
Në Gjykatën Administrative të Lushnjës është zhvilluar seanca e radhës në procesin gjyqësor që lidhet me ndërtimin e Muzeut Hebraik në qendrën historike të Vlorës. Padia është ngritur nga 18 qytetarë vlonjatë, pjesë e grupit nismëtar, të cilët kërkojnë shfuqizimin e akteve të miratuara nga Bashkia Vlorë dhe institucionet shtetërore për realizimin e këtij projekti.
Të paditur në këtë proces janë Bashkia Vlorë, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.
Paditësit kundërshtojnë vendndodhjen e muzeut, me argumentin se ndërhyrja prek hapësirën e qendrës historike të qytetit, ku ndodhen objekte dhe vende me rëndësi të veçantë për historinë e shtetit shqiptar.
Nismëtari i grupit, Gëzim Zilja, bëri të ditur se kërkesa kryesore e qytetarëve është largimi i ndërhyrjeve të kryera dhe rikthimi i sheshit në gjendjen e mëparshme. Sipas tij, nga hapësira ekzistuese janë marrë rreth 500 metra katrorë.
“Është një qendër historike, ku kanë punuar themeluesit e shtetit të parë shqiptar. Kërkojmë që ndërhyrjet të largohen dhe vendi të kthehet në gjendjen e mëparshme, pasi nga sheshi ekzistues janë marrë rreth 500 metra katrorë. Nuk mund të ngresh historinë tënde mbi historinë time. Aty është historia e Shqipërisë dhe nuk mund të mbivendoset një muze hebraik. Jo aty. Kjo është kërkesa jonë e pare”, tha nismëtari, Gëzim Zilja.
Edhe qytetarë të tjerë të pranishëm në seancë shprehën kundërshtimin e tyre ndaj vendndodhjes së projektit. Ata theksuan se nuk janë kundër ndërtimit të muzeve, por sipas tyre, për Muzeun Hebraik duhet të gjendet një hapësirë tjetër brenda qytetit të Vlorës.
Gjatë seancës, pala e paditur kundërshtoi legjitimitetin e 18 qytetarëve për të ngritur padinë. Gjykata vendosi që kjo kërkesë të shqyrtohet në seancën e ardhshme, e cila është caktuar më 18 janar 2027.
Pas përfundimit të seancës gjyqësore, qytetarët e pranishëm zhvilluan një manifestim përpara ambienteve të gjykatës, ku kënduan këngë patriotike dhe përsëritën kundërshtimin e tyre ndaj ndërtimit të muzeut në qendrën historike të Vlorës.
Muzeu Hebraik financohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, me një fond prej rreth 2.8 milionë dollarësh.
Ndërkohë, punimet për ndërtimin e muzeut vijojnë të jenë të pezulluara, pasi në një seancë të mëparshme Gjykata Administrative vendosi ndërprerjen e tyre deri në shpalljen e vendimit përfundimtar.