Flash

Bujqësia, midis konsolidimit dhe rënies

Lapsi.al 7 February 2026
Bujqësia, midis konsolidimit dhe rënies

Eksportet e prodhimeve të freskëta u rritën me ritme dyshifrore si në vlerë dhe në sasi gjatë 8-mujorit 2025, por nga ana tjetër, sektori thelloi më tej rënien me 2.6% në 6-mujorin e parë. Fermerët dhe eksportuesit pohojnë se bujqësia po konsolidohet në ferma të mëdha të specializuara për eksport, teksa po falimentojnë fermat e vogla të bujqësisë tradicionale. Arsyet pse importet dhe eksportet e ushqimeve po rriten njëkohësisht. Kostot e anëtarësimit që po vënë me shpatulla pas muri bujqësinë. Serbia është partneri kryesor në eksporte, teksa tregjet e BE-së shfaqin luhatje.

Frutat dhe zarzavatet dy vitet fundit kanë rritur ndjeshëm vlerën dhe sasinë e eksporteve. Kultivimi i tyre zakonisht bëhet në ferma të specializuara në shumë hektarë, si në serrë dhe në fushë për t’u eksportuar. Fermeri Ziu thotë se nuk po zgjerohet baza e njerëzve që po merret me bujqësi, përkundrazi numri i tyre po tkurret çdo ditë, por disa ferma të mëdha po zgjerojnë sipërfaqet, tha ai.

Në anën tjetër, sektori bujqësor thelloi tkurrjen këtë vit me -2.6% në 6-mujorin e parë. Bujqësia është në vitin e pestë të rënies, si volum prodhimi. Ruzhdi Koni, eksportues me përvojë i prodhimeve bujqësore, tha se rritjet e shitjeve jashtë vendit po pasqyrojnë evolucionin e segmentit eksportues të bujqësisë, i cili është bërë gjithnjë e më i specializuar dhe më i lidhur me tregjet europiane.

Kjo, sipas tij, ka mundësuar rritjen e vlerës dhe sasisë së eksportit, pavarësisht sfidave të përgjithshme që po kalon sektori. Të dhëna nga INSTAT treguan se punësimi në sektorin bujqësor shënoi rënie vjetore me 10% në tremujorin e tretë të këtij viti, duke reflektuar edhe tkurrjen e fortë të popullsisë në fshat.

Në të njëjtën kohë, me rritjen e eksporteve bujqësore, po rriten edhe importet. Në 10-mujorin e këtij viti, grupi i ushqimeve shënoi rritje me 2% në sasi dhe në 3.4% në vlerë. Në mungesë të prodhimit të gjerë në ferma të vogla për treg dhe për vetëkonsum, tregu po furnizohet nga jashtë.

Në mes të problemeve me copëzimin e lartë, mungesën e subvencioneve, prodhuesit përballen me humbje të larta pas korrjeve. Më shumë se 25% e prodhimit në disa kultura përfundon në mbetje pas të korrave, për shkak të çmimit të ulët, ose mungesës së kapaciteteve magazinuese.

Pse po rriten eksportet

Zoti Koni thotë se rritja e eksporteve bujqësore lidhet me disa faktorë që kanë vepruar pas pandemisë. Së pari, çmimet ndërkombëtare të frutave dhe zarzavateve janë rritur ndjeshëm pas vitit 2022, për shkak të inflacionit në grupin e ushqimeve. Në të njëjtën kohë, ndryshimet klimatike dëmtuan prodhuesit e rëndësishëm si Italia, Spanja dhe Greqia. Shqipëria ka përfituar nga kjo situatë, duke qenë në gjendje të ofrojë produkte konkurruese në momente kur furnizuesit tradicionalë kishin ulur volumet. Kjo ka bërë që vlera e eksporteve të rritet dhe volumi real i prodhimit mund të ketë qenë më i moderuar.

Në shumë raste, eksportuesit shqiptarë kanë shitur sasi të ngjashme me të një vit më parë, por me çmime dukshëm më të larta, duke gjeneruar një rritje të shpërndarë në të gjithë zinxhirin ofertues.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka konsoliduar një bërthamë të prodhuesve të mëdhenj, të aftë të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare. Zoti Ziu tha se investimet në serra në zonat e Lushnjës, Divjakës, Fierit dhe Krujës, së bashku me përhapjen e teknologjive moderne të vaditjes, plehërimit të kontrolluar dhe cikleve të prodhimit gjatë gjithë vitit, kanë rritur ndjeshëm vëllimin e prodhimit të orientuar drejt eksportit. Këta prodhues tani operojnë me kontrata të qëndrueshme me kompani grumbulluese dhe tregtarë eksporti. Një rol të madh ka edhe ngritja e kapaciteteve të përpunimit dhe ruajtjes në magazina frigoriferike, linja seleksionimi, paketimi dhe certifikime si GlobalG.A.P.

Të dhënat tregojnë se çmimet e eksporteve po vijnë në rënie pas rritjes post-pandemike. Nga viti 2021 deri në 2023, eksportet e grupit të ushqimeve në Lek u rritën dukshëm, nga rreth 35.9 miliardë lekë në vitin 2021 në mbi 46.3 miliardë lekë në vitin 2023.

Kjo periudhë shoqërohet edhe me rritje të sasisë së eksportuar, fakt që tregon ecuri pozitive të sektorit, e ndikuar si nga kërkesa e jashtme, ashtu edhe nga çmimet më të larta të produkteve ushqimore në tregjet ndërkombëtare.

Në vitin 2024, megjithëse sasia e eksporteve rritet sërish, pati një ulje të theksuar të çmimit mesatar për kilogram, i cili zbret nga 142.3 lekë/kg në vitin 2023 në vetëm 111.3 lekë/kg në vitin 2024.

Kjo për shkak se çmimet në tregjet ndërkombëtare ranë dhe gjithashtu u rrit eksporti i bostanit që peshon më shumë, po kushton më pak. Në vitin 2025, vlera e eksporteve të ushqimeve ra më tej duke arritur në 108.7 lekë/kg në 10-mujorin 2025, niveli më i ulët i pesëvjeçarit. Kjo tregon se rritja e eksporteve në vlerë këtë vit nuk është pasojë e çmimeve më të larta, por nga zgjerimi i volumit të eksporteve.

Megjithatë, ky zhvillim pozitiv në segmentin eksportues ekziston paralelisht me një tkurrje të dukshme të bujqësisë në shkallë kombëtare.

Arsyeja kryesore është emigrimi masiv i fuqisë punëtore rurale, i cili ka lënë pas parcela të shumta të papunuara dhe ka shtuar kostot e prodhimit për fermerët që vijojnë aktivitetin.

Shumë ferma të vogla nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet gjithnjë e më të larta për plehra, farëra, pesticidet dhe naftën bujqësore, duke rezultuar në braktisje të tokës vit pas viti. Rënia e investimeve në fermat e vogla dhe të mesme në bujqësi ka reduktuar prodhimin total, duke bërë që sektori në tërësi të japë kontribut më të ulët në ekonomi.

Rriten edhe importet e ushqimeve

Gjatë periudhës janar-tetor 2025, importet e ushqimeve u rritën si në vlerë dhe në sasi. Të dhënat zyrtare tregojnë se u importuan 135 miliardë lekë ushqime (rreth 1.4 miliardë euro) ose 28% më shumë se në 10-mujorin 2021.

Rritja e qëndrueshme e importeve po vjen në një kohë që popullsia e vendit po tkurret, sidomos në moshat e reja që janë edhe konsumatorët më të mëdhenj.

Një pjesë e mirë e prodhimit bujqësor shqiptar nuk është më konkurrues në tregun e brendshëm, ku çmimet janë shpesh më të ulëta se ato të tregjeve të jashtme. Kjo ka bërë që prodhuesit më të mirë ta zhvendosin fokusin drejt eksporteve, duke lënë konsumatorin vendas gjithnjë e më të varur nga importet, sidomos për produkte sezonale.

Fermeri Ziu thotë se eksportet po rriten jo sepse prodhimi vendas është i mjaftueshëm, por sepse pjesa më cilësore dhe me rendiment më të lartë e prodhimit kanalizohet drejt tregut të huaj, siç edhe ai po vepron me prodhimet e veta. Gjithashtu importet në sektorin e bujqësisë po nxiten edhe nga flukset turistike, të cilat në vend që të nxisin prodhimin vendës kanë rritur importet, jo vetëm në bujqësi, po në të gjithë zinxhirin e turizmit.

Ekspertët pohojnë se bujqësia ka hyrë në një proces të fortë ristrukturimi, ku nga njëra anë, një segment i modernizuar për eksport po rritet me ritme të larta dhe nga ana tjetër, bujqësia tradicionale po tkurret me shpejtësi. Në total, bujqësia mbetet ndër sektorët me rënien më të madhe të kontributit në PBB me 15.6% në vitin 2024 nga 19.2% në vitin 2014, duke nxjerrë në pah vështirësi të theksuara strukturore.

Importet e ushqimeve janë rritur si në sasi, ashtu edhe në vlerë monetare (lek), ndërsa çmimi mesatar për kilogram ka pësuar luhatje të ndjeshme gjatë periudhës 2021–2025.

Sasia e ushqimeve të importuara nisi me rreth 904.7 milionë kg në vitin 2021 në 10-mujor dhe ra lehtë në 2022, por më pas rritja bëhet e qëndrueshme vit pas viti, duke ndjekur rritjen e numrit të turistëve dhe rënien e prodhimit vendas.

Në 10-mujorin 2024, arrihet niveli 1.078 miliardë kg, ndërsa për 2025, sërish ka rritje të fortë, në 1.1 miliardë kg, duke shënuar nivelin më të lartë të pesëvjeçarit. Në vlerë monetare, importet kanë ndjekur të njëjtin trend rritës, por me luhatje më të theksuara. Pasi u ngjitën në 138 miliardë lekë në vitin 2022, bien në 121.6 miliardë lekë në 2023, për t’u rritur sërish në 130.6 miliardë lekë në 2024 dhe të projektohen në 135.1 miliardë lekë për vitin 2025.

Çmimi mesatar për kilogram ushqim të importuar ka pësuar luhatje nga krizat e viteve të fundit. Nga 116.6 lekë/kg në 2021, ai u rrit fuqishëm në 157.6 lekë/kg në 2022, si pasojë e inflacionit ndërkombëtar të ushqimeve dhe rritjes së kostove të transportit.

Më pas, çmimi shënon një korrigjim në vitet 2023 dhe 2024, duke rënë përkatësisht në 132.3 dhe 121.1 lekë/kg, gjë që sugjeron stabilizim të tregjeve ndërkombëtare.

Në 10-mujorin 2025 ka rënie sërish me 120 lekë/kg, por ende shumë më poshtë krahasuar me kulmin e 2022, duke reflektuar stabilizim pas krizës.

Dështoi sezoni i dytë i prodhimit

Sezoni i dytë i mbjelljeve që nxjerr prodhimi në dhjetor-janar në zonën e Myzeqesë po rezulton me humbje për prodhuesit, si rrjedhojë e dëmeve që sollën përmbytjet e nëntorit dhe çmimet e ulëta të produkteve në tregjet e eksportit.

Fermeri Ziu tha se Shqipëria është konkurruese për sezonin e dytë të prodhimit, për shkak të favorizimit gjeografik dhe klimës duke eksportuar me çmime të larta perime të freskëta në tregjet e rajonit dhe më gjerë, që tashmë e ka mbyllur sezonin e të korrave.

Por këtë vit, situata ka ndryshuar në dëm të fermerëve. Prodhimet për eksport në fushë – presh, lakra, karotë e etj., u dëmtuan tërësisht nga përmbytjet e nëntorit. “Humbjet e mia në këtë sezon janë 2,5 milionë lekë (të reja) pasi rreth 30 dynymë lakër të mbjella në fushë u shkatërruan”, tha Mariglen Ziu.

Nga ana tjetër, çmimi i prodhimeve të dyta në tregjet e eksportit janë shumë të ulëta për shkak se moti i ngrohtë e ka favorizuar prodhimin edhe në vendet fqinje. Kjo bëri që në tregje të ketë prodhime të mjaftueshme dhe çmimet të jenë shumë të ulëta.

Në 10-mujorin 2025, një kilogram fruta dhe zarzavate u shit nga eksportuesit me 64.9 lekë, sipas të dhënave të INSTAT, por në nëntor dhe dhjetor, çmimet janë edhe më të ulëta. Në vitin 2023, çmimi për kilogram ishte 76 lekë duke arritur nivelin më të lartë historik dhe pas kësaj po vjen me ulje.

Fermerët shqiptarë janë tërësisht të ekspozuar ndaj çmimeve të tregut, kostove të lëndëve të para dhe krizave klimatike, pasi nuk përfitojnë mbështetje financiare dhe nuk janë të përfshirë edhe në sistemin e sigurimeve.

Në vitin 2026, fermerëve do t’iu shpërndahen 5.2 miliardë lekë në formën e subvencioneve dhe granteve sipas Ministrisë së Bujqësisë. Shqipëria vijon të ofrojë shumë më pak mbështetje për bujqësinë se Europa dhe Rajoni, teksa nuk po mundemi të përfitojmë nga fondet e BE-së, për shkak të korrupsionit që u gjet në përdorimin e tyre.

Eksportet e zarzavateve, partneri kryesor Serbia, rritje e fortë me Poloninë

Eksportet e zarzavateve (pa frutat) arritën në 12.4 miliardë lekë me rritje 20% në vlerë. Tregu më i madh i eksportit këtë vit ishte me Serbinë. Drejt këtij vendi u eksportuan 2.6 miliardë lekë zarzavate, me rritje vjetore 25% duke zënë 21% të totalit të shitjeve të perimeve dhe zarzavateve nga janari në tetor 2025.

Të dhënat tregojnë qartë se struktura e eksporteve të zarzavateve shqiptare mbetet e përqendruar kryesisht në tregun rajonal, duke reflektuar një varësi të fortë nga vendet fqinje dhe Ballkani Perëndimor.

Një prirje e ngjashme vërehet edhe me Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut, ku eksportet janë rritur me ritme dyshifrore, duke konfirmuar se rajoni mbetet boshti kryesor i shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë.

Edhe Kroacia dhe Bullgaria zënë një peshë të rëndësishme në hartën e eksporteve, ndonëse dinamika është e ndryshme. Ndërsa eksportet drejt Bullgarisë janë rritur ndjeshëm me 26%, Kroacia shfaq rënie të lehtë, duke sinjalizuar luhatje të kërkesës ose ndryshime në strukturën e produkteve të eksportuara. Në tërësi, Ballkani vazhdon të dominojë, jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike, por edhe për shkak të kostove më të ulëta logjistike dhe lidhjeve tradicionale tregtare.

Zoti Koni tha se ka pasur rritje të fortë në pranverë, të lakrës dhe bostanit në tregjet e reja të BE-së, sidomos në Poloni dhe në disa vende nordike. Eksportet e zarzavateve të freskëta në tregjet e Bashkimit Europian shfaqen më të fragmentuar. Italia, historikisht një nga partnerët kryesorë të Shqipërisë, shënon rënie të fortë të eksporteve, me mbi 38% më pak krahasuar me një vit më parë, duke dhënë një sinjal shqetësues për dobësimin e kërkesës ose zhvendosjen e flukseve tregtare.

Një rënie e ndjeshme vërehet edhe në Francë, Zvicër dhe Norvegji, gjë që tregon se eksportet shqiptare në disa nga tregjet e zhvilluara europiane po përballen me vështirësi.

Megjithatë, ka edhe përjashtime pozitive brenda BE-së. Eksportet drejt Gjermanisë u rritën me 97%, në Poloni, me 106%; në Rumani, 66%, dhe në Suedi, 145%, me rritje të fortë, për shkak të bazës së ulët që kanë, por edhe faktit se në këto tregje ka hapësirë për zgjerim dhe se disa sektorë po arrijnë të depërtojnë më mirë.

 

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

23°c

KËMBIMI EURO

94.21

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI