Flash

Projektligji anti-SLAPP: Një nismë e pamjaftueshme për mbrojtjen e gazetarëve

Projektligji i qeverisë për mbrojtjen e gazetarëve dhe aktivistëve nga paditë abuzive konsiderohet si një hap i rëndësishëm, por i pamjaftueshëm nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët shohin me rezerva fuqinë e dispozitave për të parandaluar këto padi, kryesisht në procedimet penale dhe administrative.

21:09

Parlamenti Europian: Shqipëria, korrupsioni dhe dobësitë institucionale mbeten sfida

Lapsi.al 13 November 2026

Parlamenti Europian: Shqipëria, korrupsioni dhe dobësitë

Një raport i publikuar nga Parlamenti Europian analizon ecurinë e Shqipërisë në procesin e Integrimit Europian, duke evidentuar arritjet, problematikat dhe sfidat që vendi duhet të adresojë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Raporti ndalet në disa fusha kryesore, ku vlerëson reformat e ndërmarra dhe evidenton çështjet që kërkojnë më shumë vëmendje.

PE ka vlerësuar hapjen e të gjashtë grupkapitujve të negociatave dhe mbylljen e përkohshme të tre kapitujve të parë. Në raport thuhet se SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë shënuar rezultate në hetimin e korrupsionit në nivele të larta, por vendi vijon të përballet me probleme në sundimin e ligjit, pavarësinë e institucioneve dhe funksionimin e administratës.

Shqipëria është renditur mes vendeve më përpara në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, duke shënuar përparim të shpejtë në negociatat e anëtarësimit. Megjithatë, përparimi në miratimin e ligjeve dhe hapjen e kapitujve nuk është shoqëruar në të njëjtën masë me rezultate në funksionimin e institucioneve dhe zbatimin e reformave.

Negociatat me BE-në dhe objektivi i vitit 2027

Sipas raportit, integrimi europian ka qenë një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme dhe të brendshme të Shqipërisë që prej rënies së komunizmit. Në raport theksohet se Shqipëria iu bashkua Procesit të Stabilizim-Asociimit në vitin 1999, nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në vitin 2006, aplikoi për anëtarësim në vitin 2009 dhe mori statusin e vendit kandidat në vitin 2014.

Negociatat e anëtarësimit u hapën në korrik të vitit 2022. Pas kësaj, Shqipëria arriti të hapë të gjashtë grupkapitujt negociues gjatë viteve 2024–2025. Një tjetër moment i rëndësishëm ishte maji i vitit 2026, kur vendi përmbushi kriteret e ndërmjetme për grupkapitullin e parë, që lidhet me çështjet themelore të anëtarësimit. Në korrik 2026 u mbyllën përkohësisht tre kapitujt e parë, duke kaluar negociatat në fazën e mbylljes së kapitujve.

Raporti vlerëson se Shqipëria synon të përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2027, por e cilëson këtë objektiv ambicioz. Sipas autorëve, arritja e tij nuk do të varet vetëm nga ritmi i negociatave, por sidomos nga zbatimi i qëndrueshëm i reformave në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Reforma në drejtësi dhe rezultatet e SPAK

Sipas raportit, reforma në drejtësi e nisur në vitin 2016 vlerësohet si një nga ndryshimet më të rëndësishme institucionale në Shqipëri. Në dokument thueht se procesi i vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët ka sjellë një ristrukturim të gjerë të sistemit gjyqësor, duke konfirmuar, larguar ose nxitur dorëheqjen e një pjese të konsiderueshme të magjistratëve. Raporti e konsideron këtë reformë një dëshmi të vullnetit politik për të adresuar problemet e sistemit të drejtësisë, megjithëse procesi ka shkaktuar edhe vështirësi në funksionimin e institucioneve.

Një vlerësim pozitiv jepet për Prokurorinë e Posaçme, SPAK, dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Sipas dokumentit, këto institucione kanë krijuar një bilanc në rritje në hetimin e çështjeve të korrupsionit në nivele të larta dhe kanë luajtur rol të rëndësishëm në trajtimin e rasteve që përfshijnë zyrtarë të lartë dhe persona me ndikim politik.

Megjithatë, raporti thekson se dënimet në çështjet e profilit të lartë duhet të konsolidohen më tej. Po ashtu, ngrihen shqetësime për ndikimin politik në zbatimin e ligjit jashtë SPAK-ut, si dhe për efektivitetin e sekuestrimit dhe rikuperimit të pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme.

Korrupsioni, sundimi i ligjit dhe problemet e qeverisjes

Pavarësisht progresit në reformën ligjore, dokumenti evidenton një hendek mes ndryshimeve të miratuara në letër dhe rezultateve konkrete në funksionimin e institucioneve. Sipas raportit, sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe respektimi i të drejtave themelore mbeten ndër fushat kryesore ku Shqipëria duhet të përparojë.

Raporti ndalet edhe te polarizimi i fortë politik, marrëdhëniet konfliktuale mes partive dhe krizat e përsëritura institucionale që kanë shoqëruar periudhën pas komunizmit. Përqendrimi i pushtetit politik dhe dominimi i një partie në disa periudha kanë ngritur shqetësime për funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës së pushteteve.

Po ashtu, aktorë të opozitës dhe të shoqërisë civile kanë ngritur pikëpyetje për zbatimin selektiv të reformave në drejtësi dhe përdorimin e procedimeve antikorrupsion në çështje me ndjeshmëri politike. Treguesit ndërkombëtarë të përdorur në studim evidentojnë mangësi në pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e medias, pluralizmin dhe llogaridhënien. Banka Botërore evidenton gjithashtu dobësi në sundimin e ligjit dhe kontrollin e korrupsionit, ndonëse raporti përmend përmirësime graduale.

Media dhe shoqëria civile

Një tjetër çështje e trajtuar në dokument është gjendja e medias dhe roli i organizatave të shoqërisë civile në monitorimin e reformave. Raporti vëren se organizatat e shoqërisë civile, institucionet akademike dhe mediat e pavarura kanë luajtur rol aktiv në mbikëqyrjen e proceseve dhe nxitjen e përfshirjes qytetare. 

Megjithatë, Komisioni Europian ka evidentuar shqetësime për përqendrimin e pronësisë së medias, qëndrueshmërinë financiare të organizatave të shoqërisë civile dhe kufizimet që has herë pas here gazetaria investigative. Në këtë kuadër, dokumenti thekson nevojën për forcimin e pluralizmit mediatik dhe krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm për veprimtarinë e shoqërisë civile.

Protestat për projektin në Zvërnec

Raporti ndalet edhe te protestat e zhvilluara në Tiranë në qershor të vitit 2026 kundër një projekti zhvillimor në zonën e Zvërnecit. Sipas raportit, protesta nisi për shkak të shqetësimeve mbi mungesën e transparencës, respektimin e standardeve mjedisore dhe rrezikun e tjetërsimit të pronës shtetërore. Më pas, ajo u shndërrua në një reagim më të gjerë për qeverisjen e mirë dhe respektimin e parimeve demokratike.

Çështja mori vëmendje edhe në institucionet europiane. Parlamenti Europian shprehu shqetësime për projektin dhe kërkoi pezullimin e procedurave të reja të lejeve deri në garantimin e përputhshmërisë me standardet e BE-së. Gjithashtu, kërkoi rishikimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura.

Shqipëria dhe politika e jashtme e Bashkimit Europian

Në fushën e politikës së jashtme, Shqipëria vlerësohet si një nga vendet me përputhshmërinë më të lartë me qëndrimet e Bashkimit Europian. Raporti nënvizon se vendi ka mbështetur deklaratat, qëndrimet dhe masat kufizuese të BE-së, përfshirë ato të ndërmarra pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

Anëtarësimi në NATO dhe orientimi euroatlantik përmenden si elemente që e kanë vendosur politikën e jashtme dhe të sigurisë së Shqipërisë në të njëjtën linjë me partnerët europianë dhe perëndimorë. Dokumenti vlerëson gjithashtu pjesëmarrjen e Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe kontributin në operacionet e menaxhimit të krizave dhe të paqes të Bashkimit Europian.

Megjithatë, një nga rekomandimet është forcimi i qëndrueshmërisë ndaj kërcënimeve hibride dhe dezinformimit, duke qenë se ndikimi i jashtëm nuk kufizohet vetëm te politika e jashtme, por mund të prekë edhe besimin e qytetarëve te institucionet.

Mbi 90 për qind e qytetarëve mbështesin anëtarësimin në BE

Mbështetja e qytetarëve për integrimin europian cilësohet si një nga pikat më të forta të Shqipërisë. Sipas të dhënave të përmendura në raport, mbështetja për anëtarësimin në Bashkimin Europian ka qenë vazhdimisht mbi 80–90 për qind në sondazhet e viteve të fundit. Në përmbledhjen ekzekutive të studimit, kjo mbështetje paraqitet në mënyrë të qëndrueshme mbi 92 për qind, ndër nivelet më të larta në Ballkanin Perëndimor.

Autorët vlerësojnë se ky konsensus shoqëror përbën një mbështetje të rëndësishme politike për procesin e integrimit dhe ndihmon në ruajtjen e reformave edhe në periudha të vështira të politikës së brendshme. Megjithatë, dokumenti paralajmëron se mbështetja e lartë për anëtarësimin nuk duhet të ngatërrohet me kënaqësinë e qytetarëve për ritmin dhe mënyrën se si po realizohet procesi.

Integrimi ekonomik dhe përfitimet nga tregu europian

Shqipëria ka nisur integrimin ekonomik me Bashkimin Europian shumë përpara hapjes së negociatave të anëtarësimit. Ky proces lidhet me Procesin e Stabilizim-Asociimit, të nisur në vitin 1999, dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, të nënshkruar në vitin 2006. Sipas raportit, kjo marrëveshje e afroi Shqipërinë me tregun europian dhe e bëri BE-në partnerin kryesor tregtar dhe të investimeve për vendin.

Ky proces është plotësuar nga bashkëpunimi në sektorin e energjisë përmes Komunitetit të Energjisë dhe integrimi ekonomik rajonal përmes Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore, CEFTA. Studimi thekson se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe instrumentet e tjera të integrimit gradual mund të sjellin përfitime ekonomike përpara anëtarësimit të plotë, duke përfshirë bashkëpunimin në energji, transport dhe tregti.

Shqipëria si një nga dy vendet më të avancuara në rajon

Në përfundimet e tij, studimi e rendit Shqipërinë dhe Malin e Zi si dy vendet që kanë përparuar më shumë në procesin aktual të zgjerimit të Bashkimit Europian. Sipas raportit, përvoja e Shqipërisë tregon se përparimi në negociata mund të përshpejtohet kur ekziston angazhim politik, zbatim i kushteve të vendosura nga BE-ja dhe një perspektivë e besueshme anëtarësimi.

Në dokument nënvizohet gjithashtu se hapja e kapitujve dhe miratimi i ligjeve nuk mjaftojnë. Përparimi duhet të shoqërohet me institucione funksionale, rezultate të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit, pavarësi të drejtësisë, llogaridhënie demokratike dhe administratë publike më efektive. Raporti thekson ndër të tjera se realizimi i objektivit për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 do të varet nga aftësia e Shqipërisë për t'i kthyer reformat ligjore në rezultate konkrete dhe të qëndrueshme. /Marrë nga Dosja.al

Të këshilluara

Projektligji anti-SLAPP: Një nismë e pamjaftueshme për mbrojtjen e gazetarëve

Projektligji i qeverisë për mbrojtjen e gazetarëve dhe aktivistëve nga paditë abuzive konsiderohet si një hap i rëndësishëm, por i pamjaftueshëm nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët shohin me rezerva fuqinë e dispozitave për të parandaluar këto padi, kryesisht në procedimet penale dhe administrative.

21:09

ide

Pas parave në Gjermani qëndron Edi Rama

Pagesat për ish shefen e SHISH nga tenderat e trukuar të AKSH dëshmojnë maninë e çuditshme për të kompromentuar me paratë e shtetit edhe zyrtarët e tij. Nuk ka rëndësi se Vlora Hyseni ishte emëruar nga vetë Rama, nuk kishte vlerë se ajo konsiderohej një besnike e verbër, pa qenë e kooruptuar ajo nuk mund të quhej një shërbëtore e devotshme

15:14 Andi Bushati

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

90.71

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI