Pas një takimi me strukturat në Shkodër, Lulzim Basha deklaroi se nuk do të komentojë deklaratat e sotme të delegacionit të Parlamentit Europian në Tiranë.
Sipas këtij delegacioni, kriza politike mund të dëmtojë hapjen e negociatave dhe se djegia e mandatave nuk është rruga për zgjidhjen e problemeve.
Delegacioni theksoi se parlamenti dhe zgjedhjet janë legjitime, pavarësisht rasteve të provuara të blerjes së votës, raste të izoluara sipas tyre.
“Nuk komentoj kurrë deklaratat e miqve të huaj. Kemi 3 dekada që udhëtojmë drejt Evropës.
Ky është një rrugëtim i dhimbshëm, por është rruga e vetëm që do ta çojë Shqipërinë në Evropë dhe drejt mirëqenies. Në këtë rrugëtim është radha jonë të bëjmë këtë sakrificë sepse ne luftojmë për vlerat e Evropës.
Rrugën drejt Evropës e pengon krimi dhe korrupsioni. Nuk shkohet me gënjeshtra, por me vlera. Pengesa kryesore për integrimin në BE është Shqipëria si Kolumbia” - u shpreh Basha.