Flash

Zvicra hap dosjet e nazistit Josef Mengele/ Dyshohet se vizitoi vendin gjatë arratisë

Lapsi.al 10 September 2026

Një nga kriminelët më famëkeqë të luftës naziste, Josef Mengele, është rikthyer në qendër të vëmendjes pasi Shërbimi Federal i Inteligjencës Zvicerane publikoi një dosje të klasifikuar prej 200 faqesh mbi mjekun gjerman të njohur si "Engjëlli i Vdekjes" për eksperimentet e tij të tmerrshme mjekësore mbi të burgosurit në kampin e vdekjes të Aushvicit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Mengele shërbeu në Aushvic, në Poloninë e pushtuar nga nazistët, ku u vranë rreth 1.1 milion njerëz, nga të cilët rreth 1 milion ishin hebrenj.

Atje, ai u bë i njohur për eksperimentet çnjerëzore që kreu mbi të burgosurit, përfshirë fëmijët, të cilat i paraqiti si kërkime shkencore. Veprimet e tij konsiderohen ndër shembujt më karakteristikë të krimeve kundër njerëzimit të kryera nga regjimi nazist.

Dokumentet e reja dhe misteri i Zvicrës

Pas disfatës së Gjermanisë naziste, Mengele arriti të arratisej duke përdorur një dokument udhëtimi të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar me informacione të rreme.

Ashtu si shumë ish-zyrtarë nazistë, ai u fsheh për vite me radhë në Amerikën Latine, ndërsa ishte në kërkim ndërkombëtar për krimet e tij. Ai vdiq në vitin 1979 në Brazil, kur u mbyt teksa notonte pranë brigjeve të vendit.

Megjithatë, dokumentet e reja të publikuara nga autoritetet zvicerane përfshijnë materiale që i ishin dorëzuar policisë dhe lënë të hapur mundësinë që Mengele të ishte kthyer në Zvicër pasi ishte arratisur nga Gjermania ose të kishte planifikuar të hynte në vend duke përdorur një emër tjetër.

Sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA, ky informacion kishte qenë me interes për historianët të cilët ishin përpjekur për vite me radhë të përcaktonin nëse Mengele hyri në Zvicër teksa kërkohej si kriminel lufte pa u zbuluar nga autoritetet.

Autoritetet zvicerane kishin vendosur që dokumentet të mbeteshin sekrete deri në vitin 2071, duke përmendur arsye sigurie dhe nevojën për të mbrojtur të dhënat personale të personave të përmendur në dosje.

Megjithatë, ky vendim u kundërshtua në gjykatë nga historiani Gerard Wettstein, i cili apeloi në Gjykatën Federale Administrative të Zvicrës dhe ia doli të rrëzonte kufizimet e aksesit.

Pas vendimit të gjykatës, dosjet u postuan në internet, megjithëse disa pjesë janë redaktuar për të mbrojtur burimet e informacionit dhe të dhënat personale të palëve të treta. 

Dosja u përpilua nga Zyra e Prokurorit Federal Zviceran, paraardhësja e agjencisë federale të inteligjencës së sotme.

Materiali u transferua në Arkivat Federale Zvicerane në vitin 2001, ku qëndroi për më shumë se dy dekada përpara se t'u jepej studiuesve.

Publikimi i dokumenteve pritet të ofrojë prova të reja për lëvizjet e Mengeles pas luftës dhe të hedhë më shumë dritë mbi rrjetin e arratisjeve që u lejuan disa kriminelëve nazistë t'i shmangen drejtësisë për vite me radhë.

"Engjëlli i Vdekjes" i Aushvicit mund të ketë vdekur pothuajse gjysmë shekulli më parë, por kërkimi për të vërtetën e plotë rreth rrugëve dhe lidhjeve të tij vazhdon edhe sot e kësaj dite. ©LAPSI.al

Të këshilluara

ide

Ortaku besprerë i Ron Yeffetit

Fabula e përdorimit të sipërmarrëses Arieta Puca, që u promovua nga Rama, për ti hapur rrugën hyrjes në skenë të mikut të tij hebre, përbën realizimin më gjenial të të njëjtit skenar të rilindjes: “Sa më e madhe ëndrra që hidhet në treg, aq më e rëndë është goditja financiare që po përgatitet”

13:41 Andi Bushati

MOTI TIRANA

22°c

KËMBIMI EURO

92.00

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI