Flash

Debate për Zvërnecin në Parlamentin Europian: Të ndryshojë rezoluta për Shqipërinë

Lapsi.al 16 June 2026

Protestat masive në Shqipëri dhe më gjerë për shkak të projektit të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Zvërnec kanë marrë vëmendjen e debatit për vendin tonë në Parlamentin Europian. 

Raportuesi për Shqipërinë Andreas Schieder tha se Shqipëria do të duhet të përmbushë të gjitha standardet europiane për realizimin e këtij projekti.

“Jam i bindur se të gjitha instrumentet ligjore të BE-së që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e zonave natyrore, mbrojtjen e shpendëve dhe kafshëve të tjera, ky tërësi instrumentesh legjislative do të jetë shumë efektive. 

Kjo do të thotë se standardet europiane do të zbatohen në Shqipëri, sepse jam i bindur se Shqipëria nuk dëshiron të rrezikojë pozicionin e saj në këtë proces", - tha Schieder.

Eurodeputetë të grupit “Të majtët” kanë propozuar amendamente në rezolutën për Shqipërinë, mes të cilëve është edhe shqetësimi për resortin luksoz të dhëndrit të Presidentit amerikan Trump.

Amendamenti është propozuar nga eurodeputetët Ilaria Salis, Danilo Della Valle, Emma Fourreau, Rima Hassan, Hanna Gedin, Jonas Sjöstedt, Sebastian Everding dhe fokusohet te mbrojtja e mjedisit në Shqipëri dhe investimi i planifikuar në Zvërnec.

“Shpreh keqardhje të thellë për faktin se Ligji shqiptar i vitit 2015 për Investimet Strategjike është zgjatur, duke pasur parasysh dispozitat e tij që mundësojnë procedura të përshpejtuara të dhënies së lejeve dhe reduktojnë shqyrtimin mjedisor, çka rrezikon të ndikojë negativisht në zonat e mbrojtura dhe zona të tjera mjedisore të ndjeshme; 

Bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore; 

Shpreh, për rrjedhojë, shqetësim lidhur me marrëveshjen e qeverisë me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e një projekti resorti luksoz në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës; 

Bën thirrje për mbështetje të hetimit kundër korrupsionit që aktualisht po zhvillohet nga SPAK në këtë kontekst; kërkon që e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore të garantohet kundër shtypjes nga kompanitë private të sigurisë, siç ndodhi gjatë përplasjeve të ndodhura në fund të majit 2026”,- thuhet në amendamentin e propozuar.

Ndërsa një tjetër amendament thuhet: “Thekson faktin se Komisioni e ka paralajmëruar Shqipërinë kundër veprimeve që mund të ndikojnë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, në mes të protestave kombëtare në vazhdim lidhur me një projekt zhvillimi luksoz në shkallë të gjerë që kërcënon një zonë të mbrojtur natyrore, habitat i flamingove, fokave dhe vendeve të folezimit të breshkave; 

në këtë drejtim, i bashkohet kritikave të Komisionit dhe rikujton se përafrimi me rregullat mjedisore të Bashkimit Europian, përfshirë Direktivën për Shpendët dhe Direktivën për Habitatet, është një parakusht për anëtarësimin në BE.”

Grupi politik “Të majtët” kërkon që pasi Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian, marrëveshja për emigrantët me Italinë të pushojë së zbatuari dhe qendrat italiane të ndalimit të emigrantëve në Gjadër të mbyllen. ©LAPSI.al

Të këshilluara

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI