
Dy ditë më parë, në kulmin e krizës më të madhe politike që ka përjetuar gjatë 14 viteve në pushtet, Edi Rama u prit në Paris nga Presidenti francez Emmanuel Makron. Fotografitë e takimit, me shtrëngim të çuditshëm duarsh, buzëqeshje dhe rrahje shpatullash, u përdorën nga kryeministri shqiptar si një mesazh i qartë se mbështetja ndërkombëtare ndaj tij mbetet e fortë pavarësisht protestave që prej javësh mbushin rrugët e Tiranës.
Por vetëm dy ditë më pas, në Tiranë zbarkon një tjetër emër i madh i politikës franceze, ish-presidenti François Hollande.
Zyrtarisht, Hollande ndodhet në Shqipëri me ftesë të Kolegjit të Europës në Tiranë. Megjithatë, koha e vizitës dhe intensiteti me të cilin qeveria shqiptare po shfaq afërsinë me figurat më të rëndësishme të politikës franceze ngre të paktën një pikëpyetje.
A është kjo thjesht një koincidencë?
Apo Franca është kthyer në aleatin e fundit dhe më të rëndësishëm ndërkombëtar të Edi Ramës në një moment kur ai po përballet me protestat më të gjata dhe më të mëdha të qeverisjes së tij?
Në javët e fundit, kryeministri shqiptar është vënë nën presion jo vetëm nga protestat e përditshme në Tiranë, por edhe nga kritikat e Parlamentit Europian për çështjen e zonave të mbrojtura dhe projektetin super kontrovers të Zvërnecit. Aleatët e tij tradicionalë ndërkombëtarë, mediat prestigjoze, OJF-të e majta, liderët politikë, në mos shuplaka, i kanë servirur vetëm heshtje Ramës. Prandaj në këtë klimë, pamjet e takimit me Makronin më shumë se një takim diplomatik i ngjante një sinjali politik.
Tani, me ardhjen e François Hollande në Tiranë, vëmendja rikthehet sërish te Parisi.
Makron është një nga dy liderët më të fuqishëm të Bashkimit Europian, ndërsa François Hollande mbetet një figurë me peshë të konsiderueshme në politikën franceze dhe europiane. Fakti që brenda pak ditësh dy Presidentë francezë, njëri në detyrë dhe tjetri ish-President, shfaqen në axhendën politike të Ramës, nuk mund të kalojë pa ngritur minimalisht pikëpyetje.
Në politikë (e sidomos në momente krize) simbolika shpesh vlen po aq sa edhe përmbajtja. Dhe simbolika e këtyre ditëve duket e qartë. Ndërsa në Tiranë mijëra protestues kërkojnë largimin e tij, Edi Rama po kërkon të tregojë se në Paris vazhdon të ketë dyer të hapura.
Pyetja që mbetet është nëse kjo është thjesht diplomaci rutinë apo një shenjë se Franca është sot mbështetësi më i rëndësishëm ndërkombëtar që i ka mbetur kryeministrit shqiptar. Fundja, nga Franca erdhi Rama, në vitin tashmë të largët 1998, ku nga një personazh i kafeneve të Sakre Kër (siç e përshkruante veten në librin e tij Kurban), erdhi dhe mori menjeherë detyrën e ministrit në Tiranë. ©LAPSI.AL