
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Irlandë, ishte i ftuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), për të folur me një audiencë ekspertësh të Europës dhe Ballkanit, si dhe diplomatësh, për temën “Udhëtimi Europian i Shqipërisë: Nga aspirata te integrimi”.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se Shqipëria është në rrugën e duhur drejt integrimit në BE. Rama tha se për Shqipërinë ky është një moment kulmor dhe se mundësia për t’u bërë pjesë e BE-së është më afër se kurrë.
“Jemi në një moment tejet përcaktues të historisë sonë, pasi shohim jo vetëm horizontin që ka qenë kështu gjithmonë, por shohim edhe një derë të hapur si një mundësi reale të vërtetë për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje europiane. Është një moment kulmor që nuk ka ekzistuar prej shumë kohësh. Është shndërruar në një moment kulmor ku gjërat që dukeshin të pamundura duket se janë të mundura. Shpresoj se do ta kapim këtë moment dhe do të mundemi të kapërcejmë më së fundmi kufirin që na ka ndarë nga Europa, më në fund të bëhemi pjesë e kësaj familjeje.
Kjo është situata, siç e shoh unë. Një situatë me një moment kulmor, ku nga ana jonë duhet të bëjmë maksimumin që të përmbushim pritshmëritë e palës tjetër. Duhen 27 vende dhe aty ka vende si Franca, ku ratifikimi i traktatit të anëtarësimit për anëtarët e rinj duhet të marrë 2/3 e votave në parlament apo të kalojë përmes referendumit. Ajo që ka rëndësi është të mbyllim me sukses kapitujt dhe negociatat. Sot për sot jemi në rrugë të mbarë, çdo gjë po ecën sipas rregullave dhe jemi dakord edhe me Komisionin për këtë”, tha Rama.
Ndërkohë, kreu i qeverisë shtoi se Shqipëria është besimplotë për mbylljen e të gjithë grupkapitujve brenda vitit të ardhshëm.
“Fundi i vitit 2027 është i mundur. Integrimi gradual është diçka për të cilën unë vetë kam luftuar për një kohë të gjatë, para se një gjë e tillë të merrte formë, jo i vetëm, por edhe me kolegë të tjerë. Për t’i dhënë ca kuptim të gjithë procesit, se pse duhet që vendet të kalojnë përmes procesit të bazuar në meritë, por hendeku ndërkohë, sa i takon financave, ekonomisë dhe integrimit, bëhet gjithmonë e më i madh”, u shpreh Rama.