
Dhuna shpërtheu të shtunën në Shqipëri gjatë një proteste të udhëhequr nga studentët, të cilët kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama pas muajsh protestash kundër qeverisë.
Protestuesit u mblodhën në kryeqytet, në Tiranë, në Ditën e Pavarësisë dhe hodhën gurë e bomba molotov drejt forcave të policisë, të cilat u përgjigjën me ujë me presion, gaz lotsjellës dhe plumba gome.
Të nxitura nga zemërimi për atë që protestuesit e shohin si korrupsion qeveritar, si dhe për mungesën e vendeve të punës e nivelin e ulët të arsimit, protestat e tronditën Tiranën që nga mesi i tetorit dhe u përhapën edhe në qytete të tjera. Ato morën shpesh kthesë të dhunshme. Protestuesit u vunë zjarrin ndërtesave qeveritare dhe bankave, thyen vitrinat e dyqaneve dhe shkulën pllakat e kalldrëmit për t’i hedhur drejt policisë.
Të shtunën, protestuesit, disa prej tyre me maska, qëlluan me gurë një ndërtesë qeveritare dhe u përpoqën të mbërrinin te zyra e Ramës, por policia i zmbrapsi, sipas një gazetari të Reuters.
“Boll më me korrupsionin, varfërinë dhe emigracionin”, tha Eralda Baze, një inxhiniere 45-vjeçare që mori pjesë në protestën e së shtunës.
Të tjerë kërkuan një jetë më të mirë dhe kujdes më të mirë shëndetësor.
“Shqipëria nuk është në shitje”
Qeveria e Ramës mohon akuzat për korrupsion dhe ka bërë thirrje për dialog mbi kërkesat e protestuesve. Në përpjekje për të qetësuar protestat, ajo ndërmori edhe masa të reja, si ulja e çmimit të karburantit dhe rritja e ndihmës financiare për familjet e varfra.
Trazirat pasuan protestat disamujore, kryesisht paqësore, që u zhvilluan gjatë verës kundër një projekti luksoz në bregdet, të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Ato përbëjnë sfidën më të madhe deri më tani për Ramën, i cili qeveris që nga viti 2013 dhe fitoi mandatin e katërt vitin e kaluar.
Në një pankartë në protestën e së shtunës shkruhej “Shqipëria nuk është në shitje”.
Rama ka thënë se projekti është i ligjshëm dhe se habitatet natyrore do të mbrohen.
Skandalet e korrupsionit e kanë dëmtuar imazhin e Shqipërisë ndër vite. Sipas analistëve, vendi është një qendër për grupet kriminale që kërkojnë të pastrojnë paratë e trafikut të drogës dhe të armëve.
Rama, nga ana e tij, ka thënë se qeveria e tij po e lufton korrupsionin si kurrë më parë. Shqipëria kryeson grupin e vendeve të Ballkanit që kërkojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe synon të hyjë në BE deri në vitin 2030./Reuters, përshtati Lapsi.al