Flash

Franca rikthen shërbimin ushtarak

Lapsi.al 27 November 2025
Franca rikthen shërbimin ushtarak

Franca do të rikthejë një formë të kufizuar të shërbimit ushtarak, në një kohë kur frika për një përballje me Rusinë po rritet në gjithë Evropën. Më shumë se 25 vite pasi shërbimi i detyrueshëm u hoq, plani i ri parashikon që të rinjtë 18–19 vjeç të mund të regjistrohen vullnetarisht për 10 muaj trajnim ushtarak të paguar, me të paktën 800 euro në muaj. Presidenti Emmanuel Macron tha se “mënyra e vetme për të shmangur rrezikun është të përgatitesh”, duke theksuar se vendi duhet të mobilizohet për t’u mbrojtur dhe për të ruajtur respektin ndërkombëtar.

Sistemi i ri do të hyjë gradualisht në fuqi nga vera e ardhshme, me 3,000 pjesëmarrës në fillim dhe deri në 50,000 deri në vitin 2035. Përmes tyre, ushtria franceze synon të krijojë një rezervë të madhe personeli të trajnuar, që mund të mbështesë trupat profesioniste ose t’i zëvendësojë në detyra jo-luftarake. Shpresa është që një pjesë e të rinjve të vazhdojnë më pas karrierë të plotë ushtarake.

Franca, e cila ka rreth 200,000 ushtarakë aktivë dhe 47,000 rezervistë, po i bashkohet vendeve të tjera europiane që po forcojnë kapacitetet mbrojtëse përballë agresionit rus. Belgjika, Holanda dhe Gjermania kanë nisur skema të shërbimit vullnetar, ndërsa Lituania, Letonia dhe Suedia kanë ringjallur format e tyre të detyrueshme. Finlanda dhe Greqia nuk e kanë ndërprerë kurrë shërbimin ushtarak.

Debati publik në Francë është nxehur pas paralajmërimeve të shefit të ri të Shtabit të Ushtrisë, gjeneral Fabien Mandon, i cili ka deklaruar se vendi duhet të përgatitet për një konfrontim me Rusinë brenda tre apo katër viteve, madje duke folur edhe për “mundësinë për të humbur fëmijë” në luftë. Deklarata që shkaktuan kritikë të forta.

Megjithatë, sondazhet tregojnë mbështetje të gjerë për shërbimin ushtarak vullnetar: 73% e francezëve e mbështesin, dhe edhe mes të rinjve mbështetja arrin në 60%. Shumë të rinj e shohin këtë si mundësi për disiplinë, solidaritet dhe rritje të ndjenjës së kombit, ndërsa të tjerë kritikojnë Macron-in se fokusohet te ushtria dhe jo te problemet reale të rinisë, si shëndeti mendor dhe vështirësitë ekonomike.

Franca e hoqi shërbimin e detyrueshëm në fund të viteve ’90, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, duke i dhënë fund një tradite që zinte rrënjë që nga Revolucioni Francez, kur çdo qytetar konsiderohej edhe ushtar. Por për shkak të klimës së re të pasigurisë, Parisi po kërkon të rikthejë një model të ri që kombinon ushtrinë profesionale, rezervistët dhe vullnetarët.

Sidoqoftë, mbeten pyetje mbi financimin e planit, teksa Franca përballet me krizë borxhi dhe ende nuk ka miratuar buxhetin për vitin 2026. Përgatiti ©Lapsi.al 

Të këshilluara

Parashikimi i motit për sot, 27 nëntor 2025

Ditën e enjte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet të jetë me vranësira mesatare e të denduar si dhe alternime të...

07:19

ide

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

92.03

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI