Gjatë fushatës për 25 Prillin, kur Zëri i Amerikës publikoi lajmin se Francesko Beketi i fitoi 108 milion euro në arbitrazh, strategjia që zgjodhi Rama me të tijtë ishte për ta shmangur këtë temë me justifikimet se “lufta nuk ka mbaruar ende”, apo se "nuk mund të tregohet strategjia me të cilën do të fitohej beteja ligjore në arbitrazh".
Në debate apo intervista, ata u përbetuan publikisht se beteja vazhdonte, por strategjia për t’u ndjekur ishte sekret dhe nuk mund të thuhej publikisht. Pavarësisht dokumentave, pavarësisht zërit të ekspertëve apo mediave serioze që tregonin se kapriço e Ramës për mbylljen e Agon Channel do të na kushtonte 108 milion euro, mazhoranca mohonte gjithçka përmes batutave apo duke sulmuar mediat.
Ishte Arben Ahmetaj në Opinion në mars të vitit 2020 që thoshte se Bechetti “asnjë kokërr leku nuk do marri, asnjë kokërr leku, asnjë kokërr leku nuk do marri” (VIDEO KETU).
Ishte Rama që sulmonte austriaken Der Standart si një media skandaloze që bënte “fake news”, sepse gazetarët e saj raportuan se banka austriake dhe kompani energjetike në Austri kishin marrë një letër ku janë pyetur nëse kanë ndonjë pasuri ose aksione të Republikës së Shqipërisë, sepse ato duhet të ngrinin.
“Është e pavërtetë që Becchetti ka fituar. Ajo që ka bërë “Der Standard” është një shkrim skandaloz. Nuk është e rastësishme që çështja e “kazanit” që në anglisht është “fake neës” është botërore. Kalimi i lajmeve të rreme është problem global. Edhe Der Standard në këtë rast… nuk e di si ka ndodhur, apo ka qenë një mungese e verifikimit të fakteve" akuzonte Rama
Ishte Rama që bënte sikur e fshihte “asin nën mëngë” në përballjen në gjykatën e arbitrazhit, kur thoshte në Abcnews, se meqënëse beteja ligjore nuk kishte mbaruar, ai nuk kishte si të tregonte para gjithë publikut strategjinë që kishin menduar avokatët.
“Kjo nuk është një luftë e mbaruar. Unë nuk mund të flas më shumë se kaq, është cështje e një lufte që po bëhet, ka plan alternativ dhe strategji, por nuk është luftë e mbaruar. Ai ka për të marrë atë që nuk thuhet, përsa më takon mua, që mbetet por nuk hahet, ka mbetur por nuk hahet” thoshte ai ndërkohë që zgjedhjet afronin dhe ndërkohë që faktet tregonin të kundërtën, se Shqipëria kishte humbur në arbitrazh. (VIDEO KETU)
Të njëjtin qëndrim Rama e mbajti edhe në fushatën e 25 Prillit, sërish duke përsëritur se lufta me Beketin nuk kishte përfunduar dhe se italiani nuk do merrtë paratë e shqiptarëve.
[video width="384" height="848" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2021/06/Rama-per-Becchettin.mp4"][/video]
Por tani që zgjedhjet kanë mbaruar, tani që socialistët e siguruan mandatin e tretë, tani që nuk rrezikojnë asnjë votë, duket se e kanë luksin t'i pranojnë ca të vërteta.
Prandaj sot, Avokatja e Shtetit, Enkelejda Muça, ndryshe nga çfarë kishin thënë eprorët e saj më përpara, pranoi për herë të parë se biznesmeni italian do të marrë 108 milion euro nga paratë e shqiptarëve, për faktin se qeveria vendosi t’ia mbyllë Agon Channel.
“Ky zotëri në procesin e katërt, pra nga një kërkim fillestar prej 1.2 miliard, të reduktuar në 630 e ca million euro gjatë procesit, arriti të përfitojë një shumë, të themi prej 108 milion euro e cila ndërkohë është një kërkim që ne dhe Republika e Shqipërisë dhe Avokatura e Shtetit në analizën e vet, e konsideron tërësisht të pabazuar” tha Muça, që megjithëse pranon humbjen, nuk e quan këtë një dështim duke marrë parasysh shumën e parave që kërkoi fillimisht biznesmeni italian.
[video width="848" height="384" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2021/06/Avokatja-e-Shtetit.mp4"][/video]
Kthesa e qeverisë shqiptare mbi çështjen Beketi dhe 108 milion eurot e humbura, nuk sjellin asnjë fakt të panjohur më parë mbi përballjen gjyqësore. Humbja raportohej prej muajsh nga zëra seriozë të pak mediave dhe është dëshmuar më herët nga dokumentat e çështjes.
Deklarata e avokates së shtetit Enkeljeda Muça sot mund të shërbejë si provë, se përmes një propagande të fuqishme në media, edhe një skandal i përmasave të tilla kalon me "shpërthim të kontrolluar" dhe mes gënjeshtrash të përkohshme, merr përmasat e një shashke në opinionin publik./Lapsi.al