Flash

Droga/ Pse Edi Rama e mban ende ministër Saimir Tahirin

Lapsi.al 20 September 2016
Droga/ Pse Edi Rama e mban ende ministër Saimir Tahirin

Nga Enver Robelli                                                                Në qershor të vitit 2014 Shqipëria u bë temë në mediumet ndërkombëtare. Një njësi policie u dërgua në Lazarat, fshatin e famshëm të drogës afër Gjirokastrës, për të kapur krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës me narkotikë. «Lazarati, fshati shqiptar i drogës, mbrohet me armë», shkroi «Der Spiegel». «Policia shqiptare rrethon ‹kryeqytetin e kanabisit› të Europës», njoftoi «Die Welt». «Luftë në mbretërinë e kanabisit», njoftonte «20 Minuten» nga Zvicra.

 

Kanë kaluar më shumë se dy vjet nga ky aksion që dukej spektakular, por Shqipëria nuk po arrin të dalë nga rrethi vicioz i krimit dhe tregtisë me drogë. Javën që shkoi afër Durrësit, në plazh, aterroi një avion i vogël, që drejtohej nga një pilot italian, i cili më parë në vendin e tij kishte probleme me drejtësinë. Në maj të vitit 2014 një avion tjetër kishte aterruar në Divjakë. Në vazhdën e hetimeve u zbulua se piloti planifikonte të trafikonte një sasi mariuane në drejtim të Italisë. Mediumet italiane vazhdimisht shkruajnë për «urën ajrore të drogës» nga Shqipëria drejt Italisë. Qyteti i Torinos përshkruhet si qendër e aktiviteteve kontrabanduese. Në maj të këtij viti në Torino u zbulua një avion që bartte drogë nga bregdeti shqiptar.

 

«Vrau kushëririn për kanabisin», njoftonte të hënën një portal lajmesh nga Tirana. Dhe vazhdonte me një seri lajmesh të kësaj natyre: «Trafik droge në kufirin e Qafë-Thanës…», «Kapet 1 ton hashash shqiptar në Brindisi…». Sipas një raporti të policisë italiane Lazarati ka prodhuar deri në 900 tonelata kanabis në vit. Në tregun e zi vlera e kësaj sasie droge arrin në 4,5 miliardë euro.

 

Fitimi aq i madh nga kanabisi shpjegon edhe arsyen e lulëzimit të këtij biznesi në Shqipëri, prej të cilit përfitojnë edhe të dy partitë e mëdha politike – e ashtuquajtura Parti Socialiste dhe e ashtuquajtura Parti Demokratike. Klane të fuqishme të drogës, falë potencës financiare, kontrollojnë politikanë të rangut të lartë dhe ushtrojnë ndikim në zona rurale. Sidomos para zgjedhjeve partitë lidhin pakte me baronë droge. Në jo pak raste njerëz me dosje të trasha kriminale (dilerë droge, trafikantë njerëzish) kandidohen për deputetë. Kësisoj tempulli i demokracisë shqiptare degradohet në një fole të sigurt për krerë të krimit të organizuar.

 

Polarizimi ekstrem i politikës shqiptare e bën të pamundshëm një pajtim parimor mbi domosdoshmërinë e luftës kundër tregtisë me drogë. Nganjëherë krijohet përshtypja se opozita godet pushtetin nga xhelozia që ai po fiton para të majme nga kontrabanda me drogë. Pas 4 vitesh apo 8 vitesh, kur opozita (pa marrë parasysh a është «demokrate» apo «socialiste») do të vijë në pushtet, do të përsëritet rituali i njëjtë i akuzave dhe kundërakuzave.

 

Ndërkohë shqiptarët e ndershëm – dhe të tillë janë shumica – vazhdojnë të trishtohen në apatinë e tyre përballë kësaj situate. Sllogani i «Rilindjes», i propaganduar me agresivitet nga Edi Rama, e ka humbur kuptimin, sepse artisti në postin e kryeministrit nuk u shqua si politikan që merr vendime të vështira. Ekziston një hendek i madh mes dukjes, performansës, fotografive të ditës, defilimeve në Twitter dhe Facebook, dhe veprimeve reale politike.

 

Dështimi i kësaj qeverie shihet sidomos në luftën kundër trafikantëve të drogës. Fakti që pas të gjitha këtyre skandaleve ministri i Brendshëm vazhdon të mbajë postin, tregon se fuqia e nëntokës ende dridh themelet e shtetit shqiptar– dhe para kësaj fuqie Edi Rama preferon të qeverisë Shqipërinë me shënime në mediat sociale dhe jo me aksione të ashpra kundër dilerëve të drogës. 

 

Për opozitën nuk duhet humbur shumë fjalë: ajo e ka diskredituar veten aq shumë sidomos gjatë mandatit të dytë, andaj e ka tepër të vështirë të fitojë besimin e shqiptarëve. 

 

Kësisoj Shqipëria rrezikon të konsiderohet si shtet i dështuar, ku lirisht mund të aterrojnë avionë italianë dhe të ngarkohen me drogë. Humbja e besimit në politikanë, bindja e shumë njerëzve se politika është vetëm sinonim i krimit, tolerimi i konrabandës me narkotikë mund të çojnë në thellimin e krizës në Shqipëri. Dhe si mund të përfundojë një krizë e tillë e kemi parë në vitin 1997. Për të evituar degradimin e mëtutjeshëm të vendit duhet të ketë politikanë të përgjegjshëm. A ka të tillë? 

 

Të këshilluara

Ku gaboi Shqipëria e De Biasit?

Nga Sulejman Starova/ Ishte një ndeshje paradoksale sa i përket lojës që zhvilluam dhe rezultatit që morëm. Shqipë...

11:39

ide

Plaku me bastun, si antimodeli ndaj një pushteti të shurdhët

Ndarja e re teritoriale përpos problemeve të diskutueshme me pakësimin e bashkive po vërteton se kjo qeverisje e degraduar nuk ka më as vullnet as nerva për të dëgjuar qytetarët. Prandaj rruga e vetme e komunikimit me të mbetet ajo e ngritjes së shkopit

16:34 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

22°c

KËMBIMI EURO

92.53

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI