Flash

Komentatori përjashtohet nga Botërori pas shpërthimit në transmetim direkt: “Arbitër hajdut, FIFA bij kur*ash…”

Komentatori Vera i kaloi kufijtë e edukatës dhe profesionalizmit, duke e quajtur arbitrin salvadorian Ivan Barton “hajdut”, ndërsa FIFA-n “bij kurvash” dhe “hajdutë të qelbur”.

Lapsi.al 24 June 2026

Botërori i futbollit ka përfunduar tashmë për Jorge “Chipi” Vera, komentator i televizionit paraguaian ABC. Gazetari 37-vjeçar, shumë i njohur në vendin e tij, me pothuajse 20 vite përvojë, gjatë të cilave ka mbuluar ngjarje të mëdha ndërkombëtare, humbi plotësisht kontrollin gjatë komentimit direkt të ndeshjes së javës së dytë mes Paraguait dhe Turqisë. Formacioni amerikano-jugor fitoi, por me shumë vuajtje për shkak të përjashtimit të Miguel Almiron në fundin e pjesës së parë. Ishte pikërisht ai moment kur Vera i kaloi kufijtë e edukatës dhe profesionalizmit, duke e quajtur arbitrin salvadorian Ivan Barton “hajdut”, ndërsa FIFA-n “bij kurvash” dhe “hajdutë të qelbur”.

Jorge “Chipi” Vera humb kontrollin gjatë komentimit të Turqi-Paraguaj

Nuk bëhej fjalë për një shpërthim që zgjati vetëm pak sekonda, por për një akuzë vulgare që vazhdoi për disa minuta, pa asnjë frenim. FIFA, në mënyrë të kuptueshme, nuk e priti mirë dhe i tërhoqi akreditimin të dërguarit paraguaian. Ngjarja ndodhi të shtunën në mbrëmje, kur Paraguai ishte në avantazh 1-0 ndaj Turqisë dhe Almiron pati idenë e keqe, për të mos thënë ndryshe, të mbulonte gojën me dorë për t’i thënë diçka jo fort të këndshme një kundërshtari, pa iu lexuar lëvizja e buzëve. Mesfushori i Atlanta United u bë kështu, pas ndërhyrjes së VAR-it që kishte vënë re gjithçka, futbollisti i parë i përjashtuar për zbatimin e rregullit të ri të futur që nga ky Botëror, pas fyerjeve raciste të Prestianni ndaj Vinicius gjatë Benfica-Real Madrid në Champions League.

Almiron u përplas me një kundërshtar, më pas mbuloi shkurtimisht fytyrën me dorë teksa kalonte pranë turkut Mert Muldur, i cili menjëherë u përpoq të tërhiqte vëmendjen e arbitrit. I thirrur nga VAR-i, Barton shkoi te monitori për rishikimin në fushë dhe, pasi pa pamjet, i tregoi Almiron kartonin e kuq direkt, në bazë të një rregulli të ri të futur nga FIFA.

Kaq mjaftoi që “Chipi” Vera të çmendej në transmetim direkt, duke sulmuar në mënyrë brutale Bartonin, Infantinon dhe FIFA-n: “Hajdut, hajdut, Barton!”, “E keni vrarë futbollin!”, “FIFA, e keni vrarë futbollin!”, “Infantino, ti je përgjegjës për këtë!”.

Dhe më tej: “FIFA, merr përgjegjësinë që e ke kthyer futbollin në këtë gjë! Turp. Duhet të të vijë turp, Infantino!”, “Hajdutë të qelbur! Këtë duhet të vijmë të shohim në Botëror?”, “Çfarë bij kurvash! Kjo është e pashpjegueshme, kjo është turp!”, “Po e shkatërrojnë futbollin dhe na lënë me një lojtar më pak. Bij kurvash!”.

Videoja e ndjesës së gazetarit paraguaian

Vera më pas kërkoi falje me një video të gjatë në rrjetet e tij sociale, ku zbuloi se akreditimi i tij për Botërorin ishte revokuar, duke ia pamundësuar kështu të ndiqte nga kabina e komentimit ndeshje të tjera të turneut: “Në orët e fundit i kam dërguar një letër FIFA-s, duke shprehur kërkimfaljen time të sinqertë për atë që ndodhi. Do të doja të kisha mundësinë ta bëja këtë personalisht dhe të shpjegoja vetë, me respekt dhe ndershmëri, çfarë ndodhi atë natë. Është e vërtetë se secili do të ketë mendimin e vet për sanksionin. Disa do ta konsiderojnë të drejtë, të tjerë të tepruar dhe joproporcional. Por sot nuk dua të përqendrohem te kjo, dua të përqendrohem te përgjegjësia ime si komunikues dhe si person”.

Në atë pikë, gazetari paraguaian vijoi me një listë të gjatë kërkimfaljesh: “Dua t’i kërkoj falje publikut të ABC Cardinal, ABC TV dhe të gjitha platformave tona, që çdo ditë besojnë te puna jonë. I kam zhgënjyer në diçka themelore: ruajtjen e qetësisë dhe respektit që kërkon kjo profesion. Dua t’u kërkoj falje edhe kolegëve të mi, atyre që ndanë me mua këtë ëndërr për të ndjekur një Botëror dhe që, në një mënyrë ose në një tjetër, u prekën nga një situatë që e krijova unë. E di se tani e tutje do të vazhdojnë të punojnë edhe më fort për ta çuar deri në fund këtë mbulim që e kemi ëndërruar dhe planifikuar prej muajsh. Mirënjohja dhe respekti im për secilin prej tyre”.

“Dëshiroj gjithashtu t’u kërkoj falje kompanive dhe markave që e mbështetën këtë projekt dhe i besuan këtij mbulimi gazetaresk. E di se kjo situatë u ka shkaktuar një shqetësim që nuk duhej të kishte ekzistuar kurrë dhe më vjen thellësisht keq që kam kontribuar në të – vijoi Vera. Autoriteteve të FIFA-s dhe të gjithë personave që mund të jenë ndier të ofenduar nga deklaratat e mia, u drejtoj kërkimfaljen time më të sinqertë. Dhe mbi të gjitha, dua t’i kërkoj falje familjes sime dhe atyre që më duan. Nuk kam qenë një shembull i mirë në ato pak sekonda”.

Televizioni paraguaian ABC i kërkon FIFA-s ta “falë” Verën dhe ta rikthejë në Botëror

Nga ana e tij, edhe rrjeti ABC Cardinal komentoi situatën, duke i kërkuar FIFA-s të tërheqë vendimin dhe t’i lejojë Verës të vazhdojë të ndjekë Botërorin në komentim: “Mendojmë se revokimi i përhershëm i akreditimit për gjithë kohëzgjatjen e turneut përbën një sanksion ekstrem dhe dukshëm joproporcional për një shkelje që u pranua menjëherë, për të cilën u ofruan kërkimfalje formale dhe mekanizma konkretë riparimi. Kërkimfaljet janë paraqitur, gabimi është pranuar dhe masa korrigjuese janë marrë menjëherë. Korrigjimi i gabimeve është i nevojshëm. Ashtu siç është e nevojshme të garantohet që sanksionet të jenë të arsyeshme, proporcionale dhe të përputhshme me parimet themelore të drejtësisë. Asnjë sanksion nuk duhet të komprometojë një karrierë profesionale mbi bazën e një episodi të vetëm, për më tepër të pranuar dhe të korrigjuar. Kemi besim se FIFA do ta rishikojë vendimin e saj dhe se, përmes proporcionalitetit dhe dialogut, do të arrihet drejtësia”.

 

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

94.26

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI