Flash

Etna "zgjohet" sërish

Një çarje e re është krijuar në shpatin e vullkanit Etna të Italisë. Siç raportoi observatori lokal i Institutit Ko...

21:55

30 vjet nga vrasja e Tupac Shakur/ Nis gjyqi ndaj një personi të akuzuar

Lapsi.al 17 August 2026

Nisi në Las Vegas gjyqi ndaj një ish-lideri të një bande të akuzuar për orkestrimin e vrasjes së yllit të repit Tupac Shakur në vitin 1996. Gjyqi nisi me dëshminë e një dëshmitari në vendin e ngjarjes dhe një ish-oficeri policie.

Nën akuzë është Duane “Keffe D” Davis, i cili akuzohet për vrasje për rolin e tij në atentatin ndaj Shakur, i cili ndërroi jetë pas një të shtëne me armë nga një makinë në lëvizje. Prokurorët pretendojnë se Davis ishte “komandanti në terren i përpjekjes për të vrarë Tupac”.

Davis është deklaruar i pafajshëm, megjithëse pranoi se kishte rol në të shtënat në një rrëfim të vitit 2019 që autoritetet e kanë quajtur çelës për çështjen ndaj 63-vjeçarit. Ai është dëshmitari i vetëm i gjallë nga makina që qëlloi me armë drejt Shakur.

Javën e kaluar u zgjodh një juri prej 6 burrash dhe 10 grash për gjyqin, i cili pritet të zgjasë rreth 1 muaj.

Davis hyri në sallën e gjyqit me një kostum blu dhe kravatë dhe u hodhi një sy të shpejtë të pranishmëve për të parë se kush ishte aty përpara se të ulej pranë avokatit të tij, Michael Sanft.

Anëtarët e familjes së Shakur, përfshirë vëllain e tij nga babai, Maurice “Mopreme” Shakur, qëndruan në heshtje në rreshtin e parë të sallës së gjyqit, pas prokurorëve.

Binu Palal, zëvendësprokurori i distriktit, i tregoi jurisë një fotografi të ndeshjes me Mike Tyson me datën "7 shtator 1996" dhe një video të shoqëruesve të Shakur duke sulmuar nipin e Davis, Orlando "Baby Lane" Anderson. Vrasja e Shakur ndodhi pas këtij sherri. 

“Le të jemi të qartë, Duane Davis nuk e tërhoqi këmbëzën. Por ai i planifikoi të shtënat në shenjë hakmarrjeje për rrahjen e nipit të tij”, - tha Palal. “Çuditërisht, do ta mësoni këtë nga vetë Duane Davis.”

Palal tregoi disa videoklipe dhe një audio të Davisit duke përshkruar rolin e tij në incident dhe zemërimin ndaj Shakurit për sulmin ndaj nipit të tij.

Ndërsa avokati mbrojtës tha se pas 30 vitesh, hetuesit ende kanë shumë pak prova për të vërtetuar çështjen e tyre. “Në fund të ditës duhet të pyesësh veten, a është ajo që thonë ata e vërtetë apo trillim?” i tha ai jurisë.

Avokati argumentoi se agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit gjatë viteve, përfshirë FBI-në, nuk e ndoqën çështjen sepse nuk besonin se ajo që ai kishte thënë ishte e besueshme.

Gjyqi është një zhvillim i madh për çështjen që për dekada kishte mbetur e pazgjidhur.

Më 7 shtator 1996, ikona e repit u sulmua pranë Las Vegas Strip, teksa po shkonte në një festë. Teksa po udhëtonte me automjet, një Cadillac u ndal pranë makinës së Shakur dhe qëlloi 8 herë. Shakur u shtrua në spital për shkak të plagëve të marra dhe vdiq disa ditë më vonë.

Vrasja e Shakurit ngjalli teori të panumërta konspiracioni, si dhe libra e dokumentarë që kërkonin të përcaktonin se kush ishte përgjegjës për vdekjen e tij. Por një pamje më e plotë e asaj që mund të ketë ndodhur atë natë është shfaqur vitet e fundit, teksa Davis, i cili ishte pasagjeri i fundit që ka mbetur gjallë nga ata që ndodheshin në Cadillac, filloi të fliste publikisht.

Më herët gjatë mbrëmjes, Shakur kishte parë një ndeshje të Mike Tyson në MGM Grand Hotel dhe më pas u përfshi në një konfrontim fizik me nipin e Davis dhe disa të tjerë.

Davis kërkoi hakmarrje dhe dyshohet se siguroi një armë me qëllim që të “ndiqte” Shakurin. 

“Nuk u shkëmbyen fjalë, koha për të folur kishte kaluar, gjithçka kishte filluar! Tupac bëri një lëvizje të çrregullt dhe filloi të shtrihej poshtë sediljes së tij. Ishte hera e parë dhe e vetme në jetën time që mund ta kuptoja urdhrin e policisë: “Mbaji duart aty ku mund t'i shoh”. Në vend të kësaj, Pac nxori një rrip dhe atëherë filluan fishekzjarrët. Një nga djemtë e mi nga sedilja e pasme rrëmbeu Glock-un dhe filloi të kundërsulmonte”, - ka rrëfyer ai.

Prokurorët kanë thënë se libri që tregon gjithçka dhe deklaratat publike të Davisit në fund të fundit e ringjallën hetimin e Las Vegasit.

“Nëse do të kishte vendosur të mos e shkruante kurrë librin, ndoshta nuk do të ishte ndjekur penalisht për krimin”, - tha së fundmi prokurori Marc DiGiacomo.

Avokatët e tij kërkuan ta përjashtonin librin nga gjyqi duke argumentuar se ai dhe bashkautori i tij e ekzagjeruan në një përpjekje për të “vendosur veten në mënyrë të rreme në qendër të të gjithave për përfitime personale”. Një gjykatës e hodhi poshtë kërkesën.

Dëshmitari i parë i thirrur nga prokurorët ishte Garry Dale, një ish-oficer i Las Vegasit i cili ndaloi Shakur natën e të shtënave. Ai tha se e ndaloi makinën sepse nuk kishte targë në pjesën e pasme dhe se bashkëveprimi ishte "i këndshëm". Oficeri tregoi më vonë se si udhëtoi në ambulancë me Shakur pas të shtënave, duke thënë se u përpoq ta bindte reperin të tregonte emrat e sulmuesve të tij, por Shakur u përgjigj: "Jo, ne do të kujdesemi për këtë."

Dëshmitarja e dytë e prokurorëve ishte Ingrid Stokes, një grua që ishte në një makinë me miqtë pranë makinës së Shakur në kohën e të shtënave. Makina e Stokes dhe makina e Shakur po shkonin të dyja në të njëjtin klub, tha ajo. "Dëgjuam të shtënat... u bë ferr," tha ajo. Stokes shtoi se nuk pa se kush ishte në makinë që qëlloi mbi Skakur dhe se më vonë foli me policinë, e cila ishte "e pasjellshme" dhe "na trajtoi si të dyshuar".

Stokes tha se nuk mendonte se kishte ndonjë informacion të vlefshëm për të ndarë me oficerët dhe se ajo dhe shoqet e saj kishin frikë në atë kohë se mos flisnin me oficerët dhe etiketoheshin si "spiunë". ©LAPSI.al

Të këshilluara

ide

Pse Rama nuk tërhiqet dot nga Zvërneci

Ndonëse kryeministri e la të hapur fatin e investimit të cilin e etiketoi si testin e parë të platformës Besa, ai nuk është i lirë ta bëjë këtë. Edi Rama e di shumë mirë, se nëse i thotë jo Kushnerit të cilin e yshti të hidhte në Zvërnec paratë e katarianëve, pasoja do të jetë shumë më e madhe se indiferanca përbuzëse që Trump demostroi ndaj atleteve të tij të bardha në samitin e NATO-s.

12:29 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

92.86

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Pse Rama nuk tërhiqet dot nga Zvërneci

Ndonëse kryeministri e la të hapur fatin e investimit të cilin e etiketoi si testin e parë të platformës Besa, ai nuk është i lirë ta bëjë këtë. Edi Rama e di shumë mirë, se nëse i thotë jo Kushnerit të cilin e yshti të hidhte në Zvërnec paratë e katarianëve, pasoja do të jetë shumë më e madhe se indiferanca përbuzëse që Trump demostroi ndaj atleteve të tij të bardha në samitin e NATO-s.

12:29 Andi Bushati

Me sytë katër

PAPARAZZI