Flash

“Shqipëria nuk është në shitje’ jehon në Bruksel: Eurodeputetët kundër resortit në zonën e mbrojtur

Lapsi.al 17 June 2026

Debati për projektet turistike në Sazan dhe Zvërnec ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe ka mbërritur në Parlamentin Europian. Të martën, gjatë debatit për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, disa eurodeputetë ngritën shqetësime për ndikimin mjedisor të investimeve të planifikuara në zonat e mbrojtura. Ata përmendën edhe protestat që prej javësh po zhvillohen në vend.

Një nga zërat më kritikë ishte eurodeputeti gjerman Sebastian Everding, zëvendëskryetar i Delegacionit BE-Shqipëri. Everding, i cili e nisi fjalën e tij duke thënë në shqip "“Shqipëria nuk është në shitje!”, iu referua protestave për mbrojtjen e Lagunës së Nartës, duke theksuar se mijëra qytetarë shqiptarë po kërkojnë transparencë dhe mbrojtjen e një prej zonave më të rëndësishme ligatinore të Mesdheut. Sipas tij, protesta ka tejkaluar dimensionin mjedisor dhe është kthyer në një kërkesë më të gjerë për llogaridhënie dhe respektim të interesit publik. Eurodeputeti paralajmëroi gjithashtu se korrupsioni dhe dëmtimi i mjedisit mund të minojnë besimin e qytetarëve te institucionet dhe te perspektiva europiane e vendit.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe eurodeputetja holandeze e grupit të Të Gjelbërve, Tineke Strik, e cila i kushtoi një pjesë të fjalës së saj projektit të planifikuar në Zvërnec. Ajo kërkoi vendosjen e një moratoriumi për ndërtimin e resortit. Strik argumentoi se zhvillimi ekonomik nuk mund të vijë në kurriz të zonave të mbrojtura natyrore.

Mbështetje për protestat qytetare në Shqipëri shprehu edhe eurodeputetja italiane Ilaria Salis. Gjatë debatit në Parlamentin Europian, ajo e cilësoi angazhimin e qytetarëve shqiptarë si një shembull të rëndësishëm për Europën. Sipas Salis, protestat përfaqësojnë një reagim kundër politikave që, sipas saj, nuk mbrojnë interesin publik. Salis tha se zhvillimet në Shqipëri nuk duhet të shihen vetëm si një debat për një projekt të caktuar, por si pjesë e një përballjeje më të gjerë mes interesit publik dhe interesave ekonomike.

Debati në Parlamentin Europian u zhvillua vetëm një ditë pasi Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Komisioni Europian ka marrë garanci nga qeveria shqiptare se projektet do t'i nënshtrohen një vlerësimi të plotë të ndikimit në mjedis dhe se standardet europiane do të respektohen. Pas deklaratës së komisioneres reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se institucionet europiane janë informuar në detaje për procedurat administrative që lidhen me projektet në Sazan dhe Zvërnec dhe se qëndrimi i Komisionit Europian pasqyron faktet e paraqitura nga autoritetet shqiptare.

Diskutimi në Parlamentin Europian lidhet drejtpërdrejt me raportin e progresit të Shqipërisë, ku janë depozituar amendamente nga eurodeputetë të grupit parlamentar “Të Majtë”. Amendamentet kërkojnë referenca më të forta për ndikimin mjedisor të projekteve strategjike dhe shprehin shqetësim për zhvillimet e planifikuara në Sazan dhe Vjosë-Nartë. Votimi përfundimtar për raportin e Shqipërisë pritet të zhvillohet këtë të mërkurë në mesditë. 

Të këshilluara

ide

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

Pse Rama e lidhi Kushnerin me një trafikant

Edhe familjes Trump, në një vend ku është e pamundur të bësh para pa u bërë pis, nëse nuk do i qëllonte Artur Shehu, patjetër do i binte për pjesë dikush i ngjashëm me të

12:58 Andi Bushati

MOTI TIRANA

25°c

KËMBIMI EURO

92.85

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI