Flash

Protestat në Serbi zhvendosin vëmendjen drejt Kosovës

Lapsi.al 29 June 2026

Nga Ludmilla Cvetkoviq/ Nga “duart i keni të përgjakura” deri te zotimi për Kosovën. Mesazhe për Kosovën, me shoqërim të lahutave, jehonin nga sheshi i qytetit në Kraljevë, në Serbinë qendrore, rreth 100 kilometra larg kufirit me Kosovën.

Këto mesazhe për Kosovën, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh, dominuan gjatë një tubim antiqeveritar të mbajtur me thirrjen e lëvizjes protestuese studentore.

Më parë i akuzuar për korrupsion dhe për keqmenaxhim të shtetit, tani Qeveria serbe po kritikohet për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dyshoj se riciklimi i temave që kanë dominuar gjatë katër dekadave të fundit do të sjellë një të ardhme më të mirë apo madje sukses në zgjedhje, të cilat do t’i jepnin Serbisë mundësinë për të ndërtuar një të ardhme të tillë”, vlerësoi për Radion Evropa e Lirë (REL) analisti ndërkombëtar, Kurt Bassuener.

Me këtë tubim u shënua Vidovdani, një festë fetare dhe shtetërore serbe në kujtim të betejës kundër ushtrisë osmane në Kosovë në shekullin e 14-të, kur ushtria serbe u mposht.

Grupi ombrellë “Studentët në bllokadë” nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it lidhur me vendosjen e Kosovës në fokus të tubimit të Vidovdanit dhe mesazhet në Kralevë.

Ky tubim ishte edhe një në serinë e protestave ku kërkohet ndryshimi i Qeverisë në Serbi prej një viti e gjysmë, për shkak të vdekjes së 16 personave nga shembja e një strehe betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Ndërkohë, kërkesave u është shtuar edhe thirrja për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat autoritetet deri tani nuk kanë pranuar që ta bëjnë.

Një ditë para protestës për Vidovdan, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se do të jepte dorëheqjen brenda disa javësh.

Çfarë tregoi Vidovdani në Kralevë?

Në qytetin që u bë strehë për mijëra refugjatë serbë në vitin 1999, kur ushtria dhe policia serbe u tërhoqën nga Kosova, të pranishmëve iu drejtuan disa folës nga Kosova.

Përveç shqetësimeve për integrimin në sistemin e Kosovës të institucioneve që kanë funksionuar në sistemin e Serbisë, u shprehën edhe kritika ndaj autoriteteve në Beograd.

Në tubim u shprehën vlerësime se integrimi i institucioneve serbe, si dhe ngritja e aktakuzave ndaj serbëve, nënkupton “zhdukjen e serbëve nga Kosova”.

U ngrit gjithashtu edhe pyetja se përse autoritetet në Beograd nuk ndërmarrin “masa reciproke në Serbi ndaj shqiptarëve”.

Në tubim foli edhe deputetja në Kuvendin e Serbisë, Jellena Pavlloviq, e cila u prezantua si avokate nga Beogradi.

“Ky popull nuk do t’jua falë kurrë Marrëveshjen e Brukselit, atë të Uashingtonit, planin franko-gjerman dhe Marrëveshjen e Ohrit për dorëzimin e turpshëm të Kosovës, themelit të identitetit kombëtar, kulturor dhe shpirtëror të popullit serb”, tha ajo.

Pavlloviq vepron si deputete e pavarur, por deri vonë ka qenë pjesë e lëvizjes “Ne, forca e popullit”, të cilën e udhëheq Branimir Nestoroviq dhe në listën e së cilës ajo ishte zgjedhur.

Lëvizja parlamentare “Ne, forca e popullit” ka orientim të djathtë dhe prorus, ndërsa Nestoroviq është i njohur për teori konspirative.

Deri tani, në tubimet studentore nuk kanë folur deputetë apo përfaqësues të opozitës në Serbi.

Studentët protestues nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it nëse me këtë është ndryshuar praktika e deritanishme, ndërsa disa liderë opozitarë që i mbështesin studentët e kritikuan faktin që Pavlloviq mbajti fjalim në tubimin studentor.

Ajo përmes një postimi në X vlerësoi se sulmi ndaj saj pas fjalimit në Kralevë është “provë e pakundërshtueshme se problemi juaj janë studentët, jo unë”.

Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, i cili u kritikua në tubimin e Vidovdanit, është një nga kushtet që Serbia duhet të përmbushë për përparim në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Ohrit janë arritur me ndërmjetësimin e BE-së, ndërsa Marrëveshja e Uashingtonit është nënshkruar në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump.

Megjithatë, Kurt Bassuener nga Këshilli për Demokratizimin e Politikave në Berlin shprehet skeptik lidhur me atë se sa Kosova dhe temat kombëtare përbëjnë motivin kryesor të protestave.

“Kosova nuk është ajo që i nxori njerëzit në rrugë në nëntor 2024. Edhe pse simbolika nacionaliste është bërë gjithnjë e më e pranishme në protesta, ajo rrallë ka qenë në plan të parë”, tha ai.

Manovër taktike apo shprehje autentike?

Bassuener tha se për të, animi i lëvizjes studentore nga e djathta është dukur gjithmonë i “papërshtatshëm” bazuar në kërkesat që protestuesit kishin sikurse llogaridhënia, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit të institucionalizuar.

Në fillim të protestave, studentët përdornin në sloganet e tyre shuplaka të përgjakura, duke u dërguar mesazh autoriteteve se “i kanë duart e përgjakura” për tragjedinë në Novi Sad.

Për t’i njohur institucionet evropiane me këto kërkesa, studentët organizuan edhe udhëtime me biçikleta dhe maratona deri në Strasburg dhe Bruksel.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, në protestat studentore në Serbi është parë shpesh flamuri me mesazhin se “nuk ka dorëzim të Kosovës” të vendosur në një hartë që e shfaq këtë shtet brenda kufijve të Serbisë.

Së fundi, studentët dolën edhe me një “Memorandum” në të cilin Kosova përmendet si “pjesë përbërëse e Serbisë”, gjë që ka ngritur debat në publikun që i mbështet.

Bassuener tha se pyetja është nëse devijimi i protestës studentore përfaqëson një shprehje autentike të lëvizjes, apo në çfarë mase mund të jetë një zgjedhje taktike.

Ai e konsideroi se bëhet fjalë për një kombinim të të dy faktorëve, por që mbizotëron taktika.

“Pushteti dhe mediat proqeveritare përpiqen t’i paraqesin studentët si mercenarë të huaj dhe tradhtarë, madje edhe ‘ustashë’. Studentët kanë nevojë të tregojnë besueshmërinë e tyre ‘patriotike’”, tha ai.

Ai kujtoi se vendimi i opozitës që Vojsllav Koshtunica të udhëhiqte listën e Opozitës Demokratike të Serbisë – koalicion i partive opozitare në Serbi – kundër Sllobodan Millosheviq në vitin 2000 u bazua në një vlerësim të ngjashëm.

Por, edhe nëse bëhet fjalë për taktikë, Bassuener tha se pyetja mbetet se sa i mençur është ky hap.

“Javën e kaluar, një zyrtar i një shteti anëtar të BE-së më tha se ‘nuk ekziston alternativë e qëndrueshme’ ndaj Aleksandar Vuçiqit në politikën serbe”, shtoi ai.

Bassuener theksoi se BE-ja, edhe pse është disi më “kritike” ndaj Vuçiqit dhe gjithnjë e më e “zemëruar” me të, në thelb vazhdon ta mbështesë atë.

Ai vlerësoi se në Bruksel dhe mes qeverive të shteteve anëtare të BE-së janë thellësisht të rrënjosura reflekset “legjitimiste” dhe një kujdes i madh ndaj marrjes së rrezikut.

“Dyshoj se narrativët që [në Kralevë] ishin në plan të parë do ta ndryshojnë këtë qëndrim të BE-së dhe bashkëbiseduesve të saj. E gjithë kjo duket shumë e kthyer nga e kaluara”, tha Bassuener.

Përveç kësaj, ai theksoi se tema të tilla nacionaliste e dobësojnë edhe solidaritetin rajonal me studentët.

“Përfshirja e Novi Pazarit dhe solidariteti i ndërsjellë me atë qytet tregojnë një histori krejt tjetër. Megjithatë, mbetet e hapur pyetja se çfarë marrëdhënie do të kishte Serbia nën udhëheqjen e studentëve me fqinjët e saj”, shtoi ai.

Përveç normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, kushtet për përparim të mëtejshëm të Serbisë drejt BE-së janë sundimi i ligjit, liria e mediave dhe vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

/Marrë nga Radio Evropa e Lirë. Titulli origjinal: Protestat në Serbi: Me narrativin për Kosovën kundër pushtetit në Beograd

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

25°c

KËMBIMI EURO

94.16

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI