Ajo i bëri kështu jehonë një klisheje diferencuese sipas të cilës, për serbët, shqipëtarët e Shqipërisë janë të ndryshëm nga ata të Kosovës.
Por polemika më të mëdha ka ngjallur fakti se këngëtari Goran Bregoviç (foto poshte) do të mbajë një koncert për festën e birrës në Korçë, aktivitet që e organizon bashkia socialiste e qytetit.
Një sërë artistësh si Eva Murati, Vesa Luma, Big Basta, Noizi e Besa Kokëdhima e cilësuan një turp prezencën e Bregoviç në Korçë pasi këngëtari është cilësuar si frymëzim i ushtrisë serbe për masakrat në Bosnje dhe Kosovë dhe ka shfaqur gjithnjë qëndrime pranë ish luftarave të Millosheviçit.
Por me një reagim të vakët shefja e shtypit e bashkisë së Korçës, natyrisht e konsultuar edhe me shefat e saj bëri thirrje që arti të mos ngatërrohet me politikën. Kështu duket se pavarësisht protestave konceriti i Goran Bregoviçit, të cilin dikur Rama i dhuroi çelësin e Tiranës, do të mbahet në datë 22 gusht në Korçë.
Llogjikës për të mos e përzierë artin me politikë të përdoruar nga autoritetet shqiptare dhe nga shumë shqiptarë të Shqipërisë, gazetari Buzhala iu përgjigj si gjithmonë me mënyrën e tij origjinale: “Qysh thojne keta vllaznit tone ne Shqiperi "perse ore e perzieni artin dhe kulturen me politiken". Per bese nuk po e perzime na, serbet e kane perzi qe nja 100 vjet. Na kane vra me art dhe me kulture. Baba i krejt kesaj ka qene Ivo Andrici”.
Pra dallimet midis atij që disa e etiketojnë si kozmopolitizëm të kësaj ane dhe disa si patriotizëm folklorik të kosovarëve, po bëhen gjithnjë e më të ndjeshme.
Duke parë këtë hendek gjithnjë e më në rritje gazeari kosovar në Bruksel, Agustin Palokaj bënte një propozim që bie në kundërshti me parrullat patetike: “jemi Vëllezër”. Ai kërkonte në një shkrim që ne ta pranojmë njëri tjetrin me historitë tona të ndryshme, nuancat e veçanta të identitetit dhe formimin kulturor jo të ngjashëm. “Nuk duhet t’u mbetet hatri në Prishtinë kur Tirana vendos të ketë raporte më të mira me Beogradin. Por, as në Tiranë nuk duhet të vërsulen me sulme, e shpesh edhe me etiketime nënçmuese, kur kosovarët nuk duan të harrojnë se çfarë u ka ndodhur, kinse për hir të një “të ardhme të përbashkët” shkruante ai në një editorial në Koha Ditore.
Agustin Palokaj:Mini Shengeni i Vuçiçit fyen konceptin e BE
A mos ka ardhur koha të pranojmë pikërisht këtë? Pra të mos shtriremi aq të unifikuar sa thuhet? A mos duhet të na duket normale që kryeministri i Shqipërisë të përqafohet me Vuçiçin pa përfillur prishtinën dhe që në Tiranë të dëgjohet muzika turbo folk që frymëzoi paramilitarët serbë në luftë? Në terren duket se po ndodh pikërisht kështu dhe ky është një debat që nuk zgjidhet duke e fshehur gjoja se problemi nuk ekziston. ©Lapsi.al