Policia e Kurbinit ka vënë në pranga tre shtetas për kryerjen e veprës penale të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, për arsye se kalonin automjete jashtë kushteve teknike në këmbim të ryshfetit në pikën e kolaudimit të makinave të qytetit të Laçit. Ndërkohë, specialistët e krimit ekonomiko-financiar në Drejtorin e Policisë së Lezhës, në kuadër të këtij operacioni i koduar “Kolaudimi”, ka shpallur në kërkim si të dyshuar edhe dy persona të tjerë.
Të arrestuar kanë mbetur 22-vjeçari Santiljano Keci dhe i ati, 50-vjeçari Ndue Keci, të cilët vepronin që të dy si sekserë. Sakaq, nuk janë bërë të ditura ende gjeneralitetet e të arrestuarit të tretë, që identifikohet vetëm nëpërmjet inicialeve I.D, 49 vjeç. Ndaj këtyre personave të ndaluar ka pasur është dhënë masa e sigurisë “arrest me burg” nga Gjykata e Shkallës së Parë të Kurbinit.
Ndërsa për personat e shpallur në kërkim, 47-vjeçari D.A. nga Laçi dhe 33-vjeçari Gj.A. nga Lezha, është dhënë gjithashtu e njëjta masë sigurie respektivisht për veprat penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm” dhe “shpërdorim detyre”.