
Në Itali i kërkonin të shmangte rënien nga kategoria. Në Shqipëri i kërkojnë të fitojë. Është e njëjta pankinë, por një profesion krejt tjetër. Rolando Maran rrëfen për Fanpage.it ndryshimin e perspektivës që ka përjetuar që kur mori drejtimin e Kombëtares shqiptare. Për vite me radhë ai ka drejtuar skuadra të Serisë A, të cilave u kërkohej kryesisht të siguronin mbijetesën, duke ndërtuar karrierën përmes punës nga nivelet më të ulëta dhe angazhimit të përditshëm. Në Cagliari, për shembull, kalonte deri në nëntë orë në ditë në fushë.
Një rrugëtim i ndryshëm nga ai i shumë kampionëve të botës të vitit 2006, të cilët më pas u bënë trajnerë. Për ta, emri u hapi dyert, ndërsa ai i hapi vetë përmes punës dhe eksperiencës. Maran vlerëson pikërisht rëndësinë e nisjes nga nivelet më të ulëta. Ndërkohë, në Shqipëri ka rigjetur "gëzimin e profesionit tim".
Kur e kuptuat se për të ecur përpara duhej të ndryshonit drejtim?
"Profesioni ynë kalon nëpër cikle të caktuara. Brenda një kohe të shkurtër u gjenda në një situatë ku telefoni më binte vazhdimisht dhe më pas filloi të binte më rrallë. Ndonjëherë kjo varet edhe nga tendencat dhe zgjedhjet që bëhen, por është pjesë e ndryshimit të brezave. Unë ende ndihem në gjendje të jap shumë dhe jam përpjekur gjithmonë të tregoj se kam uri dhe dëshirë për të bërë gjëra të mira".
Megjithatë, dyert nuk ishin të mbyllura për ju.
"Jo, telefonatat vazhdonin të vinin. Në vitin e fundit te Brescia më kishte kërkuar edhe një skuadër e Serisë A, por unë sapo kisha firmosur. Çështja është të hysh në një ambient ku mund të lësh gjurmë dhe të bësh mirë. Në periudhën e fundit kjo mundësi u bë më e rrallë, pastaj më erdhi oferta e Shqipërisë dhe e zgjodha, megjithëse mund të kisha qëndruar në Itali".
Çfarë ju bindi?
"Më ofronte stimuj të rëndësishëm. Ishte një detyrë ndryshe, por me shumë peshë. Jo shumë trajnerë kanë mundësinë të drejtojnë një Kombëtare dhe Shqipëria më motivonte shumë. Është një sistem futbolli që po rritet, me struktura dhe ide. Nuk pata asnjë dyshim për zgjedhjen e kësaj aventure".

Në Itali ju ishte vendosur etiketa e trajnerit që lufton për mbijetesë. A jeni ndier ndonjëherë i burgosur brenda këtij imazhi?
"Kur drejton një skuadër në Serinë A dhe shumë shpesh merr përsipër ekipe që luftojnë për mbijetesë, është normale të kalosh periudha negative. Duhet të përballesh me karakteristikat e caktuara të klubeve dhe të menaxhosh më shumë humbje. Por ajo që i shkakton keqardhje çdo trajneri është fakti se shumë herë nuk ke mundësinë të luash për të fituar dhe për të arritur diçka të rëndësishme. Marrja e drejtimit të një Kombëtareje dhe arritja e ngjitjes në një kategori më të lartë ishte një stimul tjetër, sepse më dha mundësinë të punoja me një objektiv të orientuar drejt fitores".
A ka pasur ndonjë pankinë të rëndësishme që e keni ndier pranë, por që nuk arritët ta merrnit?
"Pas eksperiencave me Cagliari, Chievo dhe Catania, është folur shpesh për pankina të rëndësishme. Nga ajo që kam kuptuar, kam qenë pranë disa klubeve, por nuk ndodhi ai hapi përfundimtar që mund të më hapte rrugën drejt kampionateve të tjera. Nuk kam pendesa. Jam i kënaqur me atë që kam bërë dhe vazhdoj të kem shumë entuziazëm për atë që mund të vijë në të ardhmen".
Ju keni ndjekur një rrugë të kundërt nga shumë prej kampionëve të botës të vitit 2006 që u bënë trajnerë: keni kaluar nga nivelet e ulëta dhe keni qëndruar nëntë orë në ditë në fushë në Cagliari. Çfarë ju ka dhënë ky rrugëtim?
"Unë preferoj të kalosh nëpër të gjitha shkallët e profesionit, sepse mendoj se kjo të formon dhe të plotëson. Rruga që kam ndjekur unë dhe shumë të tjerë është padyshim formuese dhe të përgatit për të përballuar situata të caktuara. Pastaj është e kuptueshme që ata që kanë luajtur në nivele të larta mund të kenë një bonus shtesë për të nisur karrierën si trajnerë".
Por e kaluara si futbollist nuk mjafton.
"Duhet të dëshmosh gjithmonë vlerat e tua. Disa ia kanë dalë, të tjerë më pak, por kanë pasur mundësinë të nisin edhe falë karrierës së tyre si futbollistë. Nga pikëpamja mediatike, emri dhe titulli kanë rëndësi dhe i bëjnë njerëzit të ëndërrojnë. Kjo është e kuptueshme. Megjithatë, besoj se përmes eksperiencës nga nivelet e ulëta njeriu formohet më shumë dhe në një mënyrë tjetër".
Në videon që u bë virale pas një ndeshjeje në Shqipëri, ju falënderoni skuadrën. Ishte thjesht lumturia për rezultatin?
"Pak nga të dyja. Isha i lumtur jo vetëm sepse kishim arritur rezultatin, por edhe sepse e kishim merituar plotësisht, me shifra dhe tregues të rëndësishëm. Kam gjetur një grup djemsh të jashtëzakonshëm, të cilët më kanë mbështetur në punën time dhe janë përpjekur të bëjnë atë që u kam kërkuar. Ishte një ambient që kishte nevojë për entuziazëm të ri dhe nuk ishte një mision aspak i lehtë. Fakti që arritëm t'i përfshinim të gjithë në këtë mënyrë më bëri të lumtur, sepse rigjeta gëzimin e profesionit tim, kënaqësinë për të bërë gjëra dhe për të provuar të lë gjurmë te një grup djemsh".
Ky gëzim u shfaq edhe jashtë dhomës së zhveshjes.
"Zakonisht këto gjëra mbeten brenda dhomës së zhveshjes. Nuk e di kush e bëri videon, por ishte diçka pozitive, sepse patëm mundësinë ta ndanim lumturinë tonë me tifozët. Luajtëm kundër Bjellorusisë, në fushë neutrale në Budapest dhe pa praninë e publikut. Ishte bukur të arrinim të përcillnim krenarinë e suksesit te populli shqiptar, i cili e do Kombëtaren në mënyrë të jashtëzakonshme".
A ishte i vështirë kontakti i parë me një Kombëtare?
"Mbërrita me entuziazëm dhe me bindjen se dëshiroja të lija gjurmë, megjithëse e dija se kishte vështirësi dhe faktorë të ndryshëm nga ata që hasen në një klub. Në grumbullimin e parë të qershorit, lojtarët kishin mbërritur vetëm pesë ose gjashtë ditë para ndeshjeve. Unë isha pothuajse një spektator. Bëra disa gjëra që sot nuk do t'i përsërisja, por ajo eksperiencë më shërbeu si një shkollë praktike. Më ndihmoi të kuptoja se cilat duhej të ishin prioritetet e mia".
Ju erdhët pas Sylvinhos, në një skuadër që kishte tashmë një identitet. Cila ishte ideja juaj e parë?
"Nuk dua të bëj krahasime. I vendosa vetes objektivin për të qenë proaktiv, për të luajtur ndeshjet dhe për t'i vënë kundërshtarët në vështirësi. Doja një skuadër që të mendonte për të shënuar gola, përtej aspektit mbrojtës, dhe që të ishte vetë përcaktuese e fatit dhe së ardhmes së saj".
A e përthithën lojtarët menjëherë mesazhin tuaj?
"Ishte pikërisht kjo gjë që pati ndikimin më të madh tek ata. U përpoqën menjëherë të hynin në atë mentalitet dhe kjo kimi mes nesh solli rezultate të kënaqshme".
Te Catania kishit drejtuar më parë një dhomë zhveshjeje ndërkombëtare: katërmbëdhjetë argjentinas, si dhe një uruguaian, një spanjoll, një japonez dhe një polak.
"Po, mund të themi se kisha drejtuar një lloj Kombëtareje... Ishte një shkollë e mirë për mua. E kujtoj me kënaqësi atë sezon: përfunduam në vendin e tetë me 56 pikë, një rekord historik i Catanias që vazhdon të qëndrojë edhe sot. Ishte një eksperiencë që më dhuroi shumë kënaqësi dhe më ndihmoi të kisha këndvështrime të ndryshme".
Në Cagliari ishit çdo ditë me lojtarët. Ndërsa në Kombëtare duhet ta përqendroni gjithë punën brenda pak ditësh. Sa ndryshon puna?
"Kam pasur fatin të kem në dispozicion pothuajse 20-25 ditë. Nga 25 shtatori deri më 15 nëntor pati një ndërprerje shumë të gjatë dhe për mua, që sapo kisha mbërritur, ishte thelbësore. Pata mundësinë të punoja me djemtë, të zhvilloja pothuajse një javë normale stërvitore, të përdorja videot, të bisedoja shumë me ta, të shkëmbeja mendime dhe të organizoja mbledhje. Ishte e rëndësishme të krijonim bazat që të gjithë të kishim një ide të qartë. Duhej të jepja një identitet që do të konsolidohej me kalimin e kohës dhe ajo periudhë më ndihmoi shumë".

Hysaj është një rast i veçantë: aktualisht pa skuadër, por protagonist me Kombëtaren.
"Ai ka treguar seriozitet të madh. Ka ardhur në ndeshje në gjendje shumë të mirë fizike dhe ka luajtur pesë nga gjashtë ndeshjet nga 90 minuta. Ishte një zgjedhje e imja. Kjo dëshmon profesionalizmin e tij. Ka zhvilluar ndeshje të jashtëzakonshme dhe është përfshirë në formacionin më të mirë të Nations League. Më duket e pabesueshme që në këtë moment nuk ka mundësi të jetë pjesë e një klubi. Për profesionalizmin, gjendjen fizike dhe cilësitë teknike që ka treguar, ai ka zhvilluar një Nations League të jashtëzakonshme".
Caprile ka nisur procedurat për pajisjen me pasaportë për arsye familjare. Është një çështje e hapur?
"Është ende herët për të folur për këtë. Ka një procedurë që duhet të përfundojë dhe nuk e di as sa kohë do të kërkojë. Është e kotë të flasim për situata që për momentin nuk janë ende të përcaktuara".

Po Shpendi? Te Cesena në Serinë B po bën mirë, por në Kombëtare konkurrenca është e madhe.
"Është një djalë me perspektivë shumë të madhe, i cili tashmë ka rëndësi në klubin e tij. Në Kombëtare përballet me shumë lojtarë që aktivizohen në Turqi dhe te Spartak Moska, ndaj konkurrenca është e fortë. Jam i bindur se do të ketë hapësirat e tij, sepse është në rritje të vazhdueshme dhe do të japë një kontribut të rëndësishëm".
Më 6 dhjetor do të hidhet shorti. A mund të përballeni me Italinë dhe me Barellën, të cilin e aktivizuat për herë të parë te Cagliari?
"Nicolò është i jashtëzakonshëm. Jam i lumtur që prej shumë vitesh ndodhet në nivelet më të larta, por nuk kisha asnjë dyshim për këtë. Ai kishte cilësi teknike dhe temperament të jashtëzakonshëm. Nuk më habit fakti që prej kaq shumë kohësh është në këto nivele".
A do të ishte një ndjesi e veçantë përballja me të?
"Patjetër që do të ishte një emocion më shumë, diçka shumë e çuditshme. Por për momentin nuk po mendoj për këtë. Është e kotë të bëjmë diskutime për një mundësi që ende nuk e njohim".
Nëse do të kishit mundësinë t'i flisnit Maranit që sapo niste karrierën si trajner, çfarë do t'i thoshit?
"Do t'i thosha të mbetej ai që ka qenë. Ndoshta t'u kushtonte më shumë vëmendje disa aspekteve që në futbollin e sotëm nuk janë aspak dytësore, përkundrazi, janë të rëndësishme, sepse mund të ndihmojnë karrierën dhe rritjen profesionale. Përtej aspektit teknik, ato janë pjesë e përbërësve që të bëjnë trajner".