
Protestës së 30-të për largimin e Edi Ramës i janë bashkuar edhe 5 eurodeputetë nga Gjermania, Holanda dhe Italia. Tineke Strik, Daniel Freund, Cristina Guarda, Jutta Paulus dhe Anna Strolenberg kishin mbajtur më herët edhe disa takime me grupe të ndryshme koordinatorësh për protestën. Më pas ata kanë mbajtur edhe fjalinë më protestë.
Eurodeputetja gjermane Tineke Strik u shpreh se fjala e qytetarëve shqiptarë do të dëgjohet edhe në Bruksel. Ajo theksoi se kjo protestë tregon se populli shqiptar nuk e pranon mohimin e të drejtës së fjalës.
“Solidaritet me popullin shqiptar që proteston. Vijoni me mobilizimin në protestë, fjala juaj do shprehet edhe në Bruksel. Do luftojmë për të njëjtat vlera si shqiptarët, për demokraci. Kjo tregon se populli shqiptar nuk e pranon mohimin e të drejtës së fjalës dhe se qeverisja duhet të dëgjojë qytetarët dhe jo njerëzit e pasur” deklaroi eurodeputetja.
Ndërsa eurodeputetja Anna Strolenberg ka deklaruar para protestuesve se kryeministri Edi Rama duhet të dëgjojë kërkesat e qytetarëve, pasi janë të qarta. Gjatë fjalës së saj, Strolenberg u shpreh se shqiptarët po protestojnë për vlerat evropiane.
“Ajo për të cilën po protestoni janë vlera evropiane: mbrojtja e natyrës, lufta ndaj korrupsionit, transparenca, demokracia. Jam këtu për t’ju mbështetur. Ka shumë njerëz nga shumë sfonde, duam që Shqipëria të shkojë në BE, por nëse doni të shkoni, Edi Rama duhet të dëgjojë. Edi Rama, a po na dëgjon? Ai duhet të dëgjojë, kërkesat janë të qarta: mos u ngatërro me shqiptarët, lufto korrupsionin dhe mbro natyrën!” – tha Strolenberg.
Edhe eurodeputetja italiane Christina Guarda i ka dhënë një mesazh Ramës se nuk hyhet në Europë duke u përulur, por me kokën lart.
“Na keni mësuar kaq shumë, na keni mësuar të mbrojmë tokën, e të jetuarit mirë në tokën tonë, na keni mësuar bukurinë e të mbrojturit të drejtat tona, të drejtën njerëzore, të mos konsumohemi nga politika e korruptuar. Dua t’ju falënderoj ju dhe diasporën shqiptare në Itali.
Faleminderit diasporës në të gjithë Europën që po protestojnë për ju. Kam një imazh, kryeministrin duke iu përulur kryeministres sime. Nuk hyhet në Europë duke u përulur, duke i shërbyer askujt hyhet me kokën lart duke e ditur se e meriton. Jam me ju Shqipëri”, tha ajo.
Ndërsa eurodeputetja gjermane Jutta Paulus tha se kryeministri Rama i kishte dërguar një email për të mos votuar një amendament.
“Natyra shqiptare është shumë e bukur dhe e mrekullueshme dhe është kaq bukur t’ju shoh që luftoni për natyrën, për flamengot dhe kundër oligarkëve që duan të shkatërrojnë atë natyrë. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur në këtë betejë dhe do përcjellim zërin tuaj në Bruksel dhe do themi se Shqipëria nuk është në shitje, natyra nuk është në shitje.
Po luftoni për vendin tuaj, por edhe për të drejtat tuaja, për t’u dëgjuar. Sepse kjo është në ligjet evropiane. Nëse Shqipëria do bashkohet me BE, që ju e meritoni kaq shumë, atëherë qeveria juaj duhet të ndryshojë ligjin, duhet të heqë ligjin që kanë ndryshuar për miliarderët dhe që nuk e bënë për të mirën e shqiptarëve, por vetëm për xhepat e tyre dhe miqtë e tyre! Faleminderit për këtë protestë edhe pse qeveria kërkon t’ju intimidojë dhe t’ju largojë nga të drejtat tuaja” – tha Tienke.
“Unë mora email nga Edi Rama duke më thënë të mos votoj për një amendament, por sigurisht ne votuam për atë amendament sepse ligji evropian duhet të jetë në fuqi dhe ai nuk është për shitje po ashtu! Vijoni betejën tuaj, do bëjmë më të mirën për të mbështetur luftën tuaj në Bruksel. Shqiptarët meritojnë më shumë se qeveria e tyre” – tha ajo.
Protestës i është bashkuar edhe eurodeputetja greke Vula Tsetsi. Gjatë fjalës së saj para Kryeministrisë, Tsetsi u shpreh se nuk ka zgjerim të BE-së me Shqipërinë nëse Rama e shet vendin tek të huajt.
“Sot keni 30 ditë protestë dhe prej jush ajo që po ndodh nuk njihet vetëm në BE, por edhe më gjerë dhe urime! Çdo gjë që kërkoni është falë jush, sepse nuk mbroni vetëm natyrën tuaj. Shqipëria nuk është në shitje!
Ju po mbroni të drejtat tuaja, dinjitetin tuaj, shtetin tuaj, zgjerimin në BE. Nuk ka zgjerim të BE-së me Shqipërinë nëse Rama e shet vendin tek të huajt dhe nuk dëgjon zërin tuaj. 90% prej jush besoni në projektin e BE-së dhe këtë duam ta nderojmë.
Duam që Komisioni Europian të ushtrojë presion ndaj Ramës që të heqë dorë! Gjithashtu duhet të bëjmë një apel te miqtë tanë socialdemokratë sepse Rama është me socialdemokratët. Miqtë tanë atje duhet të zgjohen dhe t’ju mbrojnë. Ndaj mos u dorëzoni, çdo ditë është një ditë fitoreje! Jo vetëm për demokracinë, por për ju edhe për ne, sepse Shqipëria duhet të jetë në BE” – tha Tsetsi. ©LAPSI.al