Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, ka dalë sot para mediave për të komentuar deklaratat e eurodeputetëve, pjesë e delegacionit të PE. Sipas Spiropalit, opozita po dëmton imazhin e Shqipërisë në sytë e botës.
“Njerëz të dëshpëruar që bëjnë gjëra të dëshpëruara. Sipas tyre Shqipëria qenka shtëpia e shqiptarëve dhe eurodeputetët qenkan turistë me vështrim të turbulluar. Ata po e bëjnë copë Shqipërinë në sytë e botës në skenat turpshme të goditjes me kokë të mureve të institucioneve. Gjynah! Shqipëria e shqiptarët nuk e meritojnë. Për hir të karrierës së Lulzim Bashës dhe frikës që ka nga drejtësia.Sillet si ndonjë organizatë e PPSH në ndonjë fshat i humbur. Është momenti për të qenë bashkë dhe jo rasti për të bërë kamikazin që të hidhet në erë procesi i negociatave. Opozitën nuk e zgjedhim ne, jemi këtu për dorën e shtrirë”, deklaroi ministrja Spiropali.
Më tej, Spiropali shtoi se delegacioni i PE foli troç, duke rrëzuar pretendimet për qeveri tranzitore. Ajo ka kërkuar reflektim të deputetëve.
“Eurodeputetët kanë kuptuar mirë çdo aspekt të progresit të vendit. E dinë se kemi shumë për të bërë. Delegacioni i tyre foli troç fare duke rrënuar pikë për pikë çdo pretendim absurd për qeveri tranzitore e zgjedhje ilegjitime. Nocioni i qeverisë është tranzitore i pajustifikueshëm. Shqipëria ka bërë shumë rrugë drejt normalitetit dhe progresit dhe e ardhmja e saj nuk mund të merret peng. I bëj thirrje kolegëve deputetë të reflektojnë”, theksoi Spiropali.