
Në një intervistë për BBC, kryeministri Edi Rama ka folur për protestat në vend dhe zhvillimet e fundit politike, duke i cilësuar tubimet si një tregues të një shoqërie demokratike dhe të shëndetshme.
Sipas BBC-së, Rama u pyet nëse qytetarët duhet të shqetësohen për integritetin e tij dhe të qeverisë, ndërsa ai theksoi rëndësinë e pavarësisë së sistemit të drejtësisë.
“E kam thënë që nga dita e parë: dua një drejtësi që nuk duket majtas, nuk duket djathtas, por duket drejt. Një drejtësi që nuk mund të blihet, nuk mund t’i ushtrohet presion dhe nuk mund të kontrollohet nga distanca”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se reforma në drejtësi përbën një nga kontributet më të rëndësishme të Partisë Socialiste për vendin.
“Ky është kontributi më i madh që Partia Socialiste do t’i japë këtij vendi, sepse nuk do të kontribuojë vetëm duke bërë reforma, por duke i dhënë lëkurën e vet vendit”, u shpreh kryeministri.