Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në konferencën për median me homologun e tij të Çekisë, z. Jan Hamace, u shpreh se do merrem masa për luftën ndaj grupeve kriminale që nuk janë vënë para drejtësisë.
“Ne jemi të interesuar dhe të shqetësuar edhe për perceptimin publik që nuk është në nivelin maksimal. Ne do ta adresojmë perceptimin publik. Do të marrim masa të forta për të thelluar luftën ndaj atyre grupeve kriminale që nuk janë vënë para drejtësisë. Për arsye të punës nevojitet dokumentimi i plotë i veprimtarisë kriminale”, tha ai.
Sipas Lleshajt, për të goditur nga të gjitha krahët strukturat e mbijetuara të krimit në Shkodër, do të bëhet një qasje e integruar.
“Do të bëhet një qasje e integruar që strukturat ende të mbijetuara të krimit në qarkun e Shkodrës të marrin një goditje nga të gjitha krahët, në mënyrë që ky fenomen dhe kjo pasiguri e krijuar për shkak të veprimtarisë së këtyre grupeve të marrë fund njëherë e mirë në Shkodër, Elbasan e gjetiu”, deklaroi Lleshaj.