Flash

Raporti amerikan për sigurinë: Shqetësim protestat, krimi i organizuar dhe sulmet kibernetike

Lapsi.al 27 July 2026

Raporti i Sigurisë për Shqipërinë i publikuar nga Overseas Security Advisory Council (OSAC), një strukturë e Departamentit Amerikan të Shtetit që harton vlerësime të sigurisë për qytetarët dhe bizneset amerikane jashtë vendit, sjell për herë të parë një referencë të drejtpërdrejtë për Ishullin e Sazanit, duke e lidhur atë me një nga zhvillimet më të rëndësishme të vitit 2026 në Shqipëri.

Në raport thuhet se protestat kundër projektit të planifikuar të resortit turistik në Sazan nisën si demonstrata me karakter mjedisor, por më pas morën përmasa kombëtare dhe u shndërruan në protesta kundër korrupsionit qeveritar.
Sipas dokumentit, ndërhyrja e policisë për shpërndarjen e protestuesve çoi në mobilizimin e mijëra qytetarëve në disa qytete të vendit, ndërsa një pjesë e demonstratave përfunduan me episode dhune. Raporti e përfshin këtë zhvillim në analizën e tij mbi stabilitetin politik dhe sigurinë në Shqipëri, duke e cilësuar si një nga ngjarjet më domethënëse të vitit 2026.

Krimi mbetet shqetësimi kryesor

Përtej zhvillimeve politike, raporti evidenton se kërcënimi kryesor për vizitorët në Shqipëri vazhdon të jetë kriminaliteti. Sipas OSAC, kriminaliteti u rrit me rreth 17% gjatë vitit 2025, me ndikimin më të madh nga krimet e lidhura me trafikun e drogës, mashtrimet dhe veprat penale që përfshijnë armët. Ndërkohë, grabitjet ranë me rreth 21%, ndërsa edhe krimet e dhunshme dhe vrasjet shënuan ulje për të pestin vit radhazi.

Megjithatë, raporti thekson se Shqipëria vazhdon të ketë një prani të konsiderueshme të krimit të organizuar. Dokumenti përshkruan ekzistencën e rrjeteve kriminale të përfshira në trafik droge, pastrim parash, trafikim qeniesh njerëzore, zhvatje, prostitucion dhe korrupsion.

Një tjetër element që evidentohet është fakti se një pjesë e armëve dhe eksplozivëve të paligjshëm që qarkullojnë në Evropë kanë origjinë ose kalojnë tranzit përmes territorit shqiptar, ndërsa autoritetet shqiptare kanë shtuar përpjekjet për goditjen e këtyre rrjeteve.

Protestat politike dhe tensionet

Raporti kujton gjithashtu protestat që pasuan zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, të cilat u karakterizuan nga marshime të mëdha në Tiranë, bllokime të bulevardit "Dëshmorët e Kombit" dhe përdorim të mjeteve piroteknike, përfshirë kokteje Molotov të hedhura drejt ndërtesave.

OSAC vlerëson se demonstratat në Shqipëri janë të zakonshme dhe, edhe kur nisin në mënyrë paqësore, mund të përshkallëzohen shpejt në incidente të dhunshme, duke këshilluar udhëtarët amerikanë t'i shmangin ato.

Shqipëria nën kërcënimin e sulmeve kibernetike

Një kapitull i veçantë i raportit i kushtohet sigurisë kibernetike. Dokumenti vlerëson se Shqipëria mbetet objektiv i sulmeve nga aktorë shtetërorë, duke përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë Iranin dhe Rusinë.

Sipas raportit, gjatë vitit 2026 Irani kreu sulme kibernetike ndaj faqeve dhe sistemeve shtetërore shqiptare. OSAC paralajmëron se sulme të tilla mund të cenojnë infrastrukturën kritike dhe funksionimin e shërbimeve publike, duke krijuar pasoja të gjera për vendin.

Terrorizmi dhe siguria

Megjithëse Tirana klasifikohet si zonë me rrezik mesatar për terrorizmin ndaj interesave amerikane, raporti thekson se Shqipëria nuk ka përjetuar asnjë sulm terrorist të suksesshëm gjatë dekadës së fundit.
Megjithatë, vëmendje i kushtohet rrezikut që lidhet me radikalizimin e personave të kthyer nga Siria, si edhe aktiviteteve të lidhura me Iranin kundër kampit të organizatës MEK në Shqipëri.

Korrupsioni dhe sundimi i ligjit

Raporti vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht pas krijimit të SPAK-ut, i cili bashkëpunon ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Megjithatë, korrupsioni në administratë, drejtësi dhe prokurime publike, mungesa e transparencës, si edhe ndikimi i interesave të fuqishme politike dhe ekonomike, vazhdojnë të konsiderohen pengesa serioze për forcimin e shtetit të së drejtës.

Çfarë këshillon raporti?

Në përfundim, OSAC rekomandon që qytetarët amerikanë të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qëndrimit në Shqipëri, të shmangin protestat, të kenë kujdes nga vjedhjet dhe mashtrimet, të përdorin taksi të licencuara, të kufizojnë udhëtimet me makinë gjatë natës dhe të pajisen me sigurim shëndetësor përpara udhëtimit.
Megjithëse raporti evidenton përmirësime në bashkëpunimin ndërkombëtar të institucioneve shqiptare dhe në luftën kundër krimit të organizuar, ai arrin në përfundimin se kriminaliteti, korrupsioni, siguria rrugore dhe kërcënimet kibernetike mbeten sfidat kryesore për sigurinë në Shqipëri.

Të këshilluara

ide

Një prerje në besë e Shqipërisë së re

Rama ose se ka kuptuar revolucionin e Flamingove, ose e po manipulon me thelbin e tij. Të përpiqesh ta vizatosh atë si një reagim që u provokua nga sukseset që rritën pritshmërinë gjatë epokës së rilindjes do të thotë ta presësh atë në besë

13:42 Andi Bushati

Reforma territoriale dhe profecia e romakut Tacitus

Sipas informacioneve të dala, ajo synon rishikimin e hartës aktuale me 61 bashki, duke shkrirë 10 deri në 14 bashki të vogla, me qëllim që numri i tyre, për zgjedhjet vendore të vitit 2027, të mos jetë më tepër se 50 bashk

11:29 Ferdinand Dervishi

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

93.69

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI