
Dasma e shumëpritur e Taylor Swift dhe Travis Kelce duket se është më afër se kurrë. Lajmin e ka lënë të kuptohet George Kittle, bashkëthemeluesi i eventit sportiv Tight End University dhe mik i afërt i çiftit.
Në një intervistë për People, Kittle u shpreh se prania e këngëtares në aktivitetin e këtij viti ishte edhe më e veçantë për shkak të afërsisë së ceremonisë së martesës.
“Ajo është një njeri i mrekullueshëm që gjeti kohë të ishte me ne kaq pranë dasmës së tyre. Jemi shumë mirënjohës që erdhën,” tha ai.
Kittle tregoi gjithashtu se Taylor kaloi kohë me familjen e tij gjatë aktivitetit, duke biseduar edhe me nënën e tij.
“Është po aq e sjellshme sa edhe e talentuar. Ishte kënaqësi ta kishim pranë,” shtoi ai.
Gjatë koncertit Tight Ends & Friends në Nashville, Taylor Swift surprizoi të pranishmit duke u ngjitur në skenë dhe interpretuar hitin e saj të vitit 2008, “Love Story”, së bashku me këngëtaren country Lainey Wilson.
Në një moment që nuk kaloi pa u vënë re, Taylor shfaqi unazën e saj të fejesës nga Travis Kelce pikërisht te vargu i këngës ku përmendet propozimi për martesë.
Ndërkohë, miq të çiftit, Kyle dhe Kristin Juszczyk, e krahasuan ceremoninë e ardhshme me një “dasmë mbretërore”.
“Të gjithë janë jashtëzakonisht të lumtur për ta. Ne e njohim Travis prej kohësh dhe jemi të lumtur që ai ka gjetur personin e duhur,” u shpreh Kristin.
Sipas raportimeve të Page Six, Taylor Swift dhe Travis Kelce pritet të martohen gjatë fundjavës së 3 korrikut në Madison Square Garden në New York.
Burime pranë çiftit bëjnë të ditur se organizimi i ceremonisë është në duart e organizatorit të njohur të dasmave të personazheve të famshëm, Mark Seed, i cili po punon prej muajsh për këtë event.
Taylor Swift dhe Travis Kelce janë në një lidhje që prej vitit 2023, ndërsa sportisti i propozoi martesë verën e kaluar në një ceremoni private dhe luksoze.