Flash

Qeveria Rama propozon dyfishimin e taksës së pronës për banesat

Lapsi.al 17 June 2026

Qeveria ka hedhur për konsultim publik projektligjin e ri “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme”, i cili synon të reformojë tërësisht mënyrën e taksimit të pronave në Shqipëri. Në thelb të reformës është kalimi drejt një sistemi modern taksimi të bazuar në vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme, si për ndërtesat ashtu edhe për tokën.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me rritjen e taksës për banesat. Aktualisht, taksa për ndërtesat e banimit është 0.05% e vlerës së pronës, ndërsa projektligji i ri parashikon që kjo normë të variojë nga 0.1% deri në 0.2%, në varësi të vendimit të këshillave bashkiakë. Kjo do të thotë se niveli minimal i taksës do të dyfishohet krahasuar me skemën aktuale.

Sipas relacionit shoqërues, reforma synon të krijojë një sistem më të drejtë, më transparent dhe më efikas, duke zgjeruar bazën e tatueshme dhe duke përmirësuar administrimin e taksës së pronës. Për herë të parë, si ndërtesat ashtu edhe toka do të taksohen mbi bazën e vlerës së tregut dhe jo vetëm sipas sipërfaqes apo formulave të thjeshtuara që përdoren aktualisht për kategori të caktuara pronash.

Projektligji synon gjithashtu të zgjerojë numrin e pasurive të regjistruara në kadastrën fiskale, të përmirësojë mbledhjen e taksës, të standardizojë procedurat administrative dhe të forcojë autonominë financiare të bashkive.

Sipas qeverisë, sistemi i ri do të sigurojë përditësim të vazhdueshëm të vlerës së pasurive, duke krijuar një bazë më të drejtë për taksimin dhe duke rritur besueshmërinë e sistemit tek qytetarët. Drafti parashikon gjithashtu mekanizma mbrojtës për familjet dhe individët me të ardhura të ulëta.

Në relacion citohet edhe vlerësimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilit të ardhurat nga taksa e pronës mund të arrijnë në 0.7% deri në 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto pas zbatimit të plotë të reformës.

Shkallët e reja të taksimit

Sipas projektligjit, këshillat bashkiakë do të kenë të drejtë të vendosin normat konkrete brenda intervaleve të përcaktuara nga ligji:

Tokë bujqësore-blegtorale: nga 0.05% deri në 0.15%;
Tokë pyjore: nga 0.05% deri në 0.15%;
Tokë truall: nga 0.075% deri në 0.175%;
Tokë me përdorime të tjera: nga 0.075% deri në 0.175%;
Ndërtesa për banim: nga 0.1% deri në 0.2%;
Ndërtesa për veprimtari ekonomike: nga 0.15% deri në 0.25%.
Për ndërtesat e papërfunduara, taksa do të jetë sa 30% e normës së kategorisë përkatëse.

Projektligji parashikon që këshillat bashkiakë të miratojnë normat e taksimit jo më vonë se data 31 janar e çdo viti, ndërsa ato duhet t’i dërgohen Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë brenda 5 ditëve nga miratimi.

Qeveria argumenton se reforma do të sjellë më shumë të ardhura për pushtetin vendor, do të rrisë investimet dhe cilësinë e shërbimeve publike, si dhe do të afrojë sistemin shqiptar të taksimit të pronës me praktikat e vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Europian. 

Të këshilluara

ide

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

15°c

KËMBIMI EURO

92.00

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI