
Aktorja e njohur Mila Kunis, 42 vjeç, ka folur hapur për marrëdhënien e saj me bashkëshortin Ashton Kutcher gjatë një interviste në emisionin The Drew Barrymore Show.
Ajo tha se një nga arsyet kryesore të suksesit të martesës së tyre është fakti që ata janë njohur që në adoleshencë dhe kanë kaluar faza të ndryshme të jetës së bashku.
“Jam martuar me shokun tim më të mirë. Kur u ribashkuam, unë isha 27 vjeç dhe tashmë një njeri shumë ndryshe nga ajo që isha në të 20-at apo 19-at e mia. Njerëzit ndryshojnë dhe evoluojnë,” u shpreh Kunis.
Ajo theksoi se fakti që ajo dhe Kutcher kanë kaluar së bashku periudha të mira dhe të vështira që në moshë të re, ka krijuar një bazë të fortë besimi mes tyre.
“Ai më ka njohur në çdo fazë të jetës sime dhe unë po ashtu. Nuk ka sekrete mes nesh. Themeli ynë është respekti,” tha aktorja.
Kunis shtoi se kjo histori e gjatë njohjeje e ka bërë më të lehtë përshtatjen me fazat e ndryshme të jetës bashkëshortore, duke theksuar se mes tyre ekziston një mirëkuptim i thellë dhe besim i ndërsjellë.
“Ne e dimë që mund të rritemi dhe të ndryshojmë, por gjithmonë do të rritemi bashkë,” tha ajo.
Mila Kunis dhe Ashton Kutcher u njohën fillimisht në vitin 1998 gjatë xhirimeve të serialit të njohur That ’70s Show, ku luanin bashkë, por lidhja romantike mes tyre filloi vite më vonë, në vitin 2012. Çifti u martua në vitin 2015 dhe kanë dy fëmijë së bashku.