Presidenti i Republikës, Ilir Meta do të zhvillojë pasditen e sotme mbledhjen e dytë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për situatën e krijuar nga koronavirusi. Edhe këtë herë mbledhja do të zhvillohet online. Pjesë e saj do të jetë edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Mësohet se temë diskutimi do të jenë masat e marra deri më tani nga autoritetet, paketa e dytë financiare si dhe skenarët e përballimit e rimëkëmbjes ekonomike. Në mbledhje pritet të marrin pjesë kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, ministrat më të rëndësishëm të kabinetit qeveritar, drejtori i policisë së shtetit, kreu i SHISH dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Ora e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare nuk bëhet asnjëherë e ditur paraprakisht për arsye sigurie. ©LAPSI.al