Santiago Malko, 26-vjeçari i ekzekutuar me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e të martës në kryeqytet, la pas bashkëshorten dhe dy fëmijë të mitur, njëri prej tyre vetëm disa muajsh. I riu ishte i martuar me ish-efektiven e policisë Dea Riçku, me origjinë nga Dibra dhe së bashku kishin një vajzë 3-vjeçe dhe djalin 14-muajsh, të cilët tani do të rriten pa baba.
Çifti ishte njohur dhe dashuruar në Akademinë e Sigurisë, ku kishin bërë kurs për polic. Malko kishte përfunduar kursin për Patrullë të Përgjithshme dhe ka qenë pjesë e kësaj strukture në Policinë e Tiranës vetëm për 3 muaj, më pas është tërhequr vetë nga policia.
Ndërsa bashkëshortja e tij ka qenë pjesë e Policisë së Tiranës, në njësinë “Shqiponja”, por edhe kjo është tërhequr nga policia pas problemeve që pati në vitin 2016 Santiago Malko, ku u përfshi në një ngjarje të rëndë kriminale, ku dy vëllezër dhe ish-polici u përplasën fizikisht, vetëm disa metra larg Drejtorisë së Policisë së Tiranës mbrëmjen e datës 14 prill 2016.
Atë kohë burimet thanë se konflikti dyshohej të kishte ndodhur për shkak të një borxhi të pakthyer. Çifti u fejua dhe pas largimit nga policia, krijuan jetën e tyre familjare, duke nisur edhe një biznes privat, me veshmbathje. Në këtë biznes ishin të vetëpunësuar ish-policja Dea dhe motra e Santiagos.
Në një prononcim për gazetën Panorama, familjarët e Deas, e cila tani do duhet të rrisë e vetme dy fëmijët e saj të mitur, tregojnë se Santiago i kishte lënë pas historitë e vjetra dhe i ishte futur rrugës së fesë, duke u bërë një besimtar mysliman i devotshëm dhe familjar i devotshëm për dy fëmijët e tij.
Një dramë për një vajzë të re në moshë, e cila mbeti pa krahun e saj të djathtë, bashkëshortin dhe e vetme të përballojë sakrificat e rritjes së dy fëmijëve të mitur, ku djali ishte aq i vogël sa nuk arriti as ta njihte mirë të atin, ndërsa vajza do e mbajë mend gjithnjë fytyrën e tij siç e ka njohur deri dje.