Flash

Shqetësimet e bankave, rritet perceptimi i rrezikut nga tregu i pronave dhe ai politik

Lapsi.al 25 September 2026

Rezultatet e vrojtimit mbi perceptimin e rreziqeve sistemike në vend nga sektori bankar tregojnë se, gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, renditja e rreziqeve kryesore dhe nivelet e perceptimit të tyre kanë paraqitur ndryshime, me rritje të shqetësimit të lidhur me çmimet e pronave dhe të atij politik, pas valës disamujore të protestave ndaj qeverisë.

Transferimi i goditjeve nga ekonomia e jashtme vijon të konsiderohet si rreziku sistemik më i rëndësishëm nga bankat. Pas një zbutjeje të përkohshme në gjysmën e dytë të vitit 2025, vlerësimi për këtë rrezik është rritur përsëri gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 nga niveli “mesatar” në “i lartë”.

Kjo ecuri ka reflektuar pasiguritë e vazhdueshme në mjedisin ekonomik dhe gjeopolitik ndërkombëtar dhe potencialin e tyre për t’u transmetuar në ekonominë shqiptare.

Rreziku i lidhur me luhatjen e vlerës së pasurive të paluajtshme është klasifikuar si rreziku i dytë më i rëndësishëm sistemik i periudhës dhe vlerësimi për të është rritur duke kaluar nga niveli “i ulët”, në “mesatar”.

Rritja e vazhdueshme e çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe ekspozimi i konsiderueshëm i sektorit bankar ndaj këtij tregu vazhdojnë ta mbajnë këtë rrezik në grupin e faktorëve që kërkojnë monitorim të vazhdueshëm.

Megjithëse intensiteti i perceptuar nga bankat nuk është i lartë, shqetësimi i tyre është në rritje, veçanërisht për ndikimin e mundshëm të një korrigjimi të çmimeve në vlerën e kolateralit dhe rrezikun e kredisë.

Përkeqësimi i ekonomisë së brendshme vijon të mbetet në grupin e rreziqeve më të rëndësishme sistemike në vend. Në perceptimin e bankave, vlerësimi për këtë rrezik është zbutur krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2025, por duke mbetur brenda nivelit “mesatar”.

Rreziku nga sulmet kibernetike vijon të perceptohet si një nga rreziqet kryesore sistemike. Megjithatë, vlerësimi i sektorit bankar për rëndësinë e tij ka rënë gjatë gjysmës së parë të vitit 2026 krahasuar me dy periudhat paraardhëse, gjë që mund të lidhet me investimet dhe strategjitë e ndërmarra nga bankat për të kufizuar këtë rrezik.

Pavarësisht kësaj, në kushtet e digjitalizimit gjithmonë e më të madh të shërbimeve financiare dhe kompleksitetit në rritje të kërcënimeve kibernetike, ky rrezik është bërë tashmë një nga sfidat kryesore të biznesit bankar.

Së fundi, perceptimi mbi rrezikun politik ka shënuar rritje krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2025, duke u përfshirë në listën e rreziqeve kryesore sistemike.

Rritja e këtij perceptimi mund të lidhet me shtimin e pasigurive rreth zhvillimeve politike dhe institucionale në vend, të cilat mund të ndikojnë në pritjet e agjentëve ekonomikë dhe në klimën e biznesit.

Megjithatë, në vlerësimin e bankave, rëndësia e këtij rreziku vlerësohet ende ndjeshëm më e ulët krahasuar me rreziqet e tjera te lartpërmendura.

Në terma të përgjithshëm, deri në fund të gjysmës së parë të vitit 2026, bankat vlerësojnë se mundësia e materializimit të një ose disa prej rreziqeve sistemike në horizontin afatshkurtër (deri në një vit) mbetet nën nivelin mesatar, megjithëse ky perceptim është rritur lehtë krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025.

Për horizontin afatmesëm (1–3 vjet), perceptimi i bankave për materializimin e këtyre rreziqeve mbetet më i lartë se ai afatshkurtër dhe ka shënuar gjithashtu rritje gjatë periudhës.

Nga ana tjetër, gjendja e mirë financiare e sektorit bankar dhe niveli i lartë i likuiditetit vijojnë të mbështesin besimin e bankave në qëndrueshmërinë e sistemit financiar, i cili mbetet mbi nivelin mesatar dhe pothuajse i pandryshuar krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar./ Monitor

Të këshilluara

ide

Rënia e Vlorës në shtratin e krimit

Vlora nuk është as dardhë e as pjeshkë që dikush e ha pas shpinës së kryeminstrit. Ajo është ilustrimi më eklatant se si vetë Edi Rama i ka vënë institucionet e vendit në shërbim të pushtetit të tij, që në thelb është pushteti i krimit

14:48 Armand Shkullaku

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

91.50

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI