Anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj është pezulluar nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave. Vendimi është marrë në mbledhjen e 3 dhjetorit, të drejtuar nga zv/kryeministri Erion Braçe, me propozim të kreut ekzekutiv Edi Rama.
Ish-ministri i PS-së, është akuzuar nga qeveria se ka dalë jashtë kontekstit të anëtarit të Këshillit Mbykëqyrës të BSH-së për shkak të deklaratave publike, kundër qeverisë së Edi Ramës.
Sipas procedurave të parashikuara me ligj, brenda 30 ditëve, kërkesa për shkarkim do të duhet të shqyrtohet nga komisionet përkatëse.
Në vendim thuhet:
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 47, të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave VENDOSI:
Z. Arben Malaj, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, pezullohet nga kjo detyrë.
Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për shkarkimin e z. Arben Malaj nga detyra e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.