Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, uroi iranianët për atë që ai e përshkroi si një fitore ndaj Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, në një mesazh sfidues me video që dukej të ishte deklarata e tij e parë publike që nga bombardimi nga avionët luftarakë amerikanë të tre objekteve bërthamore të vendit të dielën.
Alarmi publik ka qenë në rritje në Iran për shkak të mungesës së z. Khamenei, i cili ka fjalën e fundit për vendimet kyçe të vendit, por që nuk ishte parë apo dëgjuar publikisht për një javë.
Edhe pse ai kishte lëshuar dy deklarata gjatë konfliktit 12-ditor midis Iranit dhe Izraelit, ai nuk kishte bërë asnjë deklaratë publike apo mesazh të regjistruar që nga sulmi ushtarak amerikan të dielën, kur Irani u kundërpërgjigj duke lëshuar raketa ndaj një baze ushtarake amerikane në Katar, dhe Irani e Izraeli ranë dakord për një armëpushim të martën.
Mungesa e ndonjë komenti nga z. Khamenei kishte filluar të ngjallte pyetje mes publikut iranian për shëndetin dhe vendndodhjen e tij. Zyrtarët iranianë kishin thënë më parë se z. Khamenei ishte strehuar në një bunker dhe po shmangte çdo komunikim elektronik për të parandaluar përpjekje për atentat ndaj tij.
Nuk kishte shenja të qarta nga videoja se kur ishte regjistruar. Z. Khamenei ishte ulur përpara një perdeje bezhë, me një flamur iranian në të majtë dhe një fotografi të udhëheqësit të parë të Republikës Islamike, Ajatollah Ruhollah Khomeini, të varur sipër tij, një skenografi identike me atë të mesazhit të fundit me video që kishte lëshuar që nga fillimi i konfliktit të fundit me Izraelin.
Ai minimizoi shkallën e dëmit nga sulmet amerikane dhe izraelite dhe nuk foli për fatin e programit bërthamor të Iranit. Por komentet e z. Khamenei duket se ishin bërë pas kundërpërgjigjes së Iranit ndaj sulmit amerikan, pasi ai deklaroi se sulmet me raketa iraniane ndaj bazës ajrore Al Udeid në Katar shkaktuan “disa dëme” dhe paralajmëroi se Irani mund të “marrë përsëri masa” nëse do të jetë e nevojshme.
“Regjimi amerikan u fut drejtpërdrejt në luftë sepse ndjeu se nëse nuk do të futej, regjimi sionist do të shkatërrohej plotësisht. Por nuk përfitoi asgjë nga kjo luftë.
Republika Islamike i dha një shuplakë të rëndë në fytyrë Shteteve të Bashkuara. Ajo sulmoi dhe shkaktoi dëme në Bazën Ajrore Al-Udeid, e cila është një nga bazat kryesore amerikane në rajon” tha Ayatollahu në video.
New York Times, përgatiti ©LAPSI.AL