Flash

Kriza e arsimit rural: shkolla pa fëmijë dhe klasa kolektive (VIDEO)

Lapsi.al 22 November 2025
Kriza e arsimit rural: shkolla pa fëmijë dhe klasa kolektive (VIDEO)

Nga Luljeta Progni

Shkolla 9-vjeçare “Mark Pal Kola” në Vig qëndron e hapur, por e heshtur. Prej tre vitesh nuk dëgjohet më as gumëzhima e fëmijëve, as zërat e mësuesve dhe as zilja e orës. Bankat mbeten të mbushura me libra e fletore të lëna pas, regjistrat e klasave qëndrojnë ende mbi tavolinë – sikur mësimi të ketë mbaruar vetëm dje.

Por ndërtesa është e braktisur prej kohësh, ndërsa ata pak nxënës të zonës detyrohen të udhëtojnë 15 kilometra çdo ditë drejt shkollave në Vau të Dejës. Në dërrasën e zezë, një thirrje e lënë nga një ish-nxënës përpiqet t’i japë zë një boshllëku që rritet vit pas viti: “Mbroni shkollën tuaj sa nuk është vonë.”

Vigu nuk përbën përjashtim. Vetëm në dy vitet e fundit, 149 shkolla rurale në gjithë vendin kanë mbyllur dyert për mungesë nxënësish, si pasojë e emigracionit, plakjes së popullsisë dhe mungesës së investimeve afatgjata në arsim. Ekspertët paralajmërojnë se nuk bëhet më fjalë për statistika sporadike, por për një krizë të thellë strukturore.

“Problemi më i madh sot është vetë mënyra si është ndërtuar sistemi arsimor,” tha Irsa Ruçi, eksperte e arsimit parauniversitar, ndërsa shton se prej dekadash nuk është ndërhyrë në thelbin e tij.

“Problematikat që shohim janë fasada; duhet ndryshuar sistemi në rrënjë”, theksoi ajo.

Në juglindje, historia përsëritet. Shkolla 9-vjeçare e Polenës këtë vit nuk i hapi dyert për nxënësit e saj. Ndryshe nga Vigu, Polena është një fshat i gjallë pranë Korçës, i njohur për festat që mbledhin mijëra vizitorë çdo verë. Por banorët që kanë mbetur gjatë vitit janë kryesisht të moshuar dhe fëmijët janë aq pak, sa nuk mjaftuan për ta mbajtur shkollën hapur.

Oborri i shkollës është pushtuar nga pulat dhe nga grumbuj materialesh ndërtimi, që sipas banorëve do të përdoren për një projekt të ri. Godina mund të shndërrohet në hotel, thonë ata nën zë, pa dashur të shfaqen në kamera. Në vend të zërave të fëmijëve që dikur mbushnin korridoret, brenda janë ngritur dy struktura për përgatitjen e zaireve të dimrit – petka, rosnicka, trahana, oshafka, reçel e të tjera, një traditë e hershme e amvisave të fshatit, që tani ka gjetur strehë në ish-godinën e dijes.

Në Kolanec të Maliqit, shkolla u mbyll gjithashtu këtë vit, dhe pesë fëmijët e fshatit udhëtojnë çdo ditë me makinë drejt qytetit. Të njëjtin fat kanë pasur edhe shkollat e Tërovës, Pendavinjit dhe Fshat-Maliqit.

Por mbyllja e shkollave është vetëm njëra anë e problemit. Rritja e ndjeshme e numrit të nxënësve në klasa kolektive po e rëndon edhe më shumë situatën.

“Kishim rreth 22 mijë nxënës në klasa kolektive, tani jemi në 30 mijë,” thotë pedagogu Ndriçim Mehmeti. “Në klasa të tilla nuk mund të ketë cilësi mësimi dhe bie edhe motivimi i mësuesve e nxënësve,” shtoi ai.

Sipas Mehmetit sistemi arsimor shqiptar ka nevojë urgjente më investime.

“Gjej mundësitë, i ke mundësitë, shfrytëzoji mundësitë dhe nëse jo atëherë do të vazhdojmë të kemi këto arritje në PISA, në të gjitha provimet ndërkombëtare dhe për pasojë nxënësit do ta gjejnë shpëtimin vetëm duke ikur jashtë vendit, ose duke u grumbulluar në zonat e mëdha urbane,” tha ai.

Testi i PISA-s është një nismë mbarëbotërore nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, OECD, për të matur aftësinë e nxënësve 15-vjeçarë për të përdorur njohuritë e tyre në matematikë, shkencë dhe lexim. Në raportin e fundit të publikuar mbi testimin e nxënësve shqiptarë, në dhjetor 2024, Shqipëri shënoi rënie në në tre fushat e testimit duke u cilësuar si një “anormalitet negativ”.

“Besoj se është dëshira e kujtdo në këtë vend të shohë oborret e shkollave të gumëzhijnë,” tha Irsa Ruçi. “Por është për të ardhur keq që vatrat e dijes po mbyllen,” përfundoi ajo./ BIRN

https://youtu.be/Dx4CnAt2reE

Të këshilluara

Balluku rikthehet në gjykatë (FOTO)

Pasi seanca u ndërpre për gati 2 orë, ish-zvkryeministrja Belinda Balluku është rikthyer sërish në GJKKO. Ishin avokatët e saj dhe të dy zyrtarëve të tjerë ata ...

11:27

Vuçiç: Kroacia synon dobësimin e Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi në Beograd se Kroacia dhe Sllovenia kanë qenë mbështetëset kryesore të propozimit për heqjen e sanksioneve të Ba...

10:46

Moti, fundjavë me reshje të dendura

Sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet të jetë me vranësira mesatare deri të dendura. Reshjet e shiut par...

08:16

ide

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

11°c

KËMBIMI EURO

92.03

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI