Flash

Skema/ Pse Këlliçi akuzon Olsi Ramën për aferën e kazinosë në Air Albania

Lapsi.al 28 July 2026

Belind Këlliçi i ka bërë thirrje publike SPAK-ut të hetojë mënyrën se si licenca e kazinosë në kullën “Air Albania” kaloi te një kompani me pronësi të regjistruar offshore, duke pretenduar se pas transaksionit fshihet një skemë me kompani fasadë, mbivlerësim prone dhe lidhje që çojnë deri te rrethi i afërt i Olsi Ramës.

Sipas denoncimit, kompania që zotëron licencën e kazinosë në hotelin me pesë yje në kullën “Air Albania” është “Space+”. Në momentin e marrjes së licencës, 99 për qind e aksioneve të saj zotëroheshin nga “Alb-Star”, ndërsa 1 për qind nga kompania çeke “W-CZ Holding s.r.o.”, e lidhur, sipas Këlliçit, me shoqëri që operojnë në tregun e lojërave të fatit.

Në nëntor të vitit 2025, “Alb-Star” i shiti aksionet e kazinosë kompanisë “GLG Investment”. Pikërisht ky kalim pronësie është në qendër të denoncimit, pasi ligji kërkon që një kompani që aplikon për licencë kazinoje të ketë të paktën 1.2 miliardë lekë kapital, rreth 12 milionë euro, si dhe të deklarojë pronarin përfitues dhe burimin e fondeve.

Sipas Këlliçit, “GLG Investment” nuk e kishte këtë kapital në para, por e krijoi atë në letër përmes një prone në Kepin e Rodonit. Bëhet fjalë për një sipërfaqe pyjore prej 275 550 metrash katrorë, të blerë më 9 prill 2025 për 32.2 milionë lekë, rreth 320 mijë euro, dhe të rivlerësuar vetëm dy muaj më vonë në 2.55 miliardë lekë, afërsisht 26 milionë euro.

“Për të përfituar liçensën e kazinosë, një tokë 275.000 m2 në Kepin e Rodonit, që u ble në vlerën 320.000 euro, pas 2 muajsh rivlerësohet me një akt vlerësimi në vlerën 26.000.000 euro. Mrekulli ekonomike e padëgjuar askund në botë, të cilën as Taulant Balla nuk e shpjegon dot”, deklaroi Këlliçi.

Sipas tij, raporti i vlerësimit nuk ka shërbyer thjesht për të përcaktuar çmimin e tokës, por është përdorur për të rritur kapitalin e “GLG Investment” dhe për t’i hapur rrugë miratimit nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

“Është kryer një raport vlerësimi, është përdorur për të rritur kapitalin e kompanisë, në mënyrë që AMLF të jepte miratimin për të kaluar nga aksioneri ALB-STAR te aksioneri GLG Investment”, tha ai.

Këlliçi pretendon se në këtë proces kanë dështuar ose kanë mbyllur sytë disa institucione, mes tyre AMLF, Autoriteti i Konkurrencës, strukturat kundër pastrimit të parave dhe Komiteti i Investimeve Strategjike. Sipas tij, autoritetet duhej të verifikonin jo vetëm kapitalin, por edhe pronarin përfitues, burimin e fondeve dhe aftësinë financiare të blerësit të ri për të ushtruar aktivitetin e kazinosë.

Dyshimet shtohen nga struktura e pronësisë së “GLG Investment”. Kompania u themelua në mars 2024 nga Gerti Lumani, por në nëntor të po atij viti aksionet iu shitën “Lake Horizont LLC”, një shoqëri e regjistruar në Wyoming të Shteteve të Bashkuara. Në regjistrat shqiptarë si pronar përfitues figuron shtetasi venezuelan Joselises Maradey Marquez, ndërsa në regjistrin e Wyoming, sipas Këlliçit, ai paraqitet vetëm si “organizer” dhe jo domosdoshmërisht si pronar i kompanisë.

Këlliçi thotë se për Marquez nuk gjenden të dhëna që të provojnë eksperiencë në fushën e lojërave të fatit, aktivitet ekonomik të njohur apo burime financiare që të justifikojnë një investim të këtyre përmasave.

“Pra është e qartë se kjo kompani është krijuar offshore, me pronarë fiktiv, vetëm për të fshehur pronësinë e vërtetë”, deklaroi ai.

Për ta lidhur skemën me Olsi Ramën, Këlliçi iu referua marrëdhënieve mes familjes Lumani dhe shtetasit Gert Haka, të cilin e cilësoi mik të ngushtë të vëllait të kryeministrit.

Sipas tij, Haka ka jetuar më parë në Troy, Michigan, ku ka jetuar edhe Olsi Rama, dhe është shfaqur vazhdimisht në shoqërinë e tij, përfshirë udhëtimin në Beograd për ndeshjen Serbi–Shqipëri në vitin 2014 dhe ndeshjet e Partizanit.

Këlliçi nuk paraqet një dokument që të provojë drejtpërdrejt se Olsi Rama është aksioner apo përfitues financiar i kazinosë. Këlliçi ndërton një zinxhir lidhjesh mes pronarëve formalë, personave të përfshirë në kompani dhe rrethit shoqëror të vëllait të kryeministrit, duke kërkuar që SPAK të verifikojë nëse emrat e deklaruar në dokumente janë pronarët realë apo vetëm persona të përdorur për të fshehur përfituesit përfundimtarë.

Një tjetër emër i përmendur në denoncim është Bledar Sinani, i lidhur, sipas Këlliçit, me kompani që operojnë në tregun e lojërave të fatit dhe me projektin e investimit strategjik në Kepin e Rodonit. Në kartelën e pronës së përdorur nga “GLG Investment” për rritjen e kapitalit rezulton e regjistruar edhe një kontratë sipërmarrjeje me kompaninë “Premium Finance Invest”, e lidhur sipas denoncimit me Sinanin.

Këlliçi kujtoi se në vitin 2021 Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, miratoi statusin e investitorit strategjik për një projekt në të njëjtën zonë dhe parashikoi edhe mundësinë e shpronësimit për interes publik.

“Pra Edi Rama, vetëm për shtetasin Bledar Sinani, pikërisht mbi këtë tokë, ka marrë vendim se nëse prona private nuk i jepet me vullnet klientëve të tij, kryeministri ua merr pronarëve me anë të shpronësimit për ‘Interes Publik’”, deklaroi Këlliçi.

Në përfundim, ai i kërkoi SPAK-ut të hetojë nëse rivlerësimi i tokës nga 320 mijë në 26 milionë euro është përdorur për pastrim parash, nëse pronari venezuelan ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri dhe kush janë personat që kanë urdhëruar ose ndikuar institucionet shtetërore për të miratuar transaksionin.

“A është skemë pastrimi parash që të marrësh me letra një tokë në vlerën 320.000 euro, dhe vetëm për 60 ditë ta rivlerësosh 26 milionë euro, dhe me këtë tokë të marrë një kompani anonime liçensë kazinoje mu në zemër të Tiranës?”, pyeti ai.

Denoncimi ngre tri çështje që kërkojnë verifikim institucional: nëse toka në Kepin e Rodonit është mbivlerësuar artificialisht për të plotësuar kushtet e kapitalit, nëse pronari i deklaruar offshore është përfituesi real i kompanisë dhe nëse institucionet kanë zbatuar ligjin apo kanë certifikuar një skemë të ndërtuar për të fshehur pronësinë e vërtetë të kazinosë.

Denoncimi i plotë i Belind Këlliçit KETU

Të këshilluara

ide

Një prerje në besë e Shqipërisë së re

Rama ose se ka kuptuar revolucionin e Flamingove, ose e po manipulon me thelbin e tij. Të përpiqesh ta vizatosh atë si një reagim që u provokua nga sukseset që rritën pritshmërinë gjatë epokës së rilindjes do të thotë ta presësh atë në besë

13:42 Andi Bushati

Reforma territoriale dhe profecia e romakut Tacitus

Sipas informacioneve të dala, ajo synon rishikimin e hartës aktuale me 61 bashki, duke shkrirë 10 deri në 14 bashki të vogla, me qëllim që numri i tyre, për zgjedhjet vendore të vitit 2027, të mos jetë më tepër se 50 bashk

11:29 Ferdinand Dervishi

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

93.66

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI