
Protesta qytetare kundër qeverisë hyri sot në ditën e 63-të. Si çdo mbrëmje, qytetarët do të mblidhen në sheshin "Skënderbej". Më pas do të marshojnë drejt Kryeministrisë, për të mbajtur fjalime nga aktivistë dhe pjesëmarrës në protestë.
Protestuesit kanë përsëritur se nuk do të tërhiqen. Ata e konsiderojnë faktin që kanë më shumë se dy muaj protestë të pandërprerë si provë të qëndresës së tyre dhe thonë se mobilizimi do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave. Kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Krahas saj, protestuesit kërkojnë krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshime kushtetuese që, sipas tyre, do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në përfundim të tubimit, protestuesit zhvillojnë marshimin e përnatshëm në rrugët e Tiranës, nën thirrjet "Rama, ik", "Dorëheqje", "Shqipëri e re" dhe "Revolucion".