
Në Gjykatën Penale të Brukselit ka nisur procesi gjyqësor ndaj katër personave, të cilët dyshohet se janë anëtarë të një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës, me degëzime në Amerikën e Jugut. Hetimi nisi në nëntor të vitit 2024, kur policia u thirr për një rast pengmarrjeje në një garazh.
Natën mes të martës, 26 nëntor, dhe të mërkurës, 27 nëntor 2024, rruga Bergensesteenweg në Bruksel u bllokua për disa orë për shkak të një operacioni policor, pasi ishte marrë një njoftim për një pengmarrje në një garazh.
Në vendngjarje, policia gjeti disa shtetas shqiptarë dhe një shtetas holandez, por të gjithë personat e përfshirë refuzuan të jepnin deklarata.
Telefonat e tyre celularë u sekuestruan dhe iu nënshtruan ekzaminimit. Pas analizimit të tyre, hetuesit arritën të zbardhnin strukturën e një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës.
U zhduk një ngarkesë droge
Nga hetimet dyshohet se personat nën akuzë janë pjesë e një organizate kriminale me lidhje në Amerikën e Jugut dhe se të paktën dy prej të dyshuarve shqiptarë ishin dërguar në Belgjikë për të zgjidhur probleme të brendshme të organizatës.
Një shtetas holandez, i cili merrej me rekrutimin e personave që nxirrnin drogën nga kontejnerët në portin e Anversës, dyshohet se kishte krijuar borxhe pasi ishte zhdukur një ngarkesë droge.
Kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit
Për këtë arsye, burri dyshohet se ishte mbajtur kundër vullnetit të tij nga shtetasit shqiptarë në një garazh në Beersel, në pritje të shlyerjes së borxhit.
Sipas një burimi pranë hetimit, të dyshuarit shqiptarë kishin një rol drejtues brenda organizatës kriminale ndërkombëtare. Ata merreshin me organizimin e nxjerrjes së ngarkesave të drogës nga kontejnerët, të cilët futeshin kontrabandë në Belgjikë përmes portit të Anversës.
I gjithë procesi gjyqësor u shty që në fillim të seancës së së hënës, për në fillim të vitit 2027.
Arsyeja ishte se avokati i njërit prej të pandehurve kishte paraqitur, pak para fillimit të seancës, një kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit nga çështja.
Tashmë gjyqtari ka 48 orë kohë për t'u tërhequr nga çështja. Nëse ai refuzon, do të jetë Gjykata e Apelit ajo që do të marrë vendimin për këtë kërkesë.