Zëdhënësja koordinuese e KE, në një prononcim për mediat është shprehur se: “Komisioni Europian është në dijeni për votimin e parlamentit holandez për të pezulluar udhëtimin pa viza me Shqipërinë, por nuk ka marrë asnjë kërkesë për pezullim”.
Ndërkohë parlamenti holandez vendosi të martën t’i kërkojë komisionit të pezullojë udhëtimin pa viza me Shqipërinë.
“Komisioni është i vetëdijshëm për mocionin që kaloi dje në parlamentin hollandez, por ekziston një procedurë specifike që është për mekanizmin e pezullimit të vizave dhe deri më sot nuk kemi marrë asnjë njoftim nga asnjë shtet anëtar që kërkon një gjë të tillë” tha Natasha Bertaud.
Ministri i Jashtëm holandez Stef Blok, thuhet se u tha ligjvënësve para votimit se ai nuk po planifikonte të bindë Brukselin për të risjellë vizat për shqiptarët.
Sipas njoftimeve të medias, masa për rikthimin e vizave ishte motivuar nga veprimtaria e grupeve kriminale të lidhura me Shqipërinë.