Zgjedhjet presidenciale në Sllovaki kanë tërhequr vëmendjen në mbarë Europën. Edhe në këtë rast triumfoi një emër jashtë partive tradicionale që për dekada të tëra kishin transferuar pushtetin nga një krah në tjetrin. Në krye te vendit sllovakët zgjodhën një avokate dhe aktiviste të njohur për luftën e saj kundër korrupsionit Zuzana Čaputová.
Ky zhvillim ka shtyrë ish-nënkryetarin e PD-së Astrit Patozi të ngrejë pyetjen: “Ku ndryshojmë ne nga sllovakët?”. Në një postim në rrjetet sociale, Patozi ironizon 3 partitë kryesore në vend që edhe pse duket sikur janë duke u vrarë, kanë hallin e pushtetit të tyre.
“Nuk ka nevojë patjetër për revolucion që të sjellësh ndryshimin, le më pastaj që të bësh sikur, si tek ne, e të presësh realisht frute prej tij. Shiko se si sllovakët, fare pa zhurmë, vendosën qartazi kundër kastës, që ua kish sjellë për gati 30 vjet në majë të hundës.
Ndërsa në Shqipëri po bëhet nami që të mos kemi mundësi tjetër për të zgjedhur, përveçse njërin prej 3 oligarkëve politikë, në mos të tre njëherësh. Sepse ata janë të gatshëm ta ruajnë dhe ta mbajnë njëri-tjetrin edhe atëherë kur ngjajnë se janë duke u vrarë dhe prerë me shoshoqin.
Diferenca është e thjeshtë: ata votojnë qetësisht për ndryshimin, ndërsa ne bëjmë luftë për vazhdimësinë” – shkruan Patozi në Facebook.
Čaputová u bë e para grua, Presidente e Sllovakisë. Ajo kishte një eksperiencë politike të paktë, por kjo nuk ndikoi që ajo të mposhte në garën elektorale diplomatin e profilit të lartë Maroš Šefčovič, i emëruar nga partia në pushtet.
Ajo i cilësoi zgjedhjet si një betejë mes së mirës dhe së keqes, nisur nga fakti se u mbajtën rreth një vit nga vrasja e gazetarit investigativ Ján Kuciak i cili po hetonte lidhjet mes qeverisë dhe krimit të organizuar. Čaputová është 45 vjeç, e divorcuar dhe nënë e dy fëmijëve. Ajo është anëtare e partisë Sllovakia Progresiste, por që nuk ka asnjë mandat në Parlament. ©LAPSI.al