Flash

Tragjedi në Gaza/ Përmbytjet dhe shembja e një argjinature varrosin familjet në tenda

Lapsi.al 11 November 2026

Tragjedi në Gaza/ Përmbytjet dhe shembja e një argjinature

Një tragjedi e rëndë ka goditur familjet palestineze të zhvendosura në Rripin e Gazës, ku shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet kanë shkaktuar shembjen e një argjinature rëre, duke zënë poshtë saj disa tenda dhe duke marrë jetën e të paktën katër personave, mes tyre tre fëmijë.

Ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje në kampin e zhvendosjeve Ard al-Ribat, në Deir el-Balah, në Gazën qendrore. Një masë e madhe rëre u shemb mbi tendat ku strehoheshin familjet palestineze, duke i lënë banorët të bllokuar nën rrënoja.

 
Mes viktimave ishte një grua 36-vjeçare, Tahrir, e cila ishte pesë muajshe shtatzënë, si dhe dy fëmijët e saj, Salah, 8 vjeç, dhe Maryam, 6 vjeçe. I vetmi i mbijetuar nga familja është bashkëshorti i saj, Ahmed al-Nabhan, i cili ishte liruar vetëm pak kohë më parë nga paraburgimi izraelit, raporton Al Jazeera.

Në një tendë tjetër, shembja i mori jetën edhe Habiba-s, vetëm 4 vjeçe, ndërsa nëna e saj dhe vëllai ndodhen në kujdes intensiv.

Zahira al-Sahar, 58 vjeçe, e cila ndodhej në tendën e saj bashkë me vajzën 28-vjeçare kur ndodhi shembja, tregoi momentet e tmerrit. Ajo tha se rëra e kishte mbuluar deri në qafë, ndërsa vajza e saj ishte pothuajse tërësisht e varrosur.

 
Djemtë e saj arritën t’i shpëtonin fillimisht vajzën dhe më pas atë vetë. Por fati i fqinjëve të tyre ishte tragjik. “Fqinjët tanë janë varrosur”, ishte thirrja e dëshpëruar e gruas, e cila kërkonte ndihmë për familjen al-Nabhan.

Banorët që u përpoqën të ndërhynin thanë se shembja ndodhi pas vetëm disa minutash reshjesh, ndërsa përmasat e saj ishin shumë më të mëdha nga ato që mund të përballonin me mjetet që kishin në dispozicion.

Sipas UNICEF-it, reshjet e dendura kanë prekur drejtpërdrejt rreth 106 mijë persona në Gaza, ndërsa mijëra tenda të familjeve të zhvendosura janë përmbytur.

 
OKB vlerëson se rreth 1.4 milionë persona, ose 65 për qind e popullsisë së Gazës, jetonin në tenda apo strehime të improvizuara kur goditën stuhitë e para të dimrit.

Situata është përkeqësuar edhe nga shkatërrimi i infrastrukturës gjatë luftës. Sistemet e kullimit janë dëmtuar rëndë, rrugët janë në gjendje të keqe dhe autoritetet vendore nuk disponojnë pajisjet e nevojshme për largimin e ujërave të grumbulluara.

Ndërkohë, Shaima al-Daour, 22 vjeçe, një infermiere në kampin Ard al-Ribat, tregoi për përpjekjet e saj për të shpëtuar të plagosurit. Ajo tha se ishte përpjekur të ringjallte një fëmijë të nxjerrë nga rrënojat, por ai kishte pësuar hemorragji të brendshme dhe nuk arriti të mbijetonte.

Infermierja tregoi gjithashtu se një 15-vjeçar me vështirësi në frymëmarrje kishte nevojë urgjente për transport drejt spitalit, por në zonë nuk kishte ambulancë në dispozicion.

Kjo është stuhia e parë e madhe dimërore që ka goditur Gazën që prej 6 nëntorit dhe rreziku pritet të shtohet, ndërsa qindra mijëra palestinezë vazhdojnë të jetojnë në tenda të dëmtuara, pa mbrojtje të mjaftueshme nga reshjet dhe temperaturat e ulëta.

Të këshilluara

ide

Pas parave në Gjermani qëndron Edi Rama

Pagesat për ish shefen e SHISH nga tenderat e trukuar të AKSH dëshmojnë maninë e çuditshme për të kompromentuar me paratë e shtetit edhe zyrtarët e tij. Nuk ka rëndësi se Vlora Hyseni ishte emëruar nga vetë Rama, nuk kishte vlerë se ajo konsiderohej një besnike e verbër, pa qenë e kooruptuar ajo nuk mund të quhej një shërbëtore e devotshme

15:14 Andi Bushati

MOTI TIRANA

16°c

KËMBIMI EURO

90.72

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI