Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalimit të tij të mbajtur në seancën e sotme parlamentare, ka hequr një paralele midis krizës së tanishme politike dhe kërkesave të artikuluara nga opozita e bashkuar joparlamentare për largimin e tij nga posti, për krijimin e një qeverie tranzitore dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, me situatën që i parapriu marrëveshjes së 17 majit të vitit 2017, kur Partia Demokratike bojkoti Kuvendin dhe vendosi të ngrejë çadra para godinës së Kryeministrisë.
“Kjo që po ndodh nuk është as e pa ndodhur as e papritur, madje kjo është seria e dytë e filmit që ka filluar dy vite më parë, e mbajnë mend kur të njëjtën njerëz udhëhequr nga i njëjti zjarrvënës, Berisha dhe i drejtuar nga i njëjti llafazan dembel Basha, ikën nga Kuvendi për të mos votuar vetingun dhe u mbyllën në bunker plastmasi poshtë dritares së zyrës sime, nuk hyjmë në zgjedhje, nuk lëmë zgjedhjet e me radhë strofat e të njëjtës këngë nga e njëjta pllakë gramafoni ‘la voce del padron’.”- u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se ngjashëm me tani, asokohe zgjedhjet kërkohej të shtyheshin përtej afatit që Kushtetuta i garanton presidentit bazuar në Kodin Zgjedhor. “E mbajnë mend se sa shumë i jam lutur Bashës dhe si u bë në minutën më të fundit marrëveshje, mori gjithçka me kusht që të dilnin nga bunkeri i plastmasit të votonin vetingun dhe të mos kontestonin rezultatin e zgjedhjeve dhe të mos shanin në gjuhë të huaj vendin. Nuk e di a i mbajnë mend që i shtymë zgjedhjet brenda afatit që Kushtetuta i lejon Presidentit bazuar në Kodin Zgjedhor, u kërkua të shtyheshin përtej afatit dhe miqtë ndërkombëtarë që u përpoqën të ndërmjetësonin ishin shumë dakord me këtë, por unë jo, se isha i bindur se kur politikanët i lejojnë vetes shkelje të tilla humbet populli, demokracia, shteti i së drejtës dhe shkelja kthehet nga një gjoja përjashtim për rast të jashtëzakonshëm, në rregull që bëhet i zakonshëm.”- tha shefi i ekzekutivit.