsfeld dhe stafi i tij, memorandumet janë udhëzime të shkurtra ose komente që shefi i Pentagonit ua diktoi vartësve të tij.

Rumsfeld përzgjodhi disa prej tyre në 2011, duke i postuar ato në internet së bashku me kujtimet e tij, "Të njohura dhe të panjohura". Por shumicën e koleksionit të “flokëve të dëborës” rreth 59 mijë faqe mbeti sekret.

Vetëm në 2017 pas një këmbënguljeje nga gazeta dhe një padie nga Arkivi i Sigurisë Kombëtare, një institut kërkimor jofitimprurës në Universitetin George Washington, Departamenti i Mbrojtjes filloi të rishikojë dhe publikojë pjesën e mbetur të “flokëve të dëborës” të Rumsfeld.

Intervistat dhe memot e Rumsfeld që kanë të bëjnë me Afganistanin përbëjnë një histori të mbajtur të fshehtë të luftës dhe një vlerësim të qartë të konfliktit atje.

“Mund të jem i paduruar. Në fakt e di që jam pak i paduruar” - shkruante Rumsfeld në një memorandum për disa gjeneralë dhe ndihmës të lartë.

"Ne kurrë nuk do të tërheqim ushtrinë amerikane nga Afganistani nëse nuk kujdesemi të shohim se ka diçka që po ndodh që do të sigurojë stabilitetin që do të jetë i nevojshëm për ne që të largohemi".

"Ndihmë!" – shkroi ai.

Memorandumi ishte i datës 17 Prill 2002, vetëm, 6 muaj pas fillimit të luftës. ©Përgatiti LAPSI.al

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI