Flash

India i hap dyert, por jo portofolin Putin: Vizitë historike pa marrëveshje të mëdha

Lapsi.al 5 December 2025
India i hap dyert, por jo portofolin Putin: Vizitë historike pa

Vizita e Vladimir Putinit në Indi ishte një spektakël ceremonial i jashtëzakonshëm: topa ceremoniali, sallone me mermer, një pritje madhështore në Pallatin Presidencial dhe mbi të gjitha, përqafimi i famshëm i Narendra Modit në aeroport. Për Kremlinin, një triumf simbolik pas izolimit diplomatik të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Por pas gjithë pompozitetit, marrëveshjet konkrete ishin shumë më pak se pritshmëritë.

Putin dhe Modi deklaruan sërish “partneritetin strategjik të privilegjuar” mes dy vendeve, por në praktikë rezultatet ishin modeste: disa memorandume për bashkëpunim ekonomik, për zinxhirë furnizimi, minerale kritike, energji bërthamore civile dhe një fabrikë farmaceutike të përbashkët. Mungoi ajo që pritej më shumë, një marrëveshje e madhe mbrojtjeje apo një deklaratë e qartë për vazhdimin e furnizimeve me naftë ruse me çmim të ulët.

Çështja e naftës mbetet më e ndjeshmja. India ka qenë një nga blerësit kryesorë të naftës ruse që prej vendosjes së sanksioneve perëndimore, duke i dhënë Moskës një oksigjen të rëndësishëm ekonomik. Por administrata Trump po e shton presionin mbi Nju Delhin për t’i dhënë fund kësaj marrëdhënieje, duke vendosur tarifa deri në 50% mbi disa mallra indiane. Putin tha se Rusia është gati të garantojë furnizime të pandërprera, por nuk dha detaje, një sinjal se tashmë topi është në fushën e Indisë. Modi duhet të arrijë pothuajse të pamundurën: të vazhdojë të blejë naftë nga Rusia dhe njëkohësisht të kërkojë një marrëveshje tregtare me Shtëpinë e Bardhë.

Edhe në fushën e mbrojtjes, heshtja foli më shumë se çdo deklaratë. Përpara vizitës u përfol shumë për blerjen e avionëve rusë Su-57 apo sistemeve të tjera të avancuara. Në fund, nuk u njoftua asnjë marrëveshje e madhe. Rusia ka kapacitete të kufizuara për shkak të luftës në Ukrainë, ndërsa India po përpiqet të ruajë një balancë të kujdesshme mes Moskës dhe Washingtonit. Ndonëse Rusia mbetet furnizuesi më i rëndësishëm i Indisë me armatime, edhe këtu ritmi i bashkëpunimit duket se ka ngadalësuar.

Por Putin nuk shkoi në Indi vetëm për marrëveshje. Sipas Kremlinit, darka “informale” e mbrëmjes me Modin ishte pika kyçe e vizitës. Aty, larg kamerave, u prekën çështjet më delikate: Ukraina, presionet amerikane, stabiliteti rajonal dhe roli i ardhshëm i Rusisë në Azi. Zyrtarët rusë pranuan se pikërisht në këto takime informale “bëhet politika”.

Nga ana ekonomike, të dy vendet dërguan një mesazh të qartë: tregtia është tani boshti i marrëdhënies ruso-indiane. India kërkon tregje të reja mes tensioneve me SHBA-në, ndërsa Rusia kërkon të zhbëjë efektin e sanksioneve perëndimore. Modi theksoi nevojën për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe përmendi progresin drejt një marrëveshjeje të mundshme tregtare me Unionin Ekonomik Euroaziatik, ku Rusia është shteti dominant. Synimi është ambicioz: rritja e tregtisë dypalëshe në 100 miliardë dollarë, një objektiv i vështirë nëse nafta e lirë del nga ekuacioni.

Mungesa e marrëveshjeve të mëdha nuk e zbeh rëndësinë strategjike të vizitës. Në fakt, ajo nxjerr qartë në pah realitetin e ri gjeopolitik: Putin kërkon të tregojë se Rusia nuk është e izoluar dhe India i jep këtë imazh. Ndërsa Modi kërkon të forcojë pozicionin e Indisë si superfuqi që nuk i nënshtrohet presioneve të asnjë kampi. Vizita ishte më shumë një deklaratë politike se sa një paketë konkrete marrëveshjesh, një demonstrim i balancimit të kujdesshëm që India po bën mes Uashingtonit dhe Moskës, në një moment kur ekuilibrat globalë janë gjithnjë e më të brishtë.

Përgatiti ©LAPSI.AL 

Të këshilluara

Aksident me tre të plagosur në Pogradec

Një aksident automobilistik ka ndodhur paraditen e sotme në rrugën që të çon drejt fshatit Tushemisht, në Pogradec. Dy mjete janë përplasur me njëra-tjetrën,...

14:48

ide

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

13°c

KËMBIMI EURO

92.05

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI