
Aktori Joe Manganiello ka zbuluar detaje të reja nga beteja e tij e gjatë me një sëmundje misterioze, të cilën e mbajti të fshehtë për gati një dekadë.
Në një video të publikuar në Instagram, aktori i “True Blood” tregoi se vuajti në heshtje nga një gjendje e rëndë shëndetësore, për të cilën as mjekët më të mirë nuk arritën të gjenin një shpjegim të qartë.
“Vuajta në heshtje duke luftuar me një sëmundje vdekjeprurëse misterioze. Vetëm një rreth i ngushtë njerëzish e dinte se çfarë po kaloja”, tha aktori.
Manganiello zbuloi se trajtimet e shumta mjekësore jo vetëm që nuk e ndihmuan, por në disa raste ia përkeqësuan gjendjen dhe shkaktuan efekte anësore të rënda që e shoqëruan për vite me radhë.
Ai tregoi gjithashtu se iu nënshtrua operacioneve dhe procedurave serioze, të cilat i lanë pasoja fizike dhe e dobësuan aq shumë sa në periudha të caktuara nuk mund të ecte apo të qëndronte në këmbë.
Aktori 49-vjeçar tha se kaloi muaj të tërë nën medikamente të forta, ndërsa përballej me dhimbje kronike të vazhdueshme.
Përvoja e tij do të rrëfehet më gjerësisht në librin autobiografik “Bloodlines”, i cili pritet të publikohet më 13 tetor. Në të, Manganiello flet për kërkimin e përgjigjeve rreth sëmundjes së tij, historinë familjare dhe metodat alternative që provoi në përpjekje për t’u shëruar.
Sipas aktorit, shpresa ekziston edhe në momentet më të vështira.
“Nëse po vuani, ka shpresë,” u shpreh ai në mesazhin e tij për njerëzit që po përballen me sfida të ngjashme shëndetësore.